Thirrja e Lëvizjes Vetëvendosje: Ndalni veprimet që shkaktojnë viktima

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri dënoi dhunën e policisë ndaj banorëve të Astirit. Në një postim në Facebook, LVV shkruan se dhuna sistematike në Astir mori sot formën e dhunës direkte, njofton Ora News.

LVV bëri thirrje që të ndalen të gjitha veprimet nga organet shtetërore që mund të shkaktojnë të lënduar dhe viktima.

Ndërsa shtoi se çështja e pronave në zonën e “Astirit” duhet të zgjidhet duke përdorur një standard të drejtë e të barabartë për të gjithë qytetarët.

LVV theksoi se një shtet i së drejtës nuk ndërtohet përmes pushtetit arbitrar me dhunë strukturore e direkte ndaj qytetarëve.

Postimi i plotë në Facebook

Dhuna sistemike mori sot formën e dhunës direkte te Astiri

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka ndjekur me shumë shqetësim të gjitha ngjarjet që janë zhvilluar mëngjesin e sotëm në zonën e “Astirit” pranë “Unazës së Re” në Tiranë, ku qytetarët kanë muaj që protestojnë pas skandaleve të një projekti korruptiv infrastrukturor me kompaninë “DH Albania”. Siç është raportuar edhe nga mediat, rreth 13 persona, qytetarë dhe pjesëtarë të Policisë, janë lënduar gjatë aksionit të sotëm të Policisë dhe po marrin shërbim pranë spitalit Universitar të Traumës. Sakaq, mediat kanë raportuar gjithashtu se rreth 10 protestues të tjerë janë arrestuar, mes tyre edhe pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci, e disa edhe janë keqtrajtuar gjatë arrestimit.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri bën thirrje së pari për ndaljen e të gjitha veprimeve nga ana e organeve shtetërore që mund ta tensionojnë situatën edhe më tej duke shkaktuar lëndime dhe viktima.

Korrupsioni, skandalet, parregullsitë dhe standardet e dyfishta e kanë karakterizuar të gjithë procesin e projektit të “Unazës së Re”. Një shtet i së drejtës nuk ndërtohet përmes një pushteti arbitrar me dhunë strukturore e direkte ndaj qytetarëve. Çështja e pronave në zonën e “Astirit” duhet të zgjidhet duke përdorur një standard të drejtë e të barabartë për të gjithë qytetarët.

Shpresojmë në shërimin sa më të shpejtë të të gjithë të lënduarve, qytetarëve protestues dhe pjesëtarëve të Policisë, dhe kërkojmë lirimin e protestuesëve që po mbahen të arrestuar padrejtësisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button