Petricek: Republika Çeke nuk e rishikon vendimin për njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Tomas Petricek, thotë se vendi i tij nuk po e rishikon vendimin për njohjen e Kosovës, ndonëse presidenti çek, Millosh Zeman, ka paralajmëruar se mund të ndodhë një gjë e tillë. 

“Jo. Qeveria çeke nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj. Ne e kemi njohur Kosovën në vitin 2008 si shtet të pavarur dhe përpiqemi të zhvillojmë marrëdhënie korrekte dhe pozitive me Kosovën. Ne i mbështesim të gjitha vendet në rajon për t’u bërë anëtare të BE-së, sepse është në interes të stabilitetit dhe sigurisë evropiane, por po ashtu është edhe mënyrë për zgjidhjen e shumë problemeve lokale, shumë tensioneve rajonale. Në të njëjtën kohë e mbështesim edhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, për të tejkaluar të kaluarën dhe për të shikuar se si mund të jetojnë së bashku në Evropën e bashkuar”, tha Petricek.

Radio Evropa e Lirë: Përveç mospajtimeve midis Qeverisë dhe presidentit çek për çështjen e Kosovës, mospajtime ka edhe brenda vetë Qeverisë. Ju nuk jeni pajtuar me ministrin e Brendshëm, Jan Hamacek, për të mbështetur ose jo përpjekjet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Interpol-it. Çfarë i nxit këto ndarje?

Tomas Petricek: Ne i mbështesim ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare. E kemi diskutuar me ministrin e Brendshëm dhe i kemi paraqitur argumentet në favor, sidomos kur bëhet fjalë për luftimin e krimit të organizuar. Ne besojmë se Interpol-i luan një rol të rëndësishëm. Ka qenë Kosova që në fund e ka tërhequr aplikimin për t’u bërë anëtare, por ne do të donim të punonim me autoritetet e Kosovës për të përmirësuar situatën, kur bëhet fjalë për krimin, luftimin e rrjeteve të organizuara të kriminelëve, sepse kjo është edhe në interes të sigurisë në rajonin tonë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button