Silueta e vetmisë së gurit

Asnjë gjurmë mos e fshij prej ballit

(Pjesa e dytë e të enjtes, dhjetor  `79)

Ai fliste qetë e qartë e herë e shikonte qiellin dhe herë tjetër gurin. Në të njëjtën rrjedhë  mua më ikte larg shikimi në kohë, mbi malet, fushat e krojet, mbi udhët, të cilat shpien te ngjarje të rënda e tronditëse, të përjetuar nga populli shqiptar, i varfër. Shikoj nga frëngjia i emocionuar. E ripërtypi rrëfimin e vëllait të Rr. Dedaj, për pemën e mbjellë para shtëpisë, e cila tashmë është zgjeruar, e ka prekur qiellin. Heshte më pastaj prapë e prapë pastaj fliste për qiellin e pemën, për ujin e bukën e dritën që i ndërlidh gjërat, për fijet e shpirtit, për poezinë. Seç më mori veten tërësisht poezia. “Asnjë gjurmë mos e fshij prej ballit – se vret kujtimet e atyre që prehen nën tokë…” Këtë gjë e apostrofon dhe kritiku R. Qosja, i cili Dedajn e vë në radhën e parë të krijuesve më të shquar të poezisë bashkëkohore shqipe.

Një poet pa të cilin asnjë antologji shqipe s`mund të hartohet.

Diçka më pëshpërit në vesh. Mes dritash, mes ngjyrash të ylberit dhe dhembjes, mes lëvizjes dhe fijesh të ngatërruar të mjegullës, mes kohës dhe legjendës, ajo psherëtimë bëhet lëvizje në kohë e hapësirë, ik e kthehet, bëhet vetëtimë. Në lëvizje të familjes aty aty, pikë drita, herë tjetër pikë errësira, ka rrëzime e ngritje të rënda. Pikë një pikë uji në ballë, pikë nga guri. E nis të rrjedh, të krijojë vadë,rrjedh, shtrihet  tokës, me pemët, me lugjet, brigjet. Familja bën përpjekje ta krijojë aty sipërfaqen e rrjedhës së tyre, udhëtimin e zgjimin në jetë. Ecin, vijnë lindjet, vdekjet. Vijnë vrasjet. Dënimet, udhëtimet, tunelet. Rrjedhat.

”Të njëjtës rrjedhë iku dhe familja Dedaj, zbriti nga fshati i vet Dedi e Shalës, – thotë i vëllai i poetit. – Të lidh jetëmbetjen në sipërfaqen e krijuar në afërsinë e ujit, të udhës e të dy qyteteve të vogla. Të krijojë qetësinë e bukën e  vet.

Familje e varfër, e shpërngulur nga guri në një tokë të pëlleshme për jetë më të mirë.

Aty më vonë poeti do ta mbjellë nj pemë.

Aty do ta shkruajë një poezi, do ta vizatojë një udhë, e ja,

Ndërruam folenë e vjetër, veç brenda relievit të njëjtë.

-Zbritëm nga malet në këtë tokë të pëlleshme, në fshatin Penuhë, -flet Maliqi,njëri nga vëllezërit e poetit Rrahman. – Qenë Gjyshi, gjyshja, fëmijët e tyre dhe nipat. Pesë djem. Ndonjë familje e ka të shkruar rrugën e pashkëputshme të vuajtjes, gjë, e cila na preku dhe ne, papritur. Pa i pasur hak askujt, as borxh. Në atë unazë të kohës, Serbia sillte nga mjediset e shkreta kolonë në Kosovë. Me kohë Gjyshi, më pastaj gjyshja,  ikën nga kjo botë. Ngelën fëmijët e tyre, pesë djem, në një shtëpi të vogël, me disa pëllëmbë tokë. Pa mjete për punë. Pa bagëti. Familja krijoji  aty afër dhe varret e veta. Gjithnjë të mbjellë e të korrë kaq sa ia bën hyzmetin tokës,kaq dhe e ke fitimin. Veç, me përpjekje të pandërprera t`i biem rreth e ta mundim varfërinë.

Iknin ditët, datat,ngjarjet e vogla.

-Ngjarjet ishin të mëdha, veç në pamundësi t`i zvogëlojmë, i emëronim valë të rëndomta të kohës. Vinin kolonë serbë pandërprerë nga Lika, nga malet e Bosnjes, të Malit të Zi… Shëtisnin, kërkonin ku do mund të krijonin hesapin e vet, aty të ngulin! E aty, ku e hapnin shuplakën e dorës, aty lidheshin me tokën e zgjedhur. Pa ndierë asgjë për ata që jetonin aty jetën e tyre të rëndë.

Papritur, me mëngjes, shkelën dhe në tokën e vogël, të Dedajve. Në yrtin rreth shtëpisë së vogël.

-Kjo tokë tashmë do të jetë e jona, – tha njëri që kollitej dhe pështynte para  hijeve që u rrinin para. Ai që kollitej  e pështynte, qe një trashaluq dhe përkrye lutje ta ndërronte mendimin e të mos nga linte pa asgjë, nuk lëshonte pe.

-Nesër vijmë me qerre, me plaçka, me orenditë dhe me mjetet për punë. Kjo tokë do zot, – tha në të ikur. Fliste e shkonte, kollitej e pështynte. – Ta kuptojë kush të dojë, kjo tokë e ka zot serbin!

-Pse, – i dolën para vendasit shqiptarë. – Ka tokë tjetër. Kjo është jona. E kemi blerë, duke mbetur tashmë kaq të varfër. Ende s`e kemi marrë veten. Pse e doni tokën tonë?Me çfarë do ta mbajmë shpirtin pa tokë, – i folën, me lutje, të hiqte dorë nga qëllimi i vet.

-Çfarë do të bëjmë ne, kaq të varfër?

-Vdisni! – iku ai, pa kthyer kokë nga asnjëri. –Lirisht mund të vdisni! Unë  kam hapë shuplakën mbi këtë tokë dhe asgjë nuk ka që e zhbën këtë gjë më!

Vëllezërit Dedaj e ndien thellë nga zë të futet brenda tyre hija e vdekjes. Ulën kokat dhe asnjëri nuk bëri zë për kohë të gjatë. Dreka e shtruar për ta te shtëpia e tyre e vogël mbeti e paprekur. Gratë që e shtruan bukën e mblodhën me shqetësim të papërshkruar. Toka lëvizi nga vendi i vet, qielli binte i thyer në copa mbi gjërat që i shikonin me zemër të thyer. Secili i shikonte udhët kaq të ndritshme deri në atë çast. Tashmë ato ndërruan pamje, dukeshin  kaq turbullt Udhët, që i lidhnin me Podjevën e herë tjetër me Prishtinën. Çdo gjë shkëputej  në të dalë nga toka e tyre, e digjej tërësisht. Flakë e pashuar, flakë e gjallë.

Ai, i cili hapi shuplakën e dorës mbi tokën e familjes Dedaj, i la të vogël e të madh pa drekë, i la dhe pa darkë, i la pa gjumë në sy deri thellë në natën e dendur nga errësira. Çdo natë dilte hëna, ky Trup qiellor që rrotullohet si satelit rreth Tokës,  Hëna e re , e vjetër, e plotë, e ngrënë, e  Zbehtë. Ndrinte çdo natë Drita e hënës, apo Disku i hënës e sonte ndodhte  Zënia e Hënës. Eklipsi i Hënës, ikte Natë pa hënë. Apo binte nata Me hënë poshtë, ishte hëna duke u zvogëluar, apo vinte  hëna  duke u rritur. E s` hetohej. Apo ata, të pestët, ishin  me hënëz jo të mirë, në gjendje shpirtërore të turbulluar. U ikin kokës shumë valë, shumë teka, kërkonin edhe të pamundurën. Qentë lehnin e hëna askund. Apo ishte e ata nuk e shihnin. Qentë lehnin në hënë, bënin zhurmë për diçka, e askush s’ua vinte veshin as s’ua kishte frikën. Secili ndihej shpirt me  hënëz , secili në gjendje shpirtërisht herë mirë e herë keq, pa pasur ndonjë arsye, ndonjë  bela të dukshme ende . Rrotulloheshin. S`u zinte vendi vend. Ktheheshin në krah të majtë. Kot. Ktheheshin në krah të djathtë. Kot. Asnjëri s`e kapte gjumin, ëndrrën. Asnjëri s`flinte Shiheshin me hënë të keqe, shiheshin me hënajashtë, me hënë pisk . E shikonin hënën , e vështronin,siç e bën ujku, i ndiqte sëmundja e tokës, të parë hënajashtë. Tashmë, as ndriste hëna, as ndrinin yjet, as ishte vetëm skëterrë.

Çfarë ndodhte?

Çfarë do të sillte mëngjesi?

-Zgjohuni, po të ketë fjetur ndonjëri, – ra zëri i njërit nga vëllezërit. – Ata kanë hyrë në tokën e shpirtit të secilit, ata i afrohen yrtit, ta marrin dhe shtëpinë, t`i marrin dhe gratë e fëmijët, ta djegin tokën, që e kemi paguar me gjak. – Iku vetëtimthi jashtë edhe e mori sëpatën e pretë e të madhe, e cila ruhej vetëm për t`i latuar lëndët.

Kolonët afroheshin, të qetë. Hynë në arën e gjatë dhe nisën të mihin oxhaqe, ta fusin në secilin oxhak nga një gjysmë patateje dhe ta mbyllin oxhakun. Ky, me sëpatë të pretë e të madhe nën dorë, hyri mes tyre. Kolonët do të stepen, prej nga e mori ky guximin t`u kundërvihej. Kush është ky? Shikonin me çudi çfarë ndodhte. Pa pikë frike… Nuk e ndërprenë punën në arën e vëllezërve Dedaj, të cilët me hapa të ashpër, dikush pa këmishë, tjetri  vetëm në pizhame, i treti pa jelek, i katërti pa opinga ecën ta arrinin  vëllain e mesëm e ta ndalnin në mësymjen e çmendur.

-Lere të bisedojmë me ta, – foli njëri i zverdhur në fytyrë.

– Dikush duhet t`i ndalë, patjetër, – pështyu ai me sëpatë nën dorë.

-Prit. Ka udhë tjetër. Kjo është e fundit.

-Ndaleni punën e dilni nga ara, menjëherë, – foli Maliqi ashpër.

-Nuk do ta lëmë të ik toka e gjakut pa gjak, – tha Nazifi. – Dëgjoni. Mos e merrni veten dhe ne në qafë. Ose lëreni punën ose do të bëhet gjaku deri në gju.

-Pse e zgjodhët këtë tokë, të cilën s`e japim pa vdekur të gjithë, – foli  vëllai më i vogël, ndërsa iu errësuan sytë, iu dridhen këmbët e duart. Shikoi lart mjegullat e rënda të mëngjesit nga rrotulloheshin sipërfaqes së turbullt të qiellit të përhirtë.

-Kjo është tokë imja.

– Jo. Tash është tokë serbi, – ngrehu kokën ai që kollitej e pështynte dhe eci nga ai me sëpatë të mprehtë e të madhe në dorë, e cila tashmë mori të ngrihej lart, lart e larg nga qielli e t`i binte në qafë kolonit. E mbuloi gjaku i vet dhe ra pa nxjerrë asnjë zë.

-Medet, – klithën kolonët dhe e lëshuan arën tek mihnin, iknin kah sytë këmbët.

-Ika dhe unë, – tha ai me sëpatë. -Do të shkoj t`ua shpjegoj në stacionin e xhandarmërisë çfarë ngjau dhe për çfarë ngjau?! – Eci, me sëpatë nën dorë, e spërkatjet e gjakut ia kishin prekur në shumë pjesë këmishën.

– E premë një kolon, – tha njëri ndërsa i afrohej viktimës, i cili përkrye lutjesh nuk hiqte dorë nga toka, mbi të cilën e kishte shtrirë shuplakë. Ai jepte shpirt.

-Pse tash s`e shtrin shuplakën  mbi tokën që deshe ta marrësh?!

-E huaja s` bëhet e jetoja!

-Tashmë lere të ha  tokë.

Ecën të katër hijet dhe dridheshin mbi hijet e tyre. Të çartur në fytyrë e me gjak të ngrirë iu afruan. E shikonin nga jepte shpirt dhe gërhiste në kollitjen e  fundit. Fryma që binte mbi gjakun ngrehte flluska të kuqe. Flutura të kuqërremta, tullumbace të vogla ikin  e shpërndaheshin mbi trupi e ngrirë të kolonit të ardhur nga larg, të zërë të bëj çfarë të dojë në mes tokës shqipe, pa paguar asgjë.

-Askush nga shpirti ynë nuk falë!

-T` ia këpusim krejt kokën nga trupi e t`ia ngulim maje huri.

-Nuk bën të bëjmë diçka të tillë.

-Pse jo.

-Le të dëgjojë populli çfarë mund të bëjnë shqiptarët në mbrojtje të tokës së vet.

-Do të vdesim të gjithë e tokën s`e japin, – tha me duart grushte Murseli. Vëllai me moshë më i vjetër iu afrua e ia lidhi një shuplakë.

-Mbaje veten, – foli ashpër.

-Vetëm e mbrojtëm tokën, asgjë tjetër.

-Nuk e ndërroj atë që ngjau me asgjë. Kurrë!

-Kurrë!

-Kurrë!

Në mezhdë të arës, në njërin nga hunjtë aty ku e ngulën kokën e trashullakut, qenë mbetur shatat, lopatat, kazmat, me të cilat ata me ag hynë të mihin dhe ta rrethojnë për të tyre tokën e huaj përgjithmonë. Koka e trashullakut  tashmë i frikëson sorrat maje huri. Të katër vëllezërit mbi hijet e tyre nuk lëviznin. Prisnin çfarë do të bëhej me atë që iku të lajmërohet në stacionin e xhandarmërisë.

-Do ta vrisnin apo do ta lironin?

-Nuk është krim ta mbrosh tokën që të takon, deri në pikën e fundit të gjakut!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button