Parlamenti i RMV-së nën mesataren e rajonit për nivelin e hapjes për qytetarët, për shkak të deputetëve

Niveli i hapjes së Parlamentit të Maqedonisë së Veriut ndaj qytetarëve është nën mesataren rajonale, tregon analiza e organizatës “Metamorfozis” të realizuar në kuadër të projektit “Action SEE”. Në sondazh, Parlamenti ka marrë indeks të nivelit të hapjes prej 63% në bazë të katër parimeve: transparenca, mundësia e qasjes, integriteti dhe efikasiteti. Analiza thekson se elementët kryesorë që duhet t’i përmirësojë Parlamenti i Maqedonisë, por edhe të gjitha parlamentet në rajon, janë planifikimi strategjik, zbatimi i Kodit të Etikës për deputetët dhe, veçanërisht, mbikëqyrja e vërtetë parlamentare. Shërbimi i Parlamentit, Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Instituti Parlamentar sqarojnë se ata janë duke punuar në mënyrë aktive për të rritur nivelin e hapjes, por disa nga vërejtjet në analizë janë rezultat i vendimeve politike, apo jo miratimi i tyre, nga deputetët, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kjo theksohet edhe në analizë.

“Duket se përkundër disa iniciativave të Parlamentit për t’u angazhuar në përmirësimin e transparencës, funksionalitetit dhe besueshmërisë së institucionit, konteksti i vazhdueshëm shoqëror dhe krizat politike kanë ndikim në këto procese, siç janë, për shembull, ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit, sepse nuk mund të arrihet konsensus midis partive parlamentare”, kanë përfunduar analistët.

Parlamenti është institucioni i dytë në Maqedoni sipas nivelit të hapjes, pas Qeverisë, i cila përmbush 78% të indikatorëve të saj të nivelit të hapjes.

“Niveli i hapesë së Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut është përmirësuar pak në krahasim me vitin 2018, përkatësisht plotëson 63% të indikatorëve të nivelit të hapjes, që është 5% më shumë se 2018 dhe 6% më shumë se 2017”, thuhet në analizë, në të cilën miratim i Kodit etik për sjelljen e deputetëve përmendet si “pothuajse i vetmi indikator i transparencës aktive që ka lëvizur nivelin e hapjes aktive të Parlamentit në tre vitet e fundit”.

Si praktika të mira të nivelit të hapjes analiza nxjerr në pah publikimin e rregullt të kalendarit të seancave, si dhe agjendën për punë, video dhe stenogramet e seancave plenare, praninë dhe mënyrën e votimit të deputetëve në seanca plenare, kontakte dhe biografitë e deputetëve.

Ndër vërejtjet është mos publikimi i pagave të deputetëve dhe mjeteve financiare që ata i kanë kërkuar si kompensim për udhëtim.

Nga Shërbimi i Parlamentit shpjegojnë  se pasqyra e shpenzimeve të deputetëve tani mund të merret përmes një kërkese për qasje në informacione me karakter publik.

Për shkak të mundësisë që ekspertë dhe përfaqësuesve të OShC-ve të marrin pjesë në seancat e trupave punuese, Parlamenti për të tretin vit me radhë plotëson 61% të indikatorëve për proceset e konsultimit publik gjatë miratimit të ligjeve dhe politikave të tjera. Por dobësi është se nuk ekzistojnë garanca për pjesëmarrje të publikut në këto procese.

Në analizë rekomandohet  “Mbetet edhe më tutje vërejtja se Parlamenti duhet të përmirësojë nivelin e hapjes së trupave punuese (komisionet), duke e publikuar pjesëmarrjen e deputetëve në seanca, stenogramet dhe video incizimet, si dhe si kanë votuar deputetët në trupat punuese” në analizë.

– Përfshirja e ekspertëve të jashtëm, ose të pavarur në punën e trupave punuese, komisioneve, është e mundur, por deri më tani ka qenë gjithmonë objekt përplasjesh ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe opozitës. Njëra palë gjithmonë e ka kontestuar besueshmërinë e personave të jashtëm të propozuar nga pala tjetër – thonë në Shërbimin e Parlamentit.

Në analizë theksohet se vetë Parlamenti ka paraparë masa për të përmirësuar procesin këshillimor deri në vitin 2021: pjesëmarrje deri në 30% të ekspertëve dhe pjesëmarrje deri në 70% të qytetarëve dhe OShC-ve në trupat punuese, akt për rregullim dhe plan për dëgjime mbikëqyrëse.

Në tre vitet e kaluara, theksojnë analistët, është zvogëluar numri i ligjeve që miratohen me procedurë të shkurtuar, ndërsa vitin e kaluar, që është e pazakontë, deputetët kanë propozuar pothuajse gjysmën e ligjeve të miratuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button