Gjykatat në Maqedoninë e Veriut të mbyllura për publikun, nuk i plotësojnë kushtet për transparencë (Infografik)

Tre vite me radhë gjykatat në Maqedoninë e Veriut tregojnë rezultate të dobëta në fushën e hapjes së institucioneve, gjegjësisht të njëjtat janë të mbyllura, ashtu sikur edhe gjykatat e shteteve të rajonit, tregon hulumtimi i projektit “ACTION SEE”, e cila e ka matur nivelin e hapjes së institucioneve për vitin 2018-të, njofton Portalb.mk.

“Niveli i hapjes së gjykatave në Maqedoninë e Veriut për vitin 2018-të është vetëm 43%. Edhe pse është pritur që portali elektronik gjyqësor i RMV-së, në vitin 2017-të të kontribuojë në rritjen e transparencës në gjykata, hulumtimi tregon dallime të mëdha mes gjykatave”, thuhet në vlerësimin e hulumtuesve të ACTION SEE.

Në lidhje me parimet e transparencës, qasjes, integritetit dhe efikasitetit, sipas të cilave është bërë hulumtimi, plotësimi i indikatorëve për integritet të gjykatave është në nivel më të ulët, gjegjësisht gjykatat i plotësojnë vetëm 35% të indikatorëve, pasi që në ueb-faqet e tyre nuk i publikojnë kodet etike. Plotësisht, vetëm tre gjykata prej ekzemplarit hulumtues janë përgjigjur pozitivisht në pyetjen nëse kanë zbatuar trajnime për standarde për parandalim të korrupsionit dhe konflikt të interesave.

Gjykatat ende nuk i publikojnë rrogat e gjykatësve dhe informatat për të punësuarit në gjykata.

Hulumtimi tregoi mungesë të madhe të përditësimit te një pjesë e gjykatave gjatë publikimit të aktgjykimeve.

“Gjykatat nuk publikojnë udhëzime për mënyrën se si mediat dhe opinioni mund të komunikojnë me autoritetet gjyqësore. Qasja deri te informatat që janë në ueb-faqe të gjykatave është vlerësuar vetëm 26%, pasi që gjykatat publikojnë link të veçantë dhe kontakt me personat për realizimin e të drejtës për qasje të lirë deri te informatat, por ata nuk i publikojnë informatat që janë përgjigjur”, thuhet në hulumtim.

Sipas tyre, gjykatat në Maqedoninë e Veriut i plotësojnë vetëm 41% të standardeve për efikasitet dhe të njëjtat duhet që të përmirësohen para se gjithash në pikëpamje të publikimit në kohë të raporteve për punën e gjykatave në ueb-faqe. Gjithashtu, edhe pse në Maqedoni ka sistem automatik për shpërndarje të lëndëve, megjithatë aplikimi i të njëjtit duhet që vazhdimisht të kontrollohet që të mënjanohen keqpërdorimet e sistemit, të cilët në raportin e veçantë u konstatuan në vitin 2017-të.

ACTION SEE, të tretin vit me radhë rekomandon që urgjentisht të veprohet në përmirësimin e hapjes së institucioneve gjyqësore, ndërkaq pas arritjes së nivelit bazë të hapjes, sipas tyre, është e nevojshme që të rriten kërkesat në pajtueshmëri me standardet për hapje. Gjykatat e Maqedonisë së Veriut, rezultate të ngjashme kanë pasur edhe gjatë vitit 2016-të dhe 2017-të.

Përndryshe, reformat në gjyqësor, janë kushti kryesor i Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Gjyqësori në vend ka qenë dhe vazhdon të mbetet në shënjestër të kritikave si nga faktori i brendshëm, ashtu edhe nga ai ndërkombëtar për shkak të moszbatimit të reformave, gjegjësisht kurdisjes së lëndëve, anshmërisë, ndikimeve politike, standardeve të dyfishta, joefikasitetit dhe jo-transparencës. Qytetarët janë të zhgënjyer si rezultat i asaj që të gjithë funksionarët e ish pushtetit të kaluar që dyshoheshin për vepra të rënda kriminale, janë të lirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button