ANALIZË: Zgjedhjet do të vijnë dhe shkojnë, nevojitet një koncept i ri ekonomik!

Vetoja franceze për mos çeljen e negociatave për pranim në BE çoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare, e sipas analistëve kjo do të “plas” mbi kurrizin e ekonomisë. Në periudhën parazgjedhore nuk priten ndryshime të rëndësishme të reformave, as vendime të mëdha për investime. Biznesi vendas, i mësuar me zgjedhje të shpeshta, do të heq dorë nga projektet zhvillimore, madje edhe nga punësimet e reja në pritje të rezultatit politik të zgjedhjeve – komentojnë një pjesë e ekonomistëve që i konsultoi “Portalb”-i.

Çfarë duhet dhe çfarë mund të jetë prioritet në agjendën ekonomike?

Rezultati negativ i Maqedonisë në Bruksel, hapi “plagët” e vjetra në shtëpi. Duke u mbështetur në shpresat se do të hyjmë në një proces të negociatave të pranimit, që do të thotë zbatim dhe përshtatje me legjislacionin evropian, reforma, demokratizim, ekonomi më e fortë, administratë profesionale, gjyqësor i pavarur – tani të gjitha këto detyra mbetet ose do të presin kohë më të mira ose të mobilizohen kapacitet e brendshme për t’i adresuar ato. Disa ekonomistë komentojnë se duhet të përballemi me problemet ekonomike dhe se është koha për të ofruar një koncept të ri.

“Mendoj se së pari vendi do të duhet të (ri)pozicionohet në aspekt strategjik. Nuk them të  braktisen përcaktimet e tanishme strategjike, por për momentin mendoj se ato duhet të rishqyrtohen. Vetë anëtarësimi në NATO jep disa udhëzime në këtë drejtim, por në NATO janë anëtarë të gjitha ato vende, interesat bilaterale të të cilave kanë ndikim në pozicionimin e jashtëm dhe strategjik të Maqedonisë. Aty janë edhe SHBA-të, Franca, Gjermania dhe Turqia. Ndërkohë, “rregullimi” i gjërave në shtëpi duhet të jetë prioritet kryesor.
Do të thoja që në radhë të parë këtu bëjnë pjesë korrupsioni, administrata publike, mediat, arsimi dhe shëndetësia. Ne kemi nevojë për një qasje të re serioze, sepse zgjidhjet e deritanishme të dobëta dhe të pjesshme vetëm i thellojnë problemet në vend që t’i zgjidhin ato, dhe sigurisht. Dhe gjithsesi një koncept i ri ekonomik! Shkalla e rritjes prej rreth 3 për qind aspak nuk është e mjaftueshme që vendi të dalë nga vorbulla e rritjes së ulët ekonomike. Ashtu siç kemi nevojë për një “bum” serioz në luftën kundër korrupsionit, nevojitet një bum edhe më i madh në ekonomi. Cili është burimi potencial për rritje më të madhe ekonomike në Maqedoni? A ka akoma aq shumë shpresë në eksportin që është dëshmuar si e pamjaftueshëm për ta siguruar atë dhe për të siguruar një bum ekonomik? A mund të flasim për bujqësi më të orientuar drejt eksportit, pasi që aq shumë para po derdhen në të? Çfarë roli luajnë bankat e Maqedonisë në rritjen ekonomike? Pse institucionet financiare jobankare mbahen në margjina dhe a mund ato të kontribuojnë për këtë? Çfarë do t’i inkurajonte kompanitë t’i investojnë të ardhurat e tyre në vend që t‘i mbajnë ato për para të pakta, por të sigurta, në banka dhe në Bankën Popullore? Po ashtu, cili është dhe cili mund të jetë roli i Bankës Popullore në gjithë këtë?” – thotë ekonomisti German Fillkov nga “Qendra për komunikime civile”.

Në luftën për votues, të gjithë premtojnë një të ardhme më të mirë ekonomike – rroga më të larta, shpenzime transparente të parave të shtetit, llogaridhënie, rritje më të madhe ekonomike, por jemi dëshmitarë se shumë nga këto premtime gjatë dekadave të kaluara kanë mbetur të paplotësuara dhe disa nga ato që u realizuan kishim “kosto” të lartë, për shembull, atyre që marrin rroga nga buxheti u janë rritur rrogat me kredi të shtrenjta.

“Prioritet i të gjitha qeverive të mëparshme ishte realizimi i objektivave themelore makroekonomike (rritje ekonomike, rritje e punësimit, rritje e eksporteve dhe ruajtje stabilitetin makroekonomik). Arritja e këtyre qëllimeve kërkon investime që do ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik duke e rritur tregun e kapitalit fizik dhe njerëzor. Ne përballemi me të ashtuquajturat vonesa kohore në zhvillimin teknologjik, në aplikimin e njohurive dhe teknologjive të reja dhe kjo ka një ndikim negativ në produktivitetin, konkurrencën dhe efikasitetin e ekonomisë së vendit. Pesëmbëdhjetë vitet e fundit kemi pasur mundësi ta vendosim ekonominë në këmbë të shëndosha (si një vend me borxhe të ulëta), por ne nuk e kemi bërë një gjë të tillë dhe tani kjo është e mundur me marrje të kredive shtesë, por jo për rroga, pensione dhe paketa sociale, por kredi në funksion të zhvillimit ekonomik, përndryshe do të vazhdojmë të sillemi rrotull” – thotë profesori Sami Bislimi.

Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve – qeverinë e ardhshme e presim shumë çështje të hapura dhe prej saj pritet guxim politik dhe gatishmëri për t’i zgjidhur çështjet e nxehta – thonë ekonomistët.

“A kemi alternativa për mungesën e fuqisë punëtore në përgjithësi dhe veçanërisht për fuqinë e kualifikuar punëtore? Më tej, rialokimi i resurseve është gjithashtu një çështje serioze që duhet të adresohet menjëherë. A jemi të sigurt se të gjitha burimet e disponueshme (të cilat natyrisht janë të kufizuara) janë përdorur siç duhet për të siguruar kushte jetese dhe pune për të gjithë qytetarët? A bëjmë gjithçka që është e mundshme për ta siguruar zhvillimin e duhur dhe të nevojshëm të kapitalit njerëzor për ato pak persona që kanë mbetur në vend (në kuptim të politikave shëndetësore, arsimore dhe sociale)? Deri kur do të flasim për administratë publike të madhe, joefikase dhe partiake (e cila përndryshe mund të jetë mbështetëse e zhvillimit)? Ndryshimet klimatike dhe ndotja tashmë po ndikojnë tek ne si vend dhe si popullatë. A kemi koncept për t’i trajtuar ato? Paratë që na duhen, e na duhen shumë para, padyshim që nuk i kemi” – komenton Fillkovi.

Disa biznesmenë për “Portalb”-in thonë se janë mësuar me ciklet e zgjedhjeve dhe theksojnë se burimi kryesor i pasigurisë është paqëndrueshmëria e zgjidhjeve ligjore.

“Miratohet një ligj i cili është në fuqi për ca kohë, por me ardhjen e pushtetit të ri, ai ligj ndryshohet brenda natës dhe ky është një problem i madh – paqëndrueshmëria e zgjidhjeve ligjore, ndryshimi i shpeshtë i tyre është në dëm të biznesit”- komenton një biznesmen nga Shkupi.

Zakonisht, periudha parazgjedhore ndikon në aktivitetin e investimeve.

Në periudhën parazgjedhore, Qeveria dhe Parlamenti e shtyjnë marrjen e vendimeve, e në mes tjerash ndërpriten edhe të ashtuquajturat shpenzime për investime në infrastrukturë, mjete kapitale, etj. Të gjitha këto fenomene kanë një ndikim negativ në rritjen ekonomike. Po ashtu, si shtet nuk jemi imun edhe ndaj situatës që në periudhën parazgjedhore në mënyrë të përshpejtuar të shpenzohen para për prokurimin publik të mjeteve, shërbimeve dhe punimeve me qëllim të mbledhjes së pikëve politike, me ç’rast jo gjithmonë ato shpenzime janë të nevojshme dhe të arsyeshme. Me këtë rast, kjo nuk duhet kuptuar se nuk duhet të ketë zgjedhje. Ato janë një dukuri normale në demokraci, por duke mos e implikuar situatën specifike në vend, duhet insistuar që zgjedhjet të mbahen në kohën e tyre të rregullt, për ta minimizuar ndikimin e tyre negativ në ekonomi” – përfundon Fillkov.

Është e qartë se në gjashtë muajt e ardhshme të gjitha temat dhe çështjet e nxehta do të paketohen si “premtime” në fushatat zgjedhore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button