Shkup: Qeveria me premtime në prag të zgjedhjeve, opozita i konsideron fushatë

Menjëherë pas njoftimit të partive se është arritur marrëveshje për zgjedhje të parakohshme më 12 prill, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë nisma ekonomike, të cilat sipas ekspertëve më tepër vlerësohen si populiste sesa si reforma, të cilat madje nuk janë paraparë edhe në programin e saj të punës.

Bëhet fjalë për pezullimin e tatimit progresiv, pastaj vendimin për rritjen e pagës minimale, subvencione të ndryshme në bujqësi, blerjen e aparateve për amvisëri me arsyetimin për mbrojtje nga ndotja, rritjen e pagave të institucioneve të ndryshme, lehtësira për kompanitë private që rrisin pagat e punonjësve të tyre, e masa tjera, transmeton REL.

Reagime të shumta ka pasur në veçanti për pezullimin e tatimit progresiv, një masë kjo që aplikohet në ato vende ku në pushtet janë partitë e majta, e që ka të bëjë me tatime më të larta për personat fizikë që kanë të ardhura më të larta mbi një shumë të caktuar.

“Bëhet fjalë për një populizëm klasik parazgjedhor me të cilin partia në pushtet përpiqet të mashtrojë sa më shumë votues ose interesa të veçanta. Me siguri se pezullimi i masës nuk bazohet në analizën e zbatimit, pasi gjashtë muaj është një periudhë e shkurtër kohore për të analizuar efektet e aplikimit të një politike të tillë”, thotë Sasho Klekovski, njohës i çështjeve politike.

Ekspertët thonë se ky vendim nuk mund të konsiderohet si konfuzion ideologjik pasi sipas tyre partitë në Maqedoninë e Veriut nuk kanë ideologji.

Ish guvernatori i bankës popullore dhe ekspert i ekonomisë, Petar Goshev, thotë se ky vendim është rezultat i “lobimit të një rrethi të vogël njerëzish të pasur”.

“Ky nuk është një vendim i marrë nga autoritetet e LSDM-së, por nga një rreth i ngushtë njerëzish, kjo masë është rezultat i lobimit të rrethit më të ngushtë të njerëzve të pasur që nuk kanë asnjë ndjenjë me numrin e madh të njerëzve të varfër në vend..Kjo mënyrë e vendimmarrjes tregon se vendimet merren jashtë sistemit dhe më pas vihen në shërbim të kukullave që aktrojnë teatër në institucione, pa integritet”, thotë Goshev.

Një rritje kishte në shtator ndërkohë që Sindikatat e Arsimit kërkojnë dhe një rritje shtesë, kërkesë që po shqyrtohet nga Ministria e Arsimit.

“Dëshirojmë të përmirësojmë statusin social dhe material të të punësuarve në sektorin e arsimit. Jemi në rrugë të mbarë për arritjen e një marrëveshjeje e cila ka të bëjë me rritjen historike të pagave në sektorin e arsimit”, ka deklaruar ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Ndërkohë, me propozim të qeverisë, paga minimale do të rritjet në 14.500 denarë apo 235 euro dhe me këtë rritje ajo synon të rrisë edhe pagën mesatare në vend, e cila sillen në rreth 400 euro.

Por, ekspertët tërheqin vërejtjen për kujdes gjatë miratimit të vendimeve të tilla, për shkak të siç thonë moszbatimit të kësaj mase në praktikë.

“Duhet të ketë një analizë plotësuese se sa duhet të jetë rritja e pagës minimale pasi ka presione e kritika të shumë nëpër rajone të ndryshme të vendit, në veçanti nga sektori privat ku paga është shumë e ulët. Shtrohet pyetja se ato do të zbatojnë këtë masë pasi apo mund të ketë keqpërdorime kur dihet se në të kaluarën shumë ndërmarrje kanë detyruar punëtorët që pagat të cilat i kanë marrë me rritje në llogaritë e tyre, janë detyruar t’ja kthejnë në kesh pronarit”, thotë Borçe Treneski, profesor i ekonomisë.

Të gjithë këto masa nga opozita janë vlerësuar si populiste dhe përpjekje e qeverisë që në ketë mënyrë të blejë votat e qytetarëve për zgjedhjet e 12 prillit.

VMRO DPMNE-ja punën e qeverisë në sferën ekonomike e ka vlerësuar të dështuar, në veçanti pas pezullimit të taksës progresive. Kryeministri Zoran Zaev publikisht ka pranuar dështimin e kësaj mase, por ka thënë se qeveria e tij pranon gabimet për dallim nga ajo e mëparshmja e cila të gjitha gabimet sipas tij i propagandonte si fitore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button