ANALIZA: Folklor zgjedhor – çfarë retorike pritet në fushatë?

Makineri partiake në teren – fushata joformale është në vlug të plotë. Sipas analistëve këto janë zgjedhje që do të zgjasin “më gjatë“ sepse data e mbajtjes së tyre dihet 7 muaj më herët. Pas dështimit në Bruksel, Qeveria vendosi ta testojë besimin e saj te populli, kurse opozita vendosi të futet në ciklin zgjedhor me shpresë se dëshpërimi që e solli “JO”-ja franceze do t’i faturohet në konto bllokut opozitar. Por, analistët paralajmërojnë se këto zgjedhje do të jenë një ndër më të paparashikueshmet, kurse partitë do të duhet t’u ofrojnë diçka reale dhe të realizueshme votuesve të lodhur dhe të ndjeshëm, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Tullumbace e fryrë me premtime ose program dhe ofertë reale – si të motivohen të dëshpëruarit

Qeveria duhet t’i bind votuesit se Maqedonia nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç alternativës evropiane, kurse opozita duhet të shpjegojë se si ata do t’i mbështesin integrimet euro-atlantike, rruga e së cilës kalon përmes Marrëveshjes së Prespës. Analistët komentojnë se në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, të gjithë lojtarët politikë do të kenë një detyrë të vështirë për t’i motivuar të pavendosurit, por edhe një pjesë të votuesve të tyre që shprehin pakënaqësi.

“Si duket “treshja e madhe” ende nuk është e vetëdijshme për përmasat e kësaj sfide. Ata qëndrojnë të përqendruar vetëm tek mbështetësit e tyre, duke i “ushqyer” me ngulm me mesazhe që vetëm ata plotësisht i kuptojnë dhe kanë për qëllim ta forcojnë ndjenjën e tyre të përkatësisë në një lloj elite të partisë, ndërsa në të njëjtën kohë e njollosin kundërshtarin e tyre imagjinar nga kampi kundërshtar. Me mënyrën e tillë të komunikimit dhe të sjelljes ata në të vërtetë krijojnë botën e tyre paralele që gjithnjë e më shumë “shkëputet” nga jeta reale ku jetojnë qytetarët e pavendosur”, thotë për “Portalb”-in, Goce Paçemski, ekspert për marrëdhënie me publikun.

Na presin zgjedhje në të cilat partitë duhet të garojnë në terren në kushte ku njëra palë  nuk ka arritur t’i përmbushur premtimet dhe pala tjetër nuk ka arritur të shkëputet nga “bagazhi” që e mbajnë nga e kaluara me vulën e krimit, thonë analistët.

“Na pret një fushatë e çuditshme zgjedhore. Është e qartë se LSDM-ja në këtë pikë nuk ka çfarë të ofrojë, ata kanë përmbushur shumë pak premtime nga programi i tyre zgjedhor “Për jetë”, prandaj nga këtu fushata e tyre aktuale është konvertuar në një imitim të zbehtë të fushatave të VMRO DPMNE-së të udhëhequr nga Gruevski. Organizimi i tribunave me fjalime ishin përditshmëri në një të kaluar jo aq të largët dhe ato kishin për qëllim ta ruajnë frikën nga “udhëheqësi”. Për dallim nga ato forume, këto janë plot urrejtje, komente pa shije dhe gjeste që nuk i përshtaten sjelljes së një kryeministri. LSDM-ja dhe Zaevi duhet ta kuptojnë se përtej biznesit të tyre dhe zhvatjeve, qytetarët kanë probleme të përditshme që kërkojnë zgjidhje sistematike, e jo teatër të lirë politik dhe propagandë”- thotë Samoil Malçevski, anëtar i VMRO-DPMNE-së, por nga krahu reformist që kërkon ndryshime në parti. Malçevski thotë edhe opozita VMRO-DPMNE ka sjellë zhgënjim te trupi i tyre votues.

“Sa i përket VMRO-DPMNE-së, partia aktualisht po zhvillon një fushatë të moderuar në terren, në të cilën po përpiqet të afrohet me problemet e përditshme të qytetarëve. Por gabimi kryesor i VMRO DPMNE-së është se nuk promovon njerëz, ekspertë, të cilët do të jenë bartësit e fitores në zgjedhje dhe pastaj, sipas tyre, të rindërtimit të Maqedonisë. Nëse udhëheqja e partisë dëshiron ta fitojë besimin e qytetarëve, ajo duhet të veprojë në disa mënyra. Para së gjithash, duhet të distancohet nga politikat e këqija të udhëheqjes së mëparshme dhe nga disa prej kuadrove që janë akoma në organet e partisë, të cilët ose bëhen pjesë e atyre politikave të këqija ose i kanë zbatuar ato”- vlerëson Malçevski.

Ajo që është e zakonshme pothuajse për të gjitha partitë kryesore në bllokun qeverisës dhe atë të opozitës është se ata do të duhet të përballen me një elektorat të zhgënjyer,  për cilin është duke u përgatitur një “tullumbace e fryre premtimesh” të reja.

“Si mund të interpretohen ndryshe mesazhet që vijnë nga partia më e madhe e opozitës, për disa rishikime të Marrëveshjes së Prespës dhe më pas të Kushtetutës (nëse, marrin 80 vende në parlament), sipas recetës së opozitës së deridjeshme në Greqi, e cila pasi erdhi në pushtet ndryshoi retorikën dhe e pranoi realitetin e Marrëveshjes. Në të njëjtën kohë, VMRO-DPMNE-ja nuk arrin të shohë që votuesit e pavendosur kanë nevojë për një mesazh të qartë se partia ka mësuar nga gabimet e saj dhe se i ka pastruar gabimet dhe skandalet nga qeverisja e mëparshme e saj. Në vend të kësaj, ata vazhdojnë të përpiqen ta “fryjnë tullumbacen” duke treguar histori për një lloj bumi ekonomik në 100 ditët e para të qeverisjes së tyre, megjithëse është e qartë për të gjithë njerëzit e arsyeshëm, siç janë votuesit e pavendosur, se zhvillimi ekonomik nuk është i arritshëm me “mrekulli”, por me reforma të plota të gjyqësisë, administratës, arsimit “- konsideron Paçemski dhe shton:

“Si duket as partitë në pushtet nuk e kanë mësuar mësimin. Në vend që t’i “përveshin mëngët” dhe t’i detyrojnë udhëheqësit e tyre, të shpërndarë në institucionet lokale dhe nacionale, që me të vërtetë të fillojnë më energjikisht dhe seriozisht t’i realizojnë premtimet nga ciklet e mëparshme zgjedhore, ata kanë vendosur, të paktën për momentin, të mburren me disa suksese dhe të na inkurajojnë se jemi në rrugën e duhur. Në kushte kur Rruga, të paktën për tani, duket shumë e mjegullt, partitë në pushtet do të duhet të fillojnë ta ndryshojnë komunikimin, përmes mesazheve dhe sjelljeve që do t’u japë votuesve, veçanërisht votuesve të pavendosur, një perspektivë më të qartë për të ardhmen”.

Matematikisht, që nga zgjedhjet e para në Maqedoninë e pavarur, në vend janë zhvilluar cikle zgjedhjesh (parlamentare të rregullta dhe të parakohshme, lokale dhe presidenciale) gati se në çdo 1.5 vjet dhe vetëm nga viti 2016 deri në vitin e ardhshëm, në secilin vit kalendarik në vend zhvillohet nga një cikël zgjedhor, duke përfshirë edhe Referendumin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button