PAMJA QË E NDOQI SI HIJE

Mjegulla e dendur u fut nëpër derën e madhe që e hapën me shqelma. Nana mbeti e pranë trungut  e shtangur me dhinë me kërpesh për dore. Nanën e ndriçonte një rreze drite që depërtonte nëpër degët e manit të madh. E shkreta nanë, i ngjante në ato çaste Shën Mërisë së Guadalupit nga piktura e Huan Diegos dhe shpërndante një mirësi nga e cila thuajse i prekte edhe harabelat që heshtën lart në degët e pemëve dhe dhia nuk lëvizte, ndërsa  gjyshja nga ballkoni bërtiste: “Mbetëm pa dhi: Kukuuuu, si do ta rrisim këtë evlad. E kishte fjalën për nipin, njërin nga djemtë e familjes, më të madhin që kishin shpresë se pas ndonjë viti do të bëhej krahu i djathë i familjes në luftën për mbijetesë e që, i sëmurë e i lodhur, ishte ulur mbi një trung të prerë shelgu në anë të majtë të nanës.

Njëri nga pesë a gjashtë vetët të cilët e hapën derën dhunshëm, e ktheu kokën përpjetë kah plaka në Ballkon.  Duke mos ditur si ta detyronte plakën mos të klithte ashtu trishtueshëm, e vuri gishtin tregues në hundë dhe bëri shsht! Pastaj tha qetas: “Mos qaj moj loke”! E dinte se plaka nuk e dëgjonte, por nuk e kishte hallin aty. Ai  u tërhoq pak prapa nga grupi i burrave prej pesë vetash dhe i mbylli veshët me të dy duart. Deshi të mbrohet nga klithmat e gjyshes të cilat po e mundonin. U mundua të përmblidhet, ta përballojë këtë gjendje e cila krijoi kaos në shpirtin e tij, por nuk mundi. Klithma e gjyshes kishte arritur ta prekë në tel. Ia kujtoi klithmën e gjyshes së tij kur ishte ky i vogël e kur ia kishin marrë babain nga oborri në burg. Edhe gjyshja e tij atëherë klithi: “Kukuuu ma morën djalin”! Njëri nga grupi e pa kolegun e vet që i mbante veshët mbyllur, iu afrua dhe e thirri në emër:

  • Cimo, – çka po të mundon kështu? – e pyeti dhe pa pritur përgjigje e mori për dore dhe e nxori prej dere, ku ishte një gur i madh dhe e uli aty.

Nga përroi që kalonte pranë njeriu mori ujë me grusht dhe i hodhi në qafë. Cima i hoq duart nga veshët kur i shkoi uji lugut të kurrizit teposhtë. Pastaj u ngrit. Klithma e gjyshes tashmë nuk përhapej nga ballkoni si më parë që dëgjohej thuajse në tërë lagjen. Mirëpo ajo vazhdonte të ushtonte e të përsëritej vetëm në veshët e Cimës. Nga dera e hapur e shikoi nanën si rrinte me dhinë me kërpesh për dore dhe djalin e verdhë dyll pak më tej. Deshi ta largojë kështu zërin e klithmës së gjyshes, ta qetësojë veten, por tash iu fiksua ajo pamja e nanës si Shën Mëria e Huan Diegos me pamje të dhembshme dhe djali i verdhë dyll si të kishte dalë nga librat e Dikensit e që rrinte ulur në trungun e verrit thuajse si një ikonë. Ai në të vërtetë e pa nënën e tij kur ia burgosën babain dhe veten si ai djali. Cima u kthye dhe u ul në gur. Tash ajo pamje u kombinua me klithmën e gjyshes dhe skena u bë edhe më e rëndë në shpirtin e Cimës. Ai përsëri u ul mbi gurin që qëndronte në rrugë skaj njërit krah të derës. E ndjeu një lodhje të paparë. Një plogshti dhe një zbrazëti ia pushtoi shpirtin.

Katër burrat tjerë dolën me dhinë të cilën ia kishin marrë prej dore nënës së pambrojtur e të shtangur. Ata pinin duhan e qeshnin, kështu që nuk e vunë re Cimën. Njëri e tërhiqte dhinë me zor, sepse dhia ishte e frikësuar nga njerëzit e panjohur. Por,  pas disa hapash të kaluar njeriu që e uli pak më parë te guri e që i hodhi ujë në qafë, e vërejti se Cima nuk ishte me ta. Njeriu u kthye, u tha shokëve se Cima nuk ishte mirë. Edhe ata u ndalën. Njeriu i foli:

  • Cimë, si je?

Cima nuk u përgjigj. Të tjerët shpejt vazhduan rrugën duke e tërhequr dhinë me vete.

  • Mirë, – i tha njeriu. Pusho edhe pak e eja. Të presim në zyrën e kooperativës. Dhe, e la Cimën ulur mbi gur.

Cima u ngrit pas disa minutash. Nuk shkoi kah shokët po në kahen e kundërt. Po atë ditë i hypi trenit dhe iku larg në Vojvodinë. Atje themeloi familje, bëri pasuri. U ndihmonte njerëzve në nevojë,   po kurrë nuk rehatua, sepse ajo skena e gjyshes që klithte dhe nënës me pamjen e Shën Mërisë e të djalit si të dalë nga veprat e Dikensit i shkonin si hije.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button