PATRIARKU

Përnjëherë u hoq mjegulla e dendur dhe në dritë doli një burrë i thatë e i gjatë.  Pastaj u dëgjua fishkëllima e trenit dhe u pa edhe vagoni i fundit duke u tretur në kthesë, prej të cilit zbritën. Burri i veshur me tesha lecka-lecka e kishte në krah të birin e vogël, nja një vjeç, ndoshta, kurse prapa tij, dy a tre hapa pas, i shkonte  gruaja  e veshur  me fustan  të traditës  e kokën të mbështjellë me shami. Burrë e grua ktheheshin nga prindët e gruas. Tash duhej ta bënin një copë udhë duke u ngjitur kodrës përpjetë, prapa të cilës e kishin shtëpinë. Gruaja ecte ngadalë e derdhur në mendime, me një bohçe në dorë, ndërsa burri fliste me djalin:

  • Biri i babës, kur të rrajtesh, baba do t’bjej niçin copa dhen. Do t’boj qehaj, t’jesh zot i vetvejtit. Jo si baba çi m’shkoj jeta si rrogtar te Dema e Shema.

Ndërkohë burri ecte më shpejt pa e shikuar gruan e tij prapa, e cila ishte lodhur. Më kot ajo e thërriste:

  • Ej be, a najn!… or taj, nalu pak se m’u zu frajma!

Burri nuk i dëgjoi thirrmat e saj të buta femrore. Nga jashtë dëgjohej vetëm ndonjë gjinkallë.  Herë pas here një erëz e lehtë i freskonte ngapak. Gruaja u lodh dhe u ul në një gur që u gjet aty pranë. Përsëri e thërriti butas të shoqin:

  • Or taj! A najn be! tha edhe një herë me atë zërin e saj të butë e të këndshëm.

Zakoni s’e lejonte që gruaja t’i drejtohej e ta thërriste burrin me emër, e as burri kurrë nuk ia shqiptonte emrin të shoqes. Ishte turp të përmendet emri i gruas. Po as gruaja nuk e përmendte asnjëherë emrin e të shoqit, sepse  menjëherë te njerëzit do të krijoheshin asociacione të ndryshme, më së shpeshti ato që lidhen me shtratin. Sa sataja do të plaste! Gruaj provoi sërish. Burri sërish s’e dëgjoi. Të shkretës grua i bubullonin në veshë  të rrahurat e zemrës dhe mendonte vetë me vete “ku e gjen ky njeri gjithë këtë forcë ky burrë e nuk ndalet të marrë frymë pak”.

Ajo s’e kishte parë kurrë më parë të shoqin të hutohej aq shumë pas djalit. E pa se ai e donte të birin, ndonëse as në terr kur mbuloheshin me çarçafë për të bërë dashuri, ai s’i kishte folur asgjë. Kurrë s’i kishte thënë: të dua, as shpirt. Ajo dashuri ishte sikur një detyrë shtëpie. Hiç më shumë. Kësaj radhe kur e pa burrin sa e donte të birin e ndjeu sikur i pëshpëriti erosi duke i thënë se “ai të do”.  E pa se të shoqin e kishte partner  dhe mik dhe u ngrit ta vazhdojë rrugën.  Ta ndjekë të shoqin. Asaj i shkëlqyen sytë nga  ajo fryma me të cilën i mbush të rinjtë erosi dhe vetvetiu tha:

  • “Biri i nanës, u knaçe me babën”!

Pastaj u ngrit dhe e shpejtoi hapin që t’i afrohet të shoqit.

Ndërkohë nga lartë, në kodrinë dha krye vëllai i burrit, më i madhi që ishte njëherësh edhe zot shtëpie. Kunati i saj, i cili ishte ligj e kanun në familje. Patriark. Ajo e pa. E pa edhe burri e pa të vëllanë. Dreq o punë! I vëllai do ta shihte me të birin në krah. E zezë dita! Turp i madh të të shohë vëllai i madh me fëmijë në krah. Burri tash kishte vetëm një dëshirë. Mos ta shohë i vëllai me fëmijë në krah, sepse ajo s’ishte punë për burra! Gruaja e shpejtoi hapin, burri e ngadalësoi. Por ishin mjaft larg njëri-tjetrit që gruaja ta merrte padiktueshëm djalin prej të shoqit. Ndërkaq patriarku ende ishte larg, por po afrohej. Burri atëherë nuk pa tjetër zgjidhje përveç se ta lëshojë të birin në tokë. Dhe e lëshoi. Fëmija qau, sepse u lëndua, sepse ndjeu dhembje. Gruaja arriti me shpejtësinë e gjeraqinës dhe e mori në krah.

Pastaj arriti patriarku. Ai vetëm e pyeti kunatën:

Pse qan ki caull be nause? Dhe, pa thënë fjalë tjetër vazhdoi rrugën kah stacioni i trenit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button