Mënyra si gazetari shkruan për dhunën në familje ka ndikim në rritjen ose uljen e numrit të rasteve

Burimi: KriThink

Çdo artikull i keq në lajme për dhunën në familje është një mundësi e humbur për të parandaluar më shumë raste të ngjashme ose edhe humbje të jetëve. Kjo nënkupton se kur raporton për dhunën në familje, gazetari nuk ka mbi supe vetëm misionin e informimit por edhe (më shumë) atë të edukimit. Në përgjithësi, mediat bëjnë pak për të kultivuar një kuptim më të mirfilltë mbi dhunën familjare.

Shkruan: Fatlume Dervishi

Raportimi i përgjegjshëm mund të përmirësojë mënyrën se si kjo formë e dhunës kuptohet, të ndihmojë të prekurit ose të afërmit e viktimave të dhunës për të kërkuar drejtësi, të inkurajojë viktimat të kërkojnë mbështetje, dhe të edukojë të tjerët në frymën e përgjegjësisë juridike që pason ndaj atyre që ushtrojnë dhunë mbi një ose disa persona të tjerë në familje. Gazetari për ta trajtuar problemin duhet vetë ta njohë atë. Edhe në këtë rast duhet të shikohet përtej stereotipeve. Ai duhet të pranojë se dhuna në familje nuk është kryekëput një fenomen që prek klasat e margjinalizuara në shoqëri (të varfërit, të paarsimuarit, romët, etj.) por që mund të prekë shtresat e ndryshme të shoqërisë.

Për t’u arritur kjo, gazetari ndërton raportimin e tij mbi disa shtylla;

  • Përgjegjësia / llogaridhënia

Gjatë raportimit për rastet e dhunës në familje duhet të shmangen arsyet që spekulohen të cilat shkojnë në favor të arsyetimit të dhunës ose vrasjes. Të mos përshkruhet ngjarja si diçka e momentit ose e rastësishme. Rasteve të këtilla zakonisht u paraprijnë sjellje zotëruese të autorit, ushtrim i kontrollit të skajshëm mbi viktimat, privimi nga të drejta të caktuara njerëzore dhe të ngjashme. Shpesh, dhuna nuk është aspak e rastësishme dhe spontane.

  • Saktësia

Të karakterizohet krimi si “dhunë në familje”, në vend të “tragjedisë” ose “tmerrit”. Lexuesi duhet t’i bëhet e qartë se ngjarja është një krim kurse viktimave të rasteve të ngjashme t’u bëhet me dije se ka forma për të kërkuar ndihmë institucionale. Me këtë rast, raportimi duhet të përfshijë edhe informacione për mundësitë e paraqitjes së dhunës te organet përgjegjëse për mbrojtjen e sigurisë së njerëzve.

  • “Dhuna”si krim

Të kontesktualizohet ngjarja me statistika dhe komente ekspertësh për dhunën ndaj grave (shembull, si kategori më e prekur), dhunën në familje dhe përgjegjësinë për krimet e këtilla.

  • Viktima

Të humanizohet storja duke identifikuar viktimën (nëse është e mundur). Njerëzit do të lidhen më shumë dhe do ta ndjenjë më shumë atë që ka ndodhur nëse viktima ka një emër dhe mbiemër, nëse e ka një histori, nëse ka një fëmijë, një hobi, etj.

  • Dhunuesi

Nëse është e nevojshme dhe relevante, të raportohet për dhunën e mëhershme të dhunuesit. Lajmet zakonisht raportojnë për dhunën në baza gjinore duke vendosur se kush e ka fajin dhe duke zhvlerësuar vuajtjen e viktimave. Ka raste edhe kur citohen familjarët e dhunuesit të cilët besojnë se dhunuesi ka qenë “njeri i mirë dhe i kujdesshëm”. Kjo, në sytë e lexuesit, automatikisht e shfajëson atë deri diku. Gazetarët, natyrisht, nuk duhet të censurojnë informatat për shkak se ata janë në favor të të akuzuarit. Në këto raste sugjerohet që gazetarët të jenë më të kujdesshëm në përdorimin e materialeve nga burimet e tyre, më shumë se sa në punën e tyre rutinë.

  • Dinjiteti

Të shmanget gjuha senzacionale dhe detajet e rënda që prekin dinjitetin e viktimës ose familjes. Kujdesin gjatë raportimeve të këtilla ua kemi borxh familjarëve të viktimave. Në rastet tragjike, zia mund të shtohet nga raportimi i pakujdesshëm i mediave.

  • Barazia dhe gjuha

Ngjarjet e këtilla nuk duhet të trajtohet si një ngjarje e zakonshme, si mbulohet një zhvillim politik, ose të ngjashme. Rastet e këtilla kanë lidhje të drejtpërdrejtë me jetën e njerëzve dhe sigurinë e tyre. Gjuha që përdoret duhet të jetë e ndjeshme.

  • Imazhet

Shmangni imazhet që përforcojnë mitin se bëhet fjalë vetëm për krim fizik. Dhuna është dhunë, është proces, është mënyrë jetese, është krim dhe si e tillë duhet të trajtohet.

Pa këto elemente, incidenti prezantohet si ngjarje e izoluar dhe e zakonshme. Në këtë rast përgjegjësia i mbetet individit dhe zgjidhja sistemit të drejtësisë. Kjo bën që pjesa tjetër e shoqërisë ta shohë si problem të dikujt tjetër.

Shembulli më poshtë tregon një rast të dhunës i cili ka përfunduar me një viktimë. Në artikullin e Alsat-m.tv me titull “Zvicër, shqiptari nga Maqedonia e Veriut vret ish gruan e tij” përveç se raportohet për ngjarjen, jepen detaje që lexuesin e mishërojnë me viktimën dhe tregojnë se rasti ka pasur një histori. Aty shkruan “I akuzuari, I.B., kishte rënë edhe më parë në konflikt me ligjin. Në shkurt të vitit 2018 ai ishte fajësuar për ushtrim dhune dhe kërcënim ndaj bashkëshortes. Atëherë ai ishte arrestuar dhe i ishte shqiptuar ndalesa e kontaktit dhe e qëndrimit në afërsi të banesës së gruas.”

Dhuna s’është rast i izoluar

Për shkak se raportimet moderne kërkojnë nga gazetarët të raportojnë vetëm storjet më të rëndësishme në formën më koncize të mundshme, ata nuk kanë hapësirë të zgjerojnë storjet e tyre mbi specifikat e incidentit. Shpesh ata e trajtojnë dhunën si një zhvillim të vetëm. Kjo, sipas studiuesve, ndikon që dhuna në familje të konceptohet më shumë si çështje private, individuale, se sa si një problem më i gjerë që kërkon përfshirjen e komunitetit. Ja disa raste të raportimit të dhunës në familje. Të dy tekstet kanë shumë pak të dhëna. Nuk ka prononcim të institucioneve mbi pistën e hetimit. Mungesa e detajeve e len lexuesin gjakftohtë ndaj fenomenit.

 “Mëngjesin e sotëm një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkupin, ku një person ka vrarë gruan e tij e pistoletë sinjalizuese. Ministria e Punëve të Brendshme njofton se se personi M.S. 43 vjeç ka shtënë një plumb në pjesën e kokës të bashkëshortes së tij Naxhije Sula 42 vjeçe nga lagja Çair e Shkupit, e cila ka vdekur në spitalin e qytetit. Policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.”, shkruan Albeu.com në artikullin me titull “Shkup, burri vret gruan me armë zjarri”.

I ngjashëm është edhe artikulli i Strugaekspres.com me titull “Krim i rëndë: Gruaja vret burrin me sopatë”.

Senzacionalizmi dhe vëmendja selektive e mediave

Një nga problemet më të mëdha për raportimet e këtilla është senzacionalizmi. Shpesh raportohet vetëm për rastet që cilësohen si incidente fatale, duke anashkaluar rastet e mundshme të abuzimit emocional / fizik, financiar, sulmit verbal, duke lënë të krijohet përshtypja se këto nuk janë (mjaftueshëm) dhunë. Rastet e dhunës që zakonisht raportohen në media janë ata që përfundojnë me vrasje dhe kështu ata dekurajojnë viktimat që të kërkojnë ndihmë. Raportimet e këtilla krijojnë përshtypje që secili që është viktimë e një lloji të dhunës, mund ta pësojë edhe më rëndë. Viktimat e dhunës e heshtin dhunën e ushtruar ndaj tyre me frikën se mos ta pësojnë njëjtë.

Përkundër kësaj, mediat duhet të publikojnë më shumë raste të ish viktimave të dhunës të cilët kanë marrë në dorë situatën, kanë kërkuar ndihmën e organeve të drejtësisë, të organizatave për mbrojtjen e viktimave të dhunës, ndihmën e të afërmive të tyre, etj. dhe ja kanë dalë të shpëtojnë nga dhunuesi. Kur për herë të fundit keni lexuar për rastin e një ish viktime të dhunës në familje i cili / e cila ka shpëtuar nga dhunuesi, ka lënë pas të kaluarën, ka ecur përpara në jetë duke arritur sukses dhe duke rindërtuar raporte të shëndetshme familjare? Jo që nuk ka raste të këtilla por ata nuk janë mjaftë sensacionale në syrin e mediave. Mesazhi i një raportimi të tillë nuk do t’i drejtohej vetëm viktimës së dhunës për ta nxitur atë të kërkojë shpëtim, por do t’i drejtohej çdo dhunuesi ose dhunuesi potencial me porosinë që dhuna dënohet dhe njerëzit kanë të drejtat e tyre të mbrojtura me ligj.

“Një çift bashkëshortor nga Prilepi dje është gjetur i vdekur. Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë themelore të Prilepit, bëhet fjalë për vrasje dhe vetëvrasje. Sipas fqinjëve, dy bashkëshortët kanë pasur jetë të qetë dhe kanë jetuar në harmoni. Supozohet se bashkëshortja kohën e fundit ka qenë e sëmurë nga skleroza”, shkruan Flaka.com.mk në artikullin me titull “Tronditet Maqedonia, gruaja vret burrin dhe pastaj vetveten”.

Përveç titullit senzacional, janë bërë supozime pa u ditur shkaqet e vërteta të ngjarjes.

Përfshirja e institucioneve

Të gjitha aspekteve të lartpërmendura u shtohet edhe një tjetër; interesimi dhe preokupimi i institucioneve me këtë fenomen.

Bëni krahasimin mes dy porosive; “Njerëzit duhet të kenë kujdes për sigurinë e tyre” dhe “secili ka të drejtë të jetojë jetën e tij i sigurtë”. Institucionet duhet të drejtohen nga motoja e dytë. Kur të gjithë kujdesen për sigurinë e tyre me aq sa munden, institucionet kompetente duhet të sigurojnë që secili të jetojë i sigurtë. Kështu fokusi zhvendoset nga përgjegjësia që bie mbi viktimat, te sjellja e personave përgjegjës për dhunën.

Viktimat inkurajohen nëse shohin se institucionet, funksionarë të lartë, persona të rëndësishëm preokupohen me këtë fenomen dhe punojnë për uljen e numrit të rasteve. Dhunuesit ose dhunuesit potencial dekurajohen kur u jepet mesazhi se viktimat e tyre nuk janë vetëm dhe ka sistem që i mbron.

“Numri i zmadhuar i viktimave të dhunës në familje, sipas ekspertëve, është rezultat i moszbatimit të masave për mbrojtjen e viktimave, i zgjidhjeve joadekuate juridike të rasteve, por edhe të vetëdijes së ngritur tek viktimat të paraqesin dhunën në familje”, transmeton Portalb në artikullin “Maqedoni, dhuna në familje mes ligjeve dhe ndërgjegjes”

Artikullin s’kemi si e përmbyllim më mirë, përveç se me konkluzionin i cili u dha që në fillim; mënyra se si gazetari shkruan për dhunën në familje ka ndikim në rritjen ose uljen e numrit të rasteve.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button