RMV, portali për shërbime elektronike edhe pse u premtua, ende s’është gati

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, premtoi që në fillim të tetorit do të vihet në përdorim portali i ri nacional për shërbime elektronike, megjithatë i njëjti ende s’është gati. Sipas paralajmërimeve, portali për shërbime elektronike do të jetë gati deri në fund të muajit, shkruan Portalb.mk.

“Portali për shërbime elektronike do të lëshohet në përdorim deri në fund të muajit nëntor. Do të jetë portal nacional elektronik, në të cilin do të futen të gjitha shërbimet elektronike që ekzistojnë në shtet dhe një pjesë e tyre që do të jepen në formë elektronike”, thonë për Portalb.mk, nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Përpara një muaji, në një deklaratë për “360 Shkallë”, ministri Mançevski, deklaroi se portali do të lëshohet në përdorim prej më 15 nëntor.

“Më 15 nëntor do ta lëshojmë në përdorim portalin e ri nacional për shërbime elektronike. Deri më tani kemi qenë në fazën e instalimit të hardverit, softuerit, janë marrë të dhëna nga bazat tjera, janë konsoliduar, do të thotë se gjithçka është mbaruar. Tani do të ofrojmë 50 shërbime, apo ato shërbime që qytetarët më së shpeshti i kërkojnë, nga Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë, Regjistri Qendror, MPB… dhe tani dokumenti i dhënë në formë elektronike te cilido institucion nuk do të mundet t’ua refuzojë dhe t’u kërkojë dokument në letër. Sipas ligjit, bëhet fjalë për dokument të nënshkruar dhe të vulosur, me “timestamp”, me të gjitha standardet ndërkombëtare”, thotë Mançevski.

Përndryshe, në RMV ka mbi 1300 shërbime. Në portalin elektronik për shërbime nuk do të jepen që nga fillimi të gjitha shërbimet në formë elektronike, por numri i tyre vazhdimisht do të rritet. Të gjitha shërbimet elektronike që do të jepen në të gjitha institucionet, në atë portal do të unifikohen dhe qytetarët do të munden t’i marrin në një vend. Portali u paralajmërua prej në mars të vitit 2019-të.

Si do të munden qytetarët ta aktivizojnë identifikimin e tyre elektronik?

Gjithçka që do të duhet të bëjnë është që vetëm njëherë të regjistrohen në sistem, atë do të munden ta bëjnë në dy mënyra: E para është që fizikisht ta vizitojnë ndonjë prej sporteleve të autorizuara, të cilat do të ekzistojnë në territorin e gjithë shtetit; e dyta është nëpërmjet rrugës elektronike, atë qytetarët do të munden vetë, pa pasur nevojë që fizikisht të shkojnë në ndonjë institucion.

Në atë moment, çdo qytetar do të mundet t’i marrë në mënyrë elektronike të gjitha dokumentet, të cilat do të jenë ligjërisht të vlefshmeDokumentet do t’i dërgohen në e-mail.

17 tetor është lëshuar në përdorim Regjistri Qendror elektronik i Popullatës, i cili mundëson grumbullim të të dhënave të qytetarëve, për shfrytëzim nga institucionet përkatëse. Kjo nuk nënkupton regjistrim të popullsisë, por ndihmon regjistrimin dhe pastrimin e Listës Zgjedhore.

Digjitalizimi i shërbimeve është më se i nevojshëm duke i parë parasysh edhe rezultatet e anketës “EuroMetër 2019”, të zbatuar nga “Aleanca qytetare për transparencë”, sipas të cilës qytetarët ankohen prej: shëtitjeve prej sportelit në sportel, mos-shërbim nga të punësuarit, jo-profesionalitet, sjellje jo e mirë e të punësuarve, vonesë në afate, ngadalësim, stërzgjatje e procedurave, kualitet i dobët i shërbimeve.

Sipas anketës, 30% e qytetarëve vlerësojnë se shërbimet që i ofron administrata publike janë të lehtë të qasshme, 22% e qytetarëve mendojnë se shërbimet janë të shpejta, dhe 24% prej tyre vlerësojnë se shërbimet janë kualitative.

Kjo do të thotë se dy e treta e qytetarëve vlerësojnë se nuk janë të kënaqur me punën e administratës publike.

LEXO MË SHUMË NË LIDHJE ME: REFORMAT NË ADMINISTRATË

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button