Përfshirja e partive politike, hap mundësinë e ndryshimit të Ligjit për informata me karakter publik në RMV

Zvarritja e zgjedhjes së drejtorit të Agjencisë për informata me karakter publik, sipas gazetarëve dhe njohësve të transparencës hapë mundësinë për ndryshimin e Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik. Kjo vjen, ngaqë me hyrjen në fuqi të Ligjit, edhe partitë politike do të jenë të obliguara të publikojnë informata, në rast se qytetarët, mediat dhe organizatat joqeveritare parashtrojnë kërkesë deri te ato, shkruan Portalb.mk.

Zgjedhja e drejtorit do të hapte rrugën e funksionalizimit të Agjencisë dhe implementimin e Ligjit të ri që pritet të hyjë në fuqi më 30 nëntor të 2019-s, por kjo është peng i “mosmarrëveshjeve politike”.

Megjithëse Ligji i ri ende nuk ka hyrë në fuqi, kërkesë për publikimi të informatave nga partitë politike, siç është rasti për financimin e fushatës “Fjala vlen” të partisë në pushtet Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, ka parashtruar gazetari i Birn Maqedoni, Vllado Apostollov. Përgjigje nuk ka marrë, dhe për këtë partia nuk ka shkelur asnjë dispozitë ligjore, por kjo, sipas Apostollovit është një sinjal, se si LSDM-ja, por edhe partitë tjera, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe VMRO-DPMNE-ja në mënyrë restriktive janë duke e shqyrtuar mundësinë për ndryshim të Ligjit të ri.

Vllado Apostollov
Vllado Apostollov

“Nuk e di nëse partitë me qëllim nuk merren vesh rreth Agjencisë apo, sërish, çështje është ndonjë taktizimi nga njëra apo tjetra parti. Por sa i takon përvojës sime, një gjë është e sigurt – partive u konvenon të mos funksionojnë risitë e Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik. Njëra nga risitë në Ligj është se publike duhet të jenë edhe informatat për financat partiake. Ne në BIRN e kemi testuar partinë në pushtet, LSDM-në dhe gjatë verës kemi kërkuar shpenzimet për fushatën mediale të shkurtë “Fjala vlen”, e cila me porosi të partisë, në mënyrë agresive emitoheshte në televizione në fillim të muajit qershor të këtij viti. Ligji i ri ende nuk pati hyrë në fuqi, dhe në mënyrë formale-juridike LSDM-ja nuk shkeli asnjë rregull në këtë moment, megjithatë, ajo që partia nuk na i dha informatat, tregon se ajo nuk dëshiron të ndajë informacione të tilla sensitive. Kjo për mua është alarm, se LSDM-ja në mënyrë restriktive (do të) i shqyrton ndryshimet ligjore, dhe se në të ardhmen gazetarët dhe publiku nuk do të mund të marrin informata më të detajuara për paratë partiake. Kurse, gjykuar në bazë të së kaluarës jo të largët, lehtë mund të supozohet se këtë praktikë do ta zbatojnë edhe partitë tjera, përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në”, tha Apostollovi.

Mundësinë për rishqyrtim të Ligjit të ri, e shtroi si çështje edhe kryetari i Qendrës për Komunikim Civil, German Fillkov.

Unë nuk jam jurist, por e di se e vetmja zgjidhje janë zgjidhjet ligjore. Nuk e di, ndoshta deputetët do ta ndryshojnë ligjin. Nuk e di marrëveshjen e tyre, megjithatë më së miri do t’u vinte që menjëherë të emërojnë drejtor”, tha Fillkov.

Moszgjedhja e drejtorit të Agjencisë – ulje e transparencës së partive dhe institucioneve

Krahas mundësisë së rishqyrtimit të ligjit nga partitë, moszgjedhja deri tash e drejtorit të Agjencisë, sipas Fillkovit dhe Apostollovit do ta heq të drejtën kushtetuese për t’u informuar qytetarët dhe do t’i motivojë institucionet dhe partitë politike të jenë më pak transparente.

“Kjo që nuk do të funksiononte Agjencia, vetëm i motivon edhe partitë dhe institucionet të jenë më pak transparente”, tha Apostollovi.

Nga ana tjetër, Fillkovi deklaroi se që të realizohet e drejta e kushtetuese e qytetarëve, që të jenë të informuar, ngaqë kjo e drejtë deri tash u është hequr, duhet që sa më shpejtë të emërohet drejtori i Agjencisë që të hyjë në fuqi edhe Ligji i ri.

German Fillkov

“Agjencia nëse nuk formohet, Komisioni do të vazhdojë, por ju e dini se Komisioni nuk punon që dy vjet, dhe nuk shoh arsye që të thirremi në këtë zgjidhje. Komisioni edhe ashtu nuk është funksional edhe me Ligjin e vjetër, dhe lëre më me Ligjin e ri. Për këtë apeloj, dhe ne si Platformë e organizatave joqeeveritare për luftë kundër korrupsionit kemi dërguar apel deri te subjektet që të emërohet sa më shpejtë, mes të tjerave që presin në atë Komision, edhe drejtor dhe zëvendësdrejtor të Agjencisë. Dhe të mundësojnë të realizohet kjo e drejtë kushtetuese e qytetarëve, që të jenë të informuar, sepse, tash ajo e drejtë kushtetuese në një farë mënyrë është hequr. Institucionet duke e ditur që nuk funksion Komisioni, nuk dorëzojnë informata të plota apo fare nuk do të dorëzojnë, ngaqë e dinë se e drejta për ankesë nuk do të mund të realizohet”, tha Fillkovi.

Sipas dispozitave ligjore që priten të hynë në fuqi më 30 nëntor, Agjencia e cila do të vjen si rezultat i transformimit të Komisionit aktual për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, nuk do të ketë Këshill i cili do të vendosë ndaj ankesave të parashtruara si rezultat i mosmarrjes së informatës publike nga bartësit e informatës.

Kjo, siç sqaroi Fillkovi nuk do të thotë se të drejtën ekskluzive për të vendosur ndaj ankesave do ta ketë vetëm drejtori dhe zëvendësdrejtori, por nënkupton se do të largohen mundësitë për trysni politike a çfarëdollojshme mbi vendimin ndaj ankesave, ngaqë ndaj ankesave do të vendosin shërbimet profesionale të agjencisë.

“Agjencia do të ketë drejtor dhe zëvendësdrejtor, ndërkaq për ankesat do të vendosin shërbimet profesionale në Komision. Profesionistët në Komision, pa të mbingarkuar nga trysnitë politike dhe të tjera. Ka në Komision profesionistë, sigurisht se duhet të rritet edhe kapaciteti, ngaqë edhe shumë të punësuar janë larguar ndërkohë”, tha Fillkovi.

I pyetur se a ka kapacitet Komisioni aktual për të vendosur në mënyrë profesionale dhe të pavarur ndaj ankesave, ai tha që po, megjithëse “do të duhej një trajnim shtesë”.

Ligji është miratuar më 30 maj të këtij viti, dhe periudha gjashtëmujore është lënë si hapësirë e transformimit të Komisionit në Agjenci. Megjithatë, paraprakisht, nga Komisioni kanë njoftuar se për këtë fazë nuk është ndërmarrë asgjë, ngaqë pritet emërimi i drejtorit të Agjencisë.

Fillkovi ka qëndrim të kundërt nga ajo që u deklarua nga Komisioni, ngaqë sipas tij “Nuk ka pengesë në transformimin e Komisionit në Agjenci, kishte kohë 6 muaj që të ndodh ajo”.

Paraprakisht u tha se moszgjedhja e drejtorit të Agjencisë do ta rrezikojë implementimin e Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, ngaqë procedura ka ngecur në Komisionin për zgjedhje dhe emërime në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për shkak të “mosmarrëveshjeve politike”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button