Këto janë 3 gjykatat më jo-transparente në Maqedoninë e Veriut (infografik)

Gjykata Themelore e Ohrit, Dibrës dhe Gjevgjelisë, janë gjykatat që më së paku i kanë plotësuar indikatorët për qasshmëri, ndërgjegjëshmëri, integritet dhe transparencë. Kështu tregon hulumtimi i ACTION SEE, i cili e ka matur nivelin e hapjes së institucioneve në vitet, 2016/17/18-të dhe në bazë të saj i ka caktuar indikatorët e lartpërmendur, njofton Portalb.mk.

Në vitin 2016-të, gjykata më e mbyllur, gjegjësisht më jo-transparente ka qenë ajo e Ohrit, e cila I ka plotësuar vetëm 24.78% të indikatorëve.

Në vitin 2017-të, Gjykata e Dibrës e ka ndjekur shembullin e Ohrit, gjegjësisht e njëjta I ka plotësuar vetëm 25.61% të indikatorëve.

Ndërkaq, në vitin 2018-të, vendin e parë për jo-transparencë e ka zënë Gjykata e Gjevgjelisë, e cila i ka plotësuar 31.82%.

ACTION SEE, të tretin vit me radhë rekomandon që urgjentisht të veprohet në përmirësimin e hapjes së institucioneve gjyqësore, ndërkaq pas arritjes së nivelit bazë të hapjes, sipas tyre, është e nevojshme që të rriten kërkesat në pajtueshmëri me standardet për hapje. Gjykatat e Maqedonisë së Veriut, rezultate të ngjashme kanë pasur edhe gjatë vitit 2016-të dhe 2017-të.

Përndryshe, reformat në gjyqësor, janë kushti kryesor i Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Gjyqësori në vend ka qenë dhe vazhdon të mbetet në shënjestër të kritikave si nga faktori i brendshëm, ashtu edhe nga ai ndërkombëtar për shkak të moszbatimit të reformave, gjegjësisht kurdisjes së lëndëve, anshmërisë, ndikimeve politike, standardeve të dyfishta, joefikasitetit dhe jo-transparencës. Qytetarët janë të zhgënjyer si rezultat i asaj që të gjithë funksionarët e ish pushtetit të kaluar që dyshoheshin për vepra të rënda kriminale, janë të lirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button