QEVERIA E TOROS

Eseisti dhe filozofi amerikan, Henri Dejvid Toro (Henry David Thoreau, 1817 – 1862), te sprova “Padëgjueshmëria qytetare“, thotë se “qeveria e mirë është ajo që qeveris më pak”, ndërkaq “qeveria më e mirë është ajo që nuk qeveris fare”.

Për një qeveri të këtillë, thotë Toro, duhet të jemi të përgatitur. Duhet përgjegjësi qytetare, ndjenjë për padëgjueshmëri qytetare dhe jo ndjenjë nënshtrimi ndaj autoriteteve politike.

Sipas qasjes së Toros, qytetarët e kanë qeverinë që e duan dhe janë përgjegjës për cilësinë e saj. Duke i shërbyer një qeverie me verbëri dhe me servilitet, i mundësojmë që të sillet me ne si me robërit e saj. Pranojmë të robërohemi prej atyre që i kemi zgjedhur.

Për gjithçka që ndodh në shoqëri fajtorë jemi ne që i fuqizojnë politikanët duke i përkrahur verbërisht. Fajtorë jemi ne që i mbështesim politikanët e kriminalizuar, qoftë nga frika, qoftë nga interesi. Fajtorë jemi ne që u thurim himne atyre për shkak të servilitetit. Fajtorë më të mëdhenj janë ata që thirren në merita intelektuale, kurse interesat e veta utilitare i paketojnë si interesa gjithëkombëtare.

Ata që duan t’i shpallin mëkatarë vetëm të tjerët, le t’i kujtojnë fjalët e Krishtit: Kush nuk ka bërë asnjë mëkat le ta hedh gurin i pari!

Për sa kohë nuk do të flasë gjeniu i ligjeve, i cili, siç thotë Toro, duhet t’i zgjidh çështjet e pazgjidhura të kohës, do të vazhdojmë të jetojmë në kohë të ngrirë, në kohë tranzicioni dhe do t’i përshtatemi sistemit ekzistues.

Tranzicioni në shumicën e shtettheve postkomuniste është shoqëruar me shkallë të lartë korrupsioni e krimi të organizuar; me gjyqësi dhe ekonomi të kontrolluar; me manipulim zgjedhjesh; me monopolizim dhe keqpërdorim të shtetit; me gjithëprani shtetërore; me cenim të lirive dhe të drejtave të njeriut; me zëvendësim të ideologjisë komuniste me atë nacionaliste; me shfaqje oligarkësh, që pronësuan pronën publike; me mungesë të procesit të dekomunizmit; me papunësi.

Për ta tejkaluar këtë fazë kalimtare duhej t’i njihnim plagët e shoqërisë dhe pastaj t’i shëronim. Na duhej një ideal dhe një vizion i ri. “Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin”, thotë Faik Konica.

Politikanët e shumicës së vendeve të rajonit kanë dalë nga e njëjta shkollë politike. Dhe kanë një hall: si ta fshehin pasurinë e paligjshme. Për këtë shkak bëjnë çmos që ta kontrollojnë sistemin gjyqësor, sepse ai që e kontrollon këtë sistem e shpëton pasurinë e pistë dhe shton kate të reja në ndërtesën e krimit. Diskurset patriotike i përdorin për ta shpërqendruar vëmendjen e njerëzve drejt një bote imagjinare. Ata që flasin shumë për lavditë e së kaluarës duan të na bindin se e zotërojnë të drejtën për të na nxirë të sotmen. Sa më shumë bëhen “patriotë”, aq më shumë vuan atdheu. Sa më shumë flasin për integrime, aq më shumë ndodh dezintegrimi moral, kulturor, shpirtëror.

Kjo gjendje nuk do të ndryshojë për sa kohë duam të jetojmë në kohë të ngrirë; për sa kohë mungon fryma kritike; për sa kohë mungon ndjenja për ndryshim; për sa kohë nuk duam qeveri sipas modelit të Toros, por një qeveri që i fut hundët kudo, pra një qeveri të gjithëpranishme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button