Abuzimi me titullin për të fituar klikime është joprofesionalizëm

Burimi: KriThink

Ky është një rast i pastër i abuzimit me titullin gjatë publikimit të një lajmi. Titulli “të fton” për ta lexuar sepse “të premton” që do të japë informacione të rëndësishme për një temë që mund të kesh interesim por në realitet nuk e përmbush premtimin. Madje konteksti është komplet jashtë zgjedhjeve dhe s’ka të bëjë aspak me mënyrën se si Teuta Arifi e ka fituar pozitën e kryetares së Komunës së Tetovës.

Foto nga recensioni
Foto nga recensioni

Linku deri te artikulli origjinal: Teuta Arifi: Si i fitova dy herë zgjedhjet në komunën e Tetovës

Data dhe koha e publikimit: 30.10.2019, ora 16:42

Data e recensionit: 31.10.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Në shënimin e muajit të luftës kundër kancerit të gjirit, në një nga aktivitetet e organizuara, ka ndodhur që të jetë prezente në rolin e panelistëve edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Për opinionin është e njohur që Arifi disa vite më herët është përballur personalisht me këtë sëmundje dhe i është nënshtruar trajtimit. Gjatë asaj periudhë pjesërisht ishte tërhequr nga politika dhe më vonë, pas shërimit të plotë, u rikthye aktive në politikë. Në këtë event ajo tregon historinë e saj dhe autori i tekstit e citon:

“Unë kamë aritur që para dhjetë vjetësh, në fakt të bëj dy operacione duke qenë shtatzanë, pas atyre dy operacioneve të lind një fëmijë, pas asajë të shkojë në terapi ti humb flokët dhe ti gjejë përsëri, dhe pas asajë dy herë ti fitoj zgjedhjet në komunën e Tetovës, dhe pas asajë të merrem me hallet që nuk janë të thjeshta”, shkruan në tekstin që recensojmë, pa u vendosur askund thonjëza për t’u caktuar pjesa e citatit.

Në fakt, këto janë fjalët hyrëse të tekstit dhe vetëm nga kuptimi ose diku në fund të tekstit e kupton që bëhet fjalë për citat. Por, siç mund të shihet shumë qartë, Arifi nuk ka folur aspak për aspektin politik se si e ka fituar garën lokale në zgjedhje. Teksti nuk e ka strukturën e mirëfilltë të një lajmi.

Titulli, jashtë kontekstit

Shpejt kuptohet se titulli nuk ka lidhje me pjesën tjetër të tekstit dhe, edhe pse i premton lexuesit një sqarim mbi një temë tjetër, ai e nxjerrë atë komplet jashtë kontekstit. Si duket, autori ka vlerësuar se një titull i këtillë mund të zgjojë më shumë interesim dhe mund të tërheqë më shumë klikime, se sa një titull që do të sqaronte se Arifi ka folur nga pozita e një politikaneje për fitoren e saj në betejën me kancerin e gjirit dhe jo nga pozita e kryetares së komunës, për mekanizmat e fitimit të betejës politike në dy mandate.

Teknikat e manipulimit

Autori ka injoruar të dhënat bazë vetëm e vetëm për ta arritur qëllimin e tij dhe të tërheq vëmendjen por pa e merituar atë. Kjo e bën tekstin joprofesional. Parë objektivisht, autori do të duhet ta kishte përcjellë deklaratën e Arifit brenda kontekstit dhe ashtu ta kishte prezantuar që në titull. Ose, ky titull do të ishte i përshtatshëm vetëm nëse autori do të kishtë bërë një analizë ku do ta përfshinte edhe qëndrimin e Arifit, për mobilizimin dhe mënyrën se si i ka fituar dy mandatet si kryetare komune, pa përzier këtu luftën me kancerin e gjirit, sepse këto dy gjëra në lidhen aspak.

Për lexuesit

Një titull i këtillë do ta tërhiqte vëmendjen e secilit sepse është ndërtuar pikërisht për atë qëllim. Por kur në tekst nuk merr atë që të premtohet, duhet që ai artikull të pranohet me shumë rezerva dhe me sy kritik. Lexuesi duhet ta dijë se pa një strukturë të qartë me “brumin” kryesor në lajm, me burime dhe fakte, një lajm nuk është i plotë dhe nuk është profesional.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button