Xhaferi: Nuk mund të konvokohet Parlamenti i shpërbërë

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi e ka përjashtuar mundësinë për konvokimin e sërishëm të Parlamentit, për shkak të ratifikimit të Protokollit për NATO, pasi që ai do të shpërbëhet më 11 shkurt, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për 12 prill, përcjell Portalb.mk.

Xhaferi, në intervistë për Radio Televizionin e Maqedonisë, tha se nuk mund të konvokohet një Parlament i shpërbërë, dhe nëse zhvillohet në kundërshtim me atë çka është shkruar, siç tha ai, ekziston rreziku që ajo të refuzohet nga Gjykata Kushtetuese, nëse dikush ngre iniciativë.

Mes tjerash ai tha se ka njohuri se Franca, procedurën e ratifikimit duhet të përmbyll gjatë këtij muaji.

“Kur do të jep mundësi Kushtetuta dhe Ligji për Parlamentin të funksionojë si teknike, gjithsesi do të mund të zbatohet. Kushtetuta dhe ligji nuk parashohin Parlament teknik. Me shpërbërjen e deputetëve dhe Parlamentit, vendoset që mandati t’ju kthehet qytetarëve dhe të dilet në zgjedhje për të kërkuar mandat të ri. Nga vendimi për shpërbërje, Parlamenti më nuk ka mandat. Situatat kur mund të konvokohet, në nevoja urgjente i parasheh Kushtetuta dhe ajo parasheh kompetenca adekuate në situata të tilla të presidentit të shtetit. Por, saktësisht dihet se në cilat kushte dhe parakushte. Pra, në raste të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, ligjvënësi dhe kushtetuta kanë parapara situatë të tilla”, thotë Xhaferi.

Përndryshe, caktimi i 11 shkurtit si datë për shpërbërjen e Kuvendit, paraprakisht ka nxjerrë në pah moskordinimin e kryeministrit Zoran Zaev dhe Xhaferit, ngaqë Zaevi ka deklaruar se nëse ratifikimi i Protokollit të anëtarësimit të RMV-së në NATO nuk do të arrihet para 11 shkurt, ka mundësi të thirret sërish Kuvend. Zaev gjithashtu ka deklaruar se ai ka kërkuar që shpërbërja të ndodh më 26 shkurt, që Kuvendi të jetë funksional për ta ratifikuar Protokollin për anëtarësimin e RMV-së në NATO.

Nga ana tjetër, pritshmëritë ishin që RMV-ja anëtare e 30 e NATO-s do të bëhet në Samitin e NATO-s që pritet të mbahet në muajin dhjetor 2019, por edhe kjo u pamundësua me shkuarjen e Spanjës në zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të mbahen në nëntor të 2019-s. Zaev ka shprehur bindjen se deri në dhjetor Spanja do ta ratifikojë Protokollin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button