Një gjykim më pak

Gruevski shpëtoi nga përgjegjësia për rastin “Trajektorja”. Shpëtoi jo sepse ishte i pafajshëm, por për shkak të parashkrimit të veprës penale. Parashkrimi i veprës penale ndodh atëherë kur nga momenti i kryerjes së veprës ka kaluar kohë e gjatë, si për shembull dyfishi i kohës së paraparë për dënim, ndërsa në ndërkohë, nuk është sjellë aktgjykim lidhur me atë vepër. Pra ky është veprim me të cilin ndjekja penale përfundon për arsye formale dhe jo për arsye se përgjegjësia e kryesit nuk ka mundur të dëshmohet.

Të kujtohemi: në rastin “Trajektorja” Gruevski, Janakievski, Peshevski dhe Gjorgievski gjykohen për keqpërdorime lidhur me ndërtimin e autostradave Kërçovë-Ohër dhe Shtip-Miladinovci. Nëse i kujtojmë bisedat e përgjuara, te ky rast bëhet fjalë për atë bisedën mes Mile Janakievskit dhe Gruevskit kur ata e diskutojnë provizionin e paligjshëm që e kanë kërkuar nga kompania kineze me qëllim që ta pranojnë ofertën e tyre për ndërtim të këtyre autostradave. Të gjithë e mbajmë mend shprehjen e Gruevskit “Mos është tepër, hë?” kur edhe ai vet e sheh se paksa e kanë tepruar me grykësinë e tyre.

E pra, PSP e atëhershme sqaroi që në këtë rast bëhet fjalë për dëmtim të buxhetit të RMV për 155.117.172 Euro. Pra, 155 milion euro janë zhdukur nga buxheti dhe personi kryesor nuk mban përgjegjësi. Përgjegjësi nuk mban jo sepse është i pafajshëm, por sepse arriti ta eskivojë gjykimin per aq gjatë kohë sa vepra të parashkruhet. Gruevski në këtë rast ishte i akuzuar për Pranim të kundërligjshëm të shpërblimit për ndikimin e tij në tenderin në fjalë. Ky veprim dënohet me 3 vite burg. Ka më shumë se 6 vite që veprimi në fjalë ka ndodhur, ndërsa gjykatat tona e shtynë që e shtynë rastin pa e zgjidhur deri në momentin kur i njëjti u parashkrua. Dhe ja tani, Gruevski mund të ecë lirisht rrugëve të Budapestit pa e menduar këtë rast nga i cili lehtësisht e shpëtoi kokën. Janakievski, Peshevski dhe Gjorgievski do të presin edhe pak për të mare dënimin sepse ata akuzohen për Keqpërdorim të detyrës zyrtare, vepër e cila dënohet më rendë dhe prandaj edhe parashkruhet më vonë. Por megjithatë, ideja me krijimin e PSP ishte që të vendoset përgjegjësi penale për njerëzit më të fuqishëm, dhe jo vetëm për ndihmësit e tyre. Ja që në realitet ndodh e kundërta, Gruevski ik, Janakievski i bart pasojat, Jankulovska bëhet me fëmijë, ndihmësi i saj mer 14 vjet burg.

Kulmi i këtij absurdi është fakti që nga buxheti i shtetit do të paguhen shpenzimet gjyqësore lidhur me rastin “Trajektorja”. Pra buxheti dëmtohet me këtë rast për 150 milion euro, dhe në fund pikërisht nga ai buxhet mbulohen shpenzimet e gjykimit për personin i cili arriti ta eskivojë bartjen e përgjegjësisë për veprimet e veta kriminale. Nuk e di nëse ka vend ku më shumë se këtu ia vlen të jesh kriminel: Merr provizion të paligjshëm sa të kujtohet, ia jep kujt të duash tenderin për rrugët e shtetit, të zbulojnë se ke kryer vepër penale dhe keqpërdorim të madh të fondeve të shtetit, me mjeshtëri i shfrytëzon të gjitha mundësitë ligjore për të shtyrë seancat gjyqësore dhe dikur edhe arratisesh i papenguar nga vendi dhe merr azil tek shokët tu, sigurisht, dhe në fund arrin që të mbash edhe të hollat e provizionit të paligjshëm edhe të të mbulohen shpenzimet e gjykimit nga buxheti! Kjo vetëm në vende me drejtësi krejtësisht jofunksionale është e mundur. Në ato vende ia vlen edhe atë shumë të jesh kriminel.

Gruevski mund të jetë i lumtur. Plani i tij për të shpëtuar nga përgjegjësia për bëmat e veta po ecën për mrekulli. Tani ka një rast gjyqësor më pak për ta menduar.

Për këtë arsye thonë që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Sepse kur vonohet drejtësia, padrejtësia vazhdon.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button