Zaevi dhe Micotakis do të takohen në Selanik

Kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kirjakos Micotakis dhe Zoran Zaev, do të kenë takim bilateral në kuadër të “Thessaloniki Summit 209”, i cili do të mbahet më 14 dhe 15 nëntor të  vitit 2019-të në Selanik, njofton Portalb.mk.

Takimin zyrtar e kanë njoftuar nga kabineti i kryeministrit grek, ndërkaq përveç takimit me Zaevin, Micotakis do të takohet edhe me kolegun bullgar, Bojko Borisov.

Ky do të jetë takimi i dytë i kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, pasi që të parin e realizuan në Njojork, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të OKB-së.

Gjatë takimit Zaev ka potencuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është maksimalisht e fokusuar në qasjen konstruktive të ndërtimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve, bazuar në miqësi dhe interes të përbashkët për prosperitetin e rajonit dhe qytetarëve të të dyja vendeve, duke shtuar se Qeveria është e gatshme për zbatim të tërësishëm të Planit për intensifikim dhe pasurim të bashkëpunimit mes dy shteteve siç e parasheh Marrëveshja e Prespës.

Sipas mediave greke, Micotakis i ka thënë Zaevit se ai personalisht nuk do ta nënshkruante Marrëveshjen e Prespës, por ka shtuar se ratifikimi është pjesë e të drejtës ndërkombëtare dhe se Greqia duhet ta respektojë.

Gjatë takimit është konstatuar se përparimi i bashkëpunimit ekonomik si dhe shkëmbimi i investimeve direkte janë në interes të qytetarëve të të dyja vendeve. Micotakis gjatë kohës që ishte në opozitë ishte kundërshtar i fuqishëm i Marrëveshjes së Prespës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button