Në Kosovë u kërkua rinumërim i 1,472 vendvotimeve dhe anulon votat nga Serbia

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Kosovë njoftoi se, pas ankesave të parashtruara nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit, ka marrë vendim që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës, të ardhura nga Serbia, njofton REL.

Ankesat janë ngritur pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar javën e kaluar, sipas të cilit Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

“PZAP-i, 53 ankesa i ka pranuar të bazuara. Prej tyre, lidhur me 52 ankesa, paneli ka vendosur që ta urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1,472 vendvotimeve. Ndërsa, lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë, ka urdhëruar KQZ-në që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës, të ardhura nga Serbia”, thuhet në njoftimin e PZAP-it.

Sipas Koalicionit Nisma-AKR-PD, zarfet me vota nga Serbia “nuk dihet se nga e kanë identitetin e tyre dhe origjinën”.

Ky koalicion, sipas rezultatit të KQZ-së, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e muajit të kaluar.

PZAP-i po ashtu njoftoi se 23 ankesa janë shpallur të pasafatshme dhe të palejuara, 25 ankesa janë refuzuar të pabazuara dhe një ankesë është konstatuar e tërhequr.

KQZ-ja, më pas, njoftoi se i ka pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button