Lojtarët e Barcelonës e shpëtuan Valverden

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, është kritikuar shumë pas paraqitjeve të fundit jobindëse të skuadrës katalonase, mirëpo futbollistët e kanë bërë të qartë se ata e përkrahin trajnerin e tyre.

Kapiteni dhe ylli i skuadrës, Lionel Messi, dhe bashkëlojtarët e tij garantuan për Ernesto Valverden, në mënyrë që ish-trajneri i Athletic Bilbaos të qëndrojë në Barcelonë të paktën deri në fund të sezonit, shkruan Marca, transmeton Gazeta Express.

Disfata me rezultat 3:1 në La Liga kundër Levantes të shtunën e kaluar u ndoq nga barazimi pa gola me Slavia Prague në Camp Nou në Ligën e Kampionëve, që i shtyu tifozët e Barcelonës ta fishkëllejnë skuadrën e tyre.

Barcelona radhitet në pozitën e kreut të La Ligës pas 11 ndeshjeve të zhvilluara, mirëpo paraqitjet dhe rezultatet e këtij sezoni kanë bërë që mbi Valverden të shtohet presioni. Ai dukej se ishte afër shkarkimit edhe në fund të sezonit të kaluar, mirëpo e pati përkrahjen e lojtarëve edhe atëherë.

Valverde ka arritur ta ndërtojë një raport shumë të mirë me yjet e Barcelonës dhe argjentinasi Messi e mbështeti trajnerin e tij publikisht, pas disfatës kundër Valencias në finalen e Kupës së Mbretit të sezonit të kaluar.

Luis Suarez, Sergio Busquets dhe Gerard Pique gjithashtu kanë treguar mbështetje për trajnerin e tyre, edhe pse ndeshjet e radhës, përfshirë këtu derbin kundër Real Madridit më 18 dhjetor, do të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.

Për momentin, klubi nuk ka bërë ende asnjë lëvizje në tregun për trajnerë, mirëpo e kaluara e Ronald Koemanit me katalonasit ka bërë që ai të konsiderohet favoriti për ta zëvendësuar Valverden, nëse ky i fundit shkarkohet.

Ndërkohë, El Chiringuito de Jugones ka raportuar se trajneri i River Plate, Marcelo Gallardo, mund të jetë gjithashtu kandidat për postin e trajnerit të Barcelonës, por katalonasit s’do ta bëjnë ndonjë ofertë zyrtare për të para finales së Copa Libertadores kundër Flamengos.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button