Shqipëri, këta janë propozimet e ekspertëve për reformën zgjedhore

Ora News zbardh draftin e ekspertëve të reformës zgjedhore, i cili do të diskutohet ditën e nesërmen në Komisionin e Reformës Zgjedhore. 

Në MEMO thuhet se amendamentet që paraqiten për diskutim kanë të bëjnë me reformimin tërësor të tri nivele të administrimit zgjedhor në Shqipëri, duke synuar të ndryshojnë përcaktimet ligjore aktuale dhe t’i japin zgjidhje të qëndrueshme një prej problematikave serioze të çdo zgjedhjeje në Shqipëri, të përgjithshme ose vendore.

“Vetëm transparenca, paanshmëria, dhe pavarësia ndaj manipulimeve politike, të shoqëruara me profesionalizmin e duhur  mund të sigurojnë administrimin e rregullt të proçesit elektoral, nga periudha para zgjedhore deri në fund të përpunimit të rezultateve” vlerësojnë ekspertët.

Ekspertët kërkojnë që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) të riformatohet si institucion me përgjegjësi të ndara, në kompetenca dhe autoritete ushtruese të tyre.

Propozohet që të ngrihet Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Sipas propozimeve, -Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) është organ monokratik që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët. Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 7-vjeçar, të përsëritshëm. Përzgjedhja e Komisionerit bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit.

-Komisioni Rregullator është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet. Komisioni Rregullator përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 5-vjeçar. Kandidati për anëtar i këtij Komisioni Rregullatorit duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret për të qenë komisioner. Kriteri i eksperiencës profesionale në drejtim zëvendësohet për kandidatin për anëtar të Rregullatorit me kriterin e eksperiencës profesionale në hartimin, shqyrtimin dhe miratimin e akteve ligjore.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve të subjekteve zgjedhore dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të Kodit Zgjedhor. Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve përbëhet nga 3 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 9-vjeçar. Përzgjedhja e anëtarit të KAS-it bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit.

Komisioneri, anëtarët e Komisionit Rregullator dhe anëtarët e KAS-it zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me jo më pak se tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Komisionerin, apo anëtarë të caktuar të Komisionit Rregullator ose të KAS-it, me shumicën e kërkuar të 3/5 të votave, atëherë administrata e Kuvendit hedh short midis të gjitha kandidaturave të paraqitura për votim Kuvendit për vendin përkatës.

MEMO specifikon se në dy nivelet e tjera të administratës zgjedhore amendamentet përcaktojnë se anëtarë të tyre mund të jenë vetëm zyrtarët zgjedhorë. Për të qënë zyrtar zgjedhor KQZ-ja zhvillon në mënyrë të rregullt programe trajnimi për shtetasit me të drejtë vote për kualifikimin e tyre në ushtrimin e detyrës si zyrtarë zgjedhorë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button