BDI-ja “vetingun” do ta ketë në programin zgjedhor, LSDM-ja ende s’e ka shqyrtuar

Lidhja Socialdemokrate ende nuk e ka shqyrtuar propozim-ligjin e BDI-së për “veting” të funksionarëve, ndërkaq BDI-ja ende nuk e ka dorëzuar në Kuvend, pasi që nuk ka marrë përgjigje prej partive, por paralajmërojnë se të njëjtin do ta përfshijnë në programin zgjedhor, njofton Portalb.mk.

“Duke e pasur parasysh situatën, nuk e kemi shqyrtuar propozimin e BDI-së për veting. Prej tani e tutje do ta shohim, por megjithatë duhet të përsëris se ekzistojnë mekanizma dhe trupa të pavarur, të cilat munden në mënyrë të pavarur mund të vendosin për ndonjë paraqitje apo dyshim për funksionarët, siç janë Antikorrupsioni ose Prokuroria”, tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, deklaroi se partitë nuk kanë reflektuar për propozim-ligjin, ndërkaq paralajmëroi se kjo temë do të jetë një ndër 5 prioritetet e partisë së tij për programin zgjedhor.

“Jo nuk e kemi dërguar. Propozim-ligjin ua kemi dërguar partive politike, por prej të njëjtave nuk ka reflektim. Siç duket me këtë përbërje nuk do të mund të bëhet. Paralajmëroj se “vetingu” do të jetë një ndër 5 prioritetet e BDI-së në programin zgjedhor”, tha Grubi për Portalb.mk.

Siç kemi njoftuar paraprakisht, propozim-ligji u është dhënë grupeve parlamentare për shqyrtim, të cilat është dashur të vendosin për të njëjtin. Opozita shqiptare, gjegjësisht Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, kanë deklaruar se atyre nuk ua kanë dorëzuar, ndërkaq ajo maqedonase, apo VMRO-DPMNE, ka thënë se nuk ka kushte që të bëhet diçka e tillë.

Portalb.mk ka insistuar te BDI që ta japë propozim-ligjin që opinioni të njoftohet me përmbajtjen e të njëjtit, megjithatë nga BDI nuk e japin, me arsyetimin se ende është në draft version.

VETINGU është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i vetingut mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e vetingut.

Lexo gjithçka për reformat në gjyqësor, përfshirë edhe “vetingun”: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button