Nën akuza ndaj ndërkombëtareve, Veseli tregoi se do të udhëtojë drejt Hagës

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka njoftuar se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Veseli në konferencën për media, tha se më 4 dhjetor do të udhëtojë për në Hagë.

“Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara, për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë. Ashtu siç jam zotuar, se në momentin që do ta kisha një ftesë të tillë, unë do ta bëja publike. Gjenerata ime, si shumë gjenerata të tjera, ka përjetuar shtypjen e rëndë të kombit tonë. Ne nuk jemi pajtuar me atë gjendje, dhe unë jam krenar që i jam përgjigjur thirrjes së vendit për lirinë e kombit”, ka thënë Veseli.

Veseli, thotë se gjithë jetën ka qenë i angazhuar “për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam bërë tërësisht në baza vullnetare dhe me përkushtimin më të lartë”.

Kujtojmë se Veseli gjatë luftës ishte njohur me nofkën “Luli” e pas luftës qëndroi nën hijen e të qenit Shef i Shërbimit Informativ të Kosovës.

Në fillim-gushtin e 2015-s, Kadri Veseli i kishte thënë po krijimit të një gjykate speciale që do të merrej me hetimin e një raporti të Këshillit të Evropës për krime të pretenduara se i kreu UÇK-ja gjatë luftës.

Por, ditën kur morri ftesë nga kjo gjykatë, Veseli duket të jetë penduar për mbështetjen që ia dha formimit të këtij institucioni, raporton KTV.

Veseli, në një konferencë të thirrur në hollin e Kuvendit, në orët e pasdites të së enjtes, bëri të ditur se është ftuar nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar.

Dikur ish-shefi i SHIK-ut dhe njëri nga themeluesit e UÇK-së, Veseli akuzoi misionet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Gjykatën në Hagë për sulmet, siç tha ai, që ia bënë luftës së pastër të UÇK-së.

Veseli nuk ka dashur të përgjigjet në asnjë pyetje të gazetarëve, përfshirë edhe kur u pyet për cilësinë në të cilën është ftuar, vetëm tha se për në Hagë do të udhëtojë më 4 dhjetor, ditë e mërkurë.

Ftesa për t’u intervistuar nga Dhomat e Specializuara, për Veselin, vjen vetëm disa muaj pasi për marrje në pyetje u ftua edhe ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Si shkak i kësaj ftese, Haradinaj, në korrik të këtij viti dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Dhomat e Specializuara, deri më tani, për intervistim kanë ftuar rreth 100 persona, në mesin e tyre figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare, që pas luftës u bënë pjesë e skenës politike të Kosovës.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button