“Pas aksidentit kam humbur 20kg, manipuluesi i shpejtësisë tregonte për 12-13km në orë më pak se realja”

Matësi i shpejtësisë së autobusit është manipuluar me pajisje të veçantë e cila ka treguar 12-13km në orë më pak se sa shpejtësia reale. Këtë sot e tha shoferi Filip Naumovski, i cili në ditën e kobshme, paraprakisht e kishte vozitur autobusin e aksidentuar në Llaskarcë në të cilin humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan, njofton Portalb.mk.

“Autobusët kanë pasur të vendosur pajisje për manipulim të shpejtësisë. Manipuluesi është vendosur që në vitin 2011. I njëjti e ka manipuluar shpejtësinë për 12-13 km në orë. Autobusi ka pasur ndalesë teknike për të vozitur me shpejtësi më të madhe se 98km në orë. Manipuluesi është shfrytëzuar për vozitje në qytet, pasi që në autostradë shpejtësia e lejuar për autobusë është100 km në orë”, tha shoferi Naumovski, i cili vazhdon të  vozisë për ndërmarrjen transportuese “Durmo Turs”.

Ai shpjegoi se autobusi ka pasur 4 mënyra për të frenuar, me frenat e këmbës, në mënyrë motorike dhe nëpërmjet retarderit.

“Të gjitha mënyrat përdoren për të frenuar, por në raste të frenimit të menjëhershëm përdoren frenat e këmbës”, tha Naumovski.

Ai shtoi se autobusin në linjën e orës 16:15, në autobusin e aksidentuar ai ka qenë konduktor, por ka zbritur në Gjorçe, ndërkaq tregoi tmerrin që ka përjetuar kur e ka parë aksidentin.

“Unë zbrita në Gjorçe, autobusi pastaj vazhdoi. Sapo mora lajmin, menjëherë jam drejtuar në vendin e ngjarjes. Zbrita poshtë te autobusi dhe e pash shoferin. E pyeta çfarë ka ndodhur, më tha nuk e di.
Për një muaj pas aksidentit jam dobësuar për 20kg. Jo të jem shqetësuar, por mendtë s’i kam ditur ku i kam”, tha Naumovski.

Në lidhje me lentat tahografike tha se, askush nuk i ka kontrolluar dhe se me një lehtë kanë vozitur disa shoferë. Ai gjithashtu tha se atë paraprakisht policia e ka dënuar për tejkalim të shpejtësisë, në kohën kur kufizimi i shpejtësisë për autobusët ka qenë maksimum në 80km në orë.

Gjykata nuk i lejoi pyetjet e prokurorit Darko Jakimovski që kishin të bëjnë me rrethana pasi ka ndodhur aksidenti. Si për shembull, a vazhdojnë që shoferët e “Durmo Tursit” të përdorin manipulues të shpejtësisë.

Gjykimi për aksidentin në Llaskarcë është anuluar për më 28 nëntor, pasi pala mbrojtëse e kontestoi ekspertizën e përgatitur nga profesori i Fakultetit për Elektroteknikë dhe Teknologji Informatike, Josif Qosev, për shkak se i njëjti nuk ka licencë për ekspertizë dhe nuk është i regjistruar në regjistrin e ekspertëve për kryerjen e ekspertizave.

Gjykimi është në procedurë dëshmuese dhe po merren në pyetje dëshmitarët. Në aksidentin në Llaskarcë, më 13 shkurt kanë humbur jetën 16 persona dhe 38-të të tjerë janë lënduar.

Rastin e udhëheq gjykatësja Dijana Gruevska- Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik Darko Jakimovski. Të akuzuar janë 6 persona, dhe atë, pronari i kompanisë transportuese “Durmo Turs”Durmish Beluli, përgjegjësi i kompanisë, Remzi Miftari dhe vozitësi i autobusit, Manoil Trifunovski. Këta ngarkohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërkaq tre të punësuarit e stacionit të kontrollit teknike, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button