Feja dhe lidershipi: Konteksti global (I)

Feja përbën njërën nga forcat më të fuqishme të jetës së njeriut, që thellë ndjehet dhe që ka ndikim të madh në shoqërinë njerëzore. Ajo ua jep formën marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ka impakt mbi familjet, bashkësitë, jetën ekonomike dhe atë politike. “Feja është një koncept shoqëror, psikologjik dhe material që ka të bëjë me transcendencë.” Praktikat fetare janë pjesë e rëndësishme e jetës fetare të shumë individëve. Vlerat fetare ndikojnë mbi veprimet e një numri shumë të madh të qenieve njerëzore, kurse kuptimet fetare u ndihmojnë atyre t’i shpjegojnë veprimet dhe përvojat e tyre. Ekziston një disiplinë e tërë shkencore që merret me çështjen e raportit mes vlerave shpirtërore dhe shoqërisë, me “bashkëjetesën e njeriut me Zotin” (Wach), me “një tërësi  që beson te e shenjta dhe formon një komunitet shpirtëror” (Durkheim): sociologjia e religjionit. Kjo degë sociologjike, fokuson dimensionet e fesë, nga ai doktrinar, adhurimor, përvojor, konjitiv, deri te ai konsekuencional (Glock), shqyrton fetarinë teorike, praktike dhe sociologjike.

Përkundër pritjeve të teoristërve të shekullarizimit, gjetjet ilustrojnë fenomenin e “ringjalljes globale të fesë” (Berger) dhe “deshekullarizimin e botës.” Në shekullin 21 feja jo vetëm që ka mbetur shoqërisht e fortë në shumë pjesë të botës, por është bërë edhe politikisht pretenduese (Frettingham, 2018). Sot gjthnjë e më tepër theksohet roli me peshë që feja mund ta luajë në politikë. Si shembull mund të përmendim rolin e fesë në politikën e jashtme të Barack Obama-s (A. Preston), rasti Brazil, Nigjeri, Mali dhe Senegal ku krishterimi e paraqet veten fuqishëm, si kulturë dhe politikë mbizotëruese, shtetet e ish-bllokut komunist, dikur zyrtarisht ateiste, që në vitet në vijim (1990 e këndej) përjetuan një rigjallërim të fortë fetar.

Në këtë drejtim mund të përmendet edhe rasti i AKP-së në Turqi, që pos agjendës socio-ekonomike ka ngjyrime të forta fetare, të partive të djathta ekstreme në Europë etj. Edhe në Europë po mbillen farat e një revitalizimi katolik të dukshëm. Ja një shembull: Në Bavari, një nga 16 rajonet e Gjermanisë, me rreth 12.5 milionë banorë, qeveria lokale në krye me Markus Söderin (nga Partia Bashkimit Kristian Social), vendosi që nga 1 qershori 2018 të vendosen  kryqe në të gjitha ndërtesat publike, veprim ky që nga disa u cilësua si “Kreuzpflicht” (kryqëzim i detyruar) dhe si akt sfidues i raporteve shteti-feja.

Ditëve tona, feja është një element jashtëzakonisht efektiv në politikë. Analistët flasin për një vizibilitet të ri të fesë në jetën politike, për angazhimin politik fetar. Një nga pyetjet që shtrohet sot është edhe kjo: “Cilat forma të fesë dhe të angazhimit politik janë të mundshme në shekullin 21? Cili është dallimi mes politikës fetare dhe asaj shekullare?

Sipas Gümüşay “feja luan një rol vendimtar për shumë prijës dhe organizata, ndonëse mbetet tabu në kërkimet dhe praktikën e lidershipit. Sikurse lidershipi, është e thellë personalisht dhe shoqërisht.” Feja është një shpatë me dy tehe që mund të shkaktojë si dëmtim ashtu edhe mirë tek prijësit dhe përtej. Nëse kapërcehen keqkuptimet dhe përvetësohen mundësitë, “mund të jetë spirancë dhe kompas për individët, organizatat dhe shoqëritë në një botë të ndërlikuar.”

Çështja e lidershipit dhe fesë, e mënyrës se si feja i jep formë politikës, është temë e trajtuar nga libri i Nick Spencerit anëtar i “Theos”, think tank britanik i teologjisë publike. Bëhet fjalë për veprën The Mighty and the Almighty: How political leaders do God, që shqyrton 24 lidër botërorë– nga Thatcher dhe Reagan, deri te Mandela dhe Clinton, Blair, Gordon Brown, George W. Bush, Bill Clinton, Goodluck Jonathan, Sarkozy, May, Ellen Johnson Sirleaf dhe Trump dhe pyet se çfarë besimi kanë ata dhe çfarë ndryshimi ka shkaktuar besimi fetar i tyre. Deklarata publike të besimit fetar në politikën amerikane nuk janë vetëm të pranuara, por edhe politikisht të domosdoshme në drejtim të arritjes së mbështetjes politike nga një elektorat që mbetet gjerësisht konfesional në karakter. De Waal (2012) e vlerëson relacionin aktual mes politikës he fesë në Afrikën Jugore si ndryshim në kursin e politikës. Jacob Zuma, president i Afrikës Jugore që nga zgjedhjet e vitit 2009 (6 maj) e ka shfrytëzuar vazhdimisht fenë për qëllime politike: në një tubim politik ai ka premtuar një vend në parajsë për votuesit e Kongresit Nacional Afrikan  (African National Congress), duke shtuar se partia e tij do të qeverisë derisa të kthehet sërish Jezusi. Rishfaqja e fesë nën Zuma-n mendohet si ringjallje e fundamentalizmit djathtist.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button