Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski në Tetovë, ka vizituar edhe aktivisten Rita Behadini

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të projektit “Ballë për ballë me Presidentin” ka vizituar sot Tetovën dhe Tearcën. Pas vizitës së tij në shkollën fillore të Tearcës “Kiril Pejçinoviq”, ai ishte në shtëpinë e aktivistes Rita Behadini, e cila është edhe gazetare në Portalb, për t’i dhënë përkrahje për iniciativën të cilën ajo e realizoi gjatë muajit gusht “Shtatori këtë mot, me çantën plot”, transmeton Portalb.mk.

Nga aksioni humanitar, i organizuar nga Rita para fillimit të vitit shkollor, u pajisën me çanta 145 fëmijë në nevojë. Pendarovski shprehu mbështetjen e tij për aktivitete të tilla dhe tha se është i gatshëm të marrë pjesë në aksionet e ardhshme.

“Në fshatin Sllatinë, Presidenti Pendarovski vizitoi edhe Rita Behadinin, e cila përmes rrjeteve sociale inicioi dhe realizoi aksion për të mbledhur materiale shkollore dhe pajisje shtesë për nxënës nga familje me status të ulët social. Presidenti Pendarovski shprehu mirënjohje për aktivitetet e Behadinit, duke përmendur që të rinjtë e tjerë duhet të ndjekin këtë shembull”, thuhet në kumtesën e Presidencës.

Rita nga ana tjetër, thotë se përkrahja e tillë e motivon edhe më tepër që të vazhdojë të kontribuojë për shoqërinë. Ajo thotë se aktivitete të tilla, përveç ndihmës që ju bëhet familjeve, të japin edhe kënaqësi shpirtërore dhe motiv që të vazhdosh me organizime të tilla.

Pendarovski ka vizituar edhe Manastirin në fshatin Leshkë. Në fshatin Xhepçisht, Presidenti Pendarovski ka vizituar edhe Muzeun Etno në pronësi të Simeon Zlatev – Monet, i konsideruar si muzeu më i vogël etnologjik në botë. Muzeu, në një hapësirë prej 7.2 metrash katrorë, ka ekspozuar rreth 1150 eksponate, nga gjithsej 2000 eksponate që Zlatev ka mbledhur gjatë tre dekadave të fundit. Pronari i muzeut informoi Presidentin Pendarovski për qëllimin e tij për të përfshirë zyrtarisht muzeun e tij në Librin e Rekordeve Guinness si muzeun më të vogël etnologjik në botë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button