Kasami: Zaevi nuk e ka mbajtur marrëveshjen për dokumentet personale

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në konferencë për media ka akuzuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se nuk i mban premtimet e dhëna. Kasami tha se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev para disa ditëve në Kuvend kanë dorëzuar iniciativë për ndryshim të ligjit të dokumenteve personale respektivisht të ligjit për letërnjoftimet.
“Ne edhe në kohën kur jemi marrë vesh kemi pasur dyshimet tona ndaj jokonzistencës politike të Zoran Zaevit. Prandaj e detyruam që marrëveshjen që arritëm ta publikojë zyrtarisht si qëndrim të Qeverisë së tij në faqen zyrtare të Qeverisë më datë 11.01.2019. Ky veprim i kryeministrit dhe Qeverisë dëshmon edhe një herë se LSDM-ja shqiptarëve iu kërkon vetëm votat, ndërsa nuk shpreh gatishmëri dhe vullnet të plotëson kërkesat legjitime të shqiptarëve. I bëjmë thirrje Zaevit që të tërheq nga procedura parlamentare ligjin për letërnjoftimet të korrigjoj të njëjtin konformë marrëveshjes së arritur gjatë ndryshimeve Kushtetuese dhe të dërgon si propozim edhe plotësimin me grafën e përkatësisë etnike”, deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Ndryshe, ndryshimi i Ligjit për Dokumentet e Udhëtimit, bëhet me shumicë të thjeshtë, gjegjësisht prej 61 votave.
Emërtimi i nënshtetësisë në shqip, shkaktoi reagim te ekspertët dhe albanologët duke e pasur parasysh që gjatë përkthimit nga maqedonishtja në shqip nuk janë respektuar rregullat e gjuhës shqipe dhe sipas tyre “Makedonsko” është dashur të përkthehet në “E Maqedonisë” dhe jo sikur ka qenë deri më tani dhe tani vetëm e kanë trashëguar “Maqedonisë”.
Brenda pesë vitesh ose më së voni deri më 2024, në dokumentet personale të qytetarëve do të qëndrojë emri i ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Me amendamentet e reja në këto dokumentet do të shënohet edhe përkatësia etnike e komuniteteve pakicë në vend.
Letërnjoftimet dhe pasaportat e reja, si dhe shenjat e targat e reja për automjetet e tyre qytetarët do të duhet t’i marrin më së voni brenda pesë vitesh, pas ratifikimit të Marrëveshjes për emrin të Parlamentit grek, pasi që Kuvendi i Maqedonisë paraprakisht i miratoi ndryshimet kushtetuese të nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes.