Varhelyi: Dialogu të përmbyllet suksesshëm më 2020

Sot në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian ka nisur seanca dëgjimore, ku duhet të konfirmohet kandidati për Komisioner të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi nga Hungaria. Ai është kandidati i dytë nga ky shtet, pasi Laszlo Trozscanyi ishte refuzuar për këtë pozitë, për shkak të problemeve me konflikt interesi, njofton REL.

Varhelyi, i cili është ambasador i Hungarisë në Bashkimin Evropian, ka thënë se Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet nëse ai konfirmohet Komisioner i Zgjerimit.

Në fillim të seancës dëgjimore ai ka thënë se duhet punuar që të arrihet pajtim për nisjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, një vendim që nuk u arrit në samitin e fundit të BE-së. Sipas Varhelyi, rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe procesi i zgjerimit me këtë rajon duhet të jetë prioritet, ndërkohë që metodologjia në procesin e zgjerimit duhet të përshtat në mënyrë që ky proces të jetë me një dinamikë më të shpejtë.

“Duhet ta bëjmë BE-në më funksionale, por kjo nuk duhet ta pengojë procesin e zgjerimit”, ka thënë ai.

Kandidati për Komisioner të Zgjerimit, Oliver Varhelyi ka paralajmëruar një agjendë ambicioze sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces të cilin, deri më tash e ka lehtësuar Bashkimi Evropian.

“Unë do të punojë së bashku me (Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri) për të sjellë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në përmbyllje të suksesshme në vitin 2020”, ka thënë ai.

Varhelyit i janë parashtruar edhe disa pyetje rreth lojalitetit dhe çështjes së sundimit të ligjit. Ai ka thënë se është besnik ndaj BE-së dhe askujt tjetër. Sa i përket sundimit të ligjit, Varhalyi është shprehur se do të mbetet prioritet në punën e tij në procesin e zgjerimit, si një kriter kyç për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se nuk do të hezitojë që të përdorë kriteret rreth sundimit të ligjit për të ndalur procesin e negociatave apo hapjen e kapitujve nëse ndonjë shtet kandidat nuk i respekton këto kritere.

Aktualisht janë edhe tre kandidatë për komsioner evropian që duhet të konfirmohen, në mënyrë që në fund të muajit të votohet për përbërjen e re të Komisionit Evropian që do të udhëhiqet nga Ursula va nder Leyen. Ky komision, nëse gjithçka shkon sipas planit, do të nisë mandatin pesëvjeçarë nga 1 dhjetori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button