Gjobë kundërvajtëse për shkupjanen që fshiu grafitet me urrejtje dhe shkroi fjalë dashurie dhe paqe

Shkupjania dhe aktivistja, Gordana Pirkovska Zmijanac sot është shpallur fajtore se ka kryer vepër kundërvatjëse, me fshirjen e grafiteve me gjuhë të urrejtjes dhe në vend të tyre ka shkruar fjalë për dashuri dhe paqe, shkruan Portalb.mk.

Këtë e bëri të ditur Zmijanac, duke treguar se vendimin për shpalljen si fajtore për veprën kundërvajtëse ia kanë kumtuar nga Sektori për kundërvajtje në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), ku thuhet se ajo ka shkelur nenin 27 të Ligjit për kundërvajtje kundër rendit publik dhe qetësisë.

Neni 27 i Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike
Neni 27 i Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike

Grafitet me mbishkrimin “Vdekje për shqiptarët” aktivistja Gordana Pirkovska Zmijanac i kishte zëvendësuar me “Vdekje për urrejtjen” e menjëherë pas kësaj, kundër kësaj u ngrit kallëzim kundërvajtës.

Gordana Pirkovska Zmijanac
Gordana Pirkovska Zmijanac

Zmijanac për Portalb.mk theksoi se me këto dënime, po tentohet që të shuhet aktivizmi i qytetarëve dhe se pikërisht për këtë nuk duhet të lejojmë që sistemi të na heshte, ajo tha se do të vazhdoj me aktivitete të tilla.

“Jam e befasuar nga MPB për atë se nuk më kanë gjobuar, por më lëshuan vetëm me dënim administrativ. Gjithsesi, unë konsideroj se MPB përçoi një mesazh jashtëzakonisht të keq duke më dhënë vërejtje, me arsyetimin se nuk është në rregull që grafitet me gjuhë të urrejtjes të mbulohen me mesazhe pozitive, kurse mesazhi tjetër është që këto raste të mos i paraqesim në polici për arsye se përndryshe rrezikon të dënohesh. Unë mendoj se në këtë mënyrë po shuhet aktivizmi i qytetarëve me qëllime të mira, pikërisht për këtë nuk duhet të lejojmë që sistemi të na heshtë. Unë do të vazhdoj me aktivitete të tilla, mirëpo herës tjetër nuk do ta paraqes në polici, e mora mësimin” tha Gordana Pirkovska Zmijanac.

Ndryshe, gjuha e urrejtjes apo nxitja e gjuhës së urrejtjes, edhe pse është vepër penale në Maqedoni, ndër vite nuk është dënuar. Prej kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore të Kodit Penal për gjuhën e urrejtjes, gjegjësisht prej shkurtit të vitit 2014-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla për gjuhë të urrejtjes.  Numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale “Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes” të cilët për të njëjtën periudhë kanë regjistruar 341 raste, ndërkaq Policia ka dorëzuar padi penale për 24 raste.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button