​Mustafa tregoi se a kanë diskutuar postin e presidentit në takimet me LVV-në

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, kreu i kësaj partie tha se janë disa pika për të cilat nuk ka pajtueshmëri të plotë me Lëvizjen Vetëvendosje, transmeton TopChannel.

Në bisedimet që kanë me këtë parti për harmonizim të programit për një koalicion të mundshme qeverisës, Isa Mustafa tha se kanë diskutuar se cilës parti i takon propozimi për postin e presidentit, megjithatë nuk është në agjendë aktuale. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës para mediave, tha se kryesia ka vlerësuar që grupi punues ka bërë një punë të mirë, por ai ka deklaruar se janë disa çështje të ekonomisë dhe për çështjet sociale, për të cilat nuk kanë arritur pajtueshmëri të plotë me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ka disa pika që nuk kemi gjetur pajtueshmëri me VV-në.Ishte një pajtueshmëri e përgjithshme e kryesisë që ekipi ynë të vazhdojë edhe më tutje në harmonizimin e çështjeve të cilat janë të përafruara por të cilat kanë mbetur akoma krejtësisht të pa harmonizuara dhe po ashtu të zgjidhen çështjen e atyre pikave tek të cilat nuk kemi gjetur ndonjë pajtueshmëri që pajtohet të shtyhen më vonë ose të gjendet pajtueshmëri, ose të mos jenë pjesë e prioriteteve në qeverisjen tonë të ardhshme, sepse nuk kemi nevojë të merremi me çështje të cilat nuk pajtohemi që janë shumë të pakta, por kemi nevojë të merremi me çështje të cilat pajtohemi…Janë disa çështje të ekonomisë që kanë të bëjnë me çështjen e shfrytëzimit të mjeteve nga privatizimi dhe mjeteve të tjera, janë çështje që ka përafrim të çështjes së tatimeve për çështjen e taksave se si do të trajtohen ato në formë që të ruhet fuqia buxhetore, por po ashtu të kemi kujdes në mos ngarkimin e ekonomisë edhe të qytetarëve me tatimet dhe taksat e tjera”, tha Mustafa.

Ai tha se dallime ka në çështjet sociale, që kanë të bëjnë me konceptin e ekonomisë së tregut. Sa i përket mandatarit të qeverisë, ai tha se parimisht janë shprehur që do ta pranojnë që kryeministrin ta ketë partia që del e para dhe i përmbahen kësaj. Kurse, sa i përket ndarjes së ministrive, tha se do ta diskutojnë me partinë që pritet të ketë koalicion të mundshëm qeverisës. Sa i përket çështjes së taksës, ai deklaroi se partia me të cilën po synojnë koalicion, janë për reciprocitetin, dhe për dialog pa kushte.

“ Ne nuk kemi pse të ndjehemi keq, ose të jemi të tensionuar edhe për këtë edhe për çështje të dialogut. Ne parimisht kemi thënë se e përkrahim dialogun, sepse dialogu është e vetmja mënyrë që të zgjidhen çështjet që kanë mbetur me Serbinë. Për çfarë e kemi përkrahjen edhe të komuniteteve ndërkombëtare, qoftë të ShBA-së ose të Bashkimit Evropian. Mirëpo, përgjegjësia për dialogun në të ardhmen do të mbetet në Qeverinë e Kosovës, në kryeministrin dhe në kabinetin qeveritar. Ne do ta inkurajojmë qeverinë e ardhshme që ta qojë dialogun përpara, sepse konsideroj që ka vullnet dhe ne kemi interesim që ta bëjmë këtë. Dhe nuk pres që të kemi ndonjë kundërshtim nga LVV në këtë aspekt. Modalitetet pastaj do të përcaktohen rrugës”, ka shtuar kreu i LDK-së.

Krahas kësaj, ai tha se në diskutimet aktuale me LVV-në do të dakordohen se kujt i takon të propozojë kandidatin për president, por i njëjti nuk do të propozohet tash por kur të vjen koha.

“ Unë po shoh që po bëhet zhurmë në media për punën e presidentit, nuk e kemi rend dite çështjen e zgjedhjes së presidentit, ne e kemi rend dite çështjen zgjedhjen e qeverisë edhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në po ashtu konsiderojmë se të gjitha çështjet që do të dalin gjatë kësaj periudhe katër vjeçare në zgjedhje në kuvend dhe qeveri duhet të diskutohen mes partnerëve, dhe sigurisht diskutohet edhe çështja e presidentit. Por, në asnjë rast publikisht nuk jam shprehur e as nuk kam kërkuar të jem president i Kosovës, tjerët kanë filluar ta bëjnë këtë punë temë. Sepse për këtë do të vendos partia që i takon ajo ta propozoj presidentin e ardhshëm Kosovës. Ai propozim nuk do të bëhet tani do të bëhet në momentin kur shpallen zgjedhjet për president”, u shpreh ai.

Në konferencë, kreu i LDK-së foli edhe për zgjedhjen deputet të ish spiunit të BIA-së serbe nga Lista Serbe, Branislav Nikoliq. Mustafa: Me vullnetin tonë punëtori i BIA-së nuk do të ishte deputet.

“Ne me keqardhje e kemi marrë këtë informatë që dikush që konsiderohet se ka qenë punëtor i BIA-s serbe të vij të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, por nuk është në fuqinë ose në vullnetin e LDK-së, me qenë në vullnetin tonë kjo nuk do të kishte ndodhë, mirëpo ligji dhe kushtetuta duhet të veprojë ashtu siç vepron ligji ashtu do të veprojmë edhe ne”, ka thënë Mustafa.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur edhe për termocentralin “Kosova e Re”, ku tha se do të jetë edhe kjo temë të cilën do ta bisedojnë me Kurtin. Sipas tij, qëndrimi i LDK-së është që nuk do të ishte e mirë që Kosova të lëshojë garanton për ndërtimin e këtij termocentrali sepse do të konsumohet i gjithë borxhi publik i cili nevojitet për zhvillim ekonomik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button