Ka marrëveshje për zgjedhjet, modeli zgjedhor i pasigurt

Partitë më të mëdha politike të pushtetit dhe opozitës në takimin e liderëve që u mbajt para pak kohe u morrën vesh për zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill të vitit të ardhshëm, por mbetet e hapur çështja nëse ato do të mbahen sipas modelit ekzistues zgjedhor apo Kodi zgjedhor do të ndryshohet.

Komisioni shtetëror zgjedhor (KSHZ) thotë që është i përgatitur për të zbatuar zgjedhje me secilin model për të cilin do të merren vesh partitë. Organizatat qytetare, në anën tjetër, konsiderojnë që nevojitet ndryshim i modelit, por që koha, për ta bërë këtë para këtyre zgjedhjeve, është e shkurtë.

Partitë më të vogla politika edhe këtë herë, sikur edhe shumë herë deri tani, e kanë hapur para zgjedhjeve çështjen e ndryshimit të modelit zgjedhor me një njësi zgjedhore i cili, siç vlerësojnë ata, do të mundësonte kushte të barabarta edhe për ata, e jo vetëm për partitë më të mëdha.

LEXO: RMV, taktizimet e partive për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

LEXO: Zaev: E pamundur një njësi zgjedhore me lista të hapura

LEXO: Mickoski është për 120 njësi zgjedhore, pret koncesione nga pushteti rreth ligjit për PSP-në

Katër subjektet më të mëdha politike në vend kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me modelin zgjedhor. LSDM-ja në qeveri kërkon të futet një njësi zgjedhore me lista të hapura, sipas VMRO-DPMNE–së qytetarët më së miri përfaqësohen me model zgjedhor të mazhorancës, për BDI-në modeli më i mirë është me gjashtë njësi zgjedhore, derisa Aleanca për shqiptarët është për tetë njësi zgjedhore.

Duke pasur parasysh qëndrimet e ndryshme të partive politike, pritshmëritë nga bisedat eventuale për rregullat e reja zgjedhore nuk janë shumë të mëdha. Më të mëdha janë gjasat që ndryshimet të bëhen eksklizivisht për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR nga ciklet e fundit zgjedhore në vend.

Ka gjasa të mëdha që ndryshimet, e paralajmëruara në mënyrë ambicioze, për modelin zgjedhor edhe për këto zgjedhje të mbeten vetëm paralajmërim, duke pasur parasysh pozicionet e ndryshme të partive më të mëdha rreth kësaj çështjeje.

“Ne në fushatën parazgjedhore në vitin 2016 premtuam dhe qëndrojmë në propozimin tonë për një njësi zgjedhore, madje jemi edhe për atë të shkohet një hap më tutje dhe të ketë lista të hapura”, thotë nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zeqiri.

Mirëpo, me këtë qëndrim të LSDM-së nuk pajtohet partneri i tyre i koalicionit BDI, të cilët konsiderojnë që modeli aktual zgjedhor më së miri i përfaqëson qytetarët.

“Për përfaqësim të bashkësive etnike në një shtet multikulturor, multietnik siç është Republika e Maqedonisë vlerësojmë që zgjidhja më e mirë, sistemi më i mirë është me gjashtë njësi zgjedhore, për shkak se siguron përfaqësim proporcional të të gjitha bashkësive në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”, thotë deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Për VMRO-DPMNE-në, në anën tjetër, më së miri është të ketë aq njësi zgjedhore sa ka deputetë në Kuvend, përkatësisht 120.

“Ne propozojmë që deputetët t’i kthejmë atje prej nga vijnë dhe të shkojmë me një sistem që e kishim në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Ai është sistemi me 120 njësi zgjedhore sipas parimit të sistemit të shumicës siç e kanë në Britaninë e Madhe, Kanada, SHBA, me votim plural. Ai që do të fitojë numrin më të madh të votave në rrethin e parë të bëhet deputet”, thotë deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.

Për dallim prej këtyre propozimeve, partitë opozitare nga blloku etnik shqiptar dalin me propozim për zgjerim të njësive zgjedhore nga ato gjashtë në tetë.

“Kemi propozim zgjedhjet të organizohen në tetë njësi zgjedhore, në pajtim me rajonet ekzistuese zhvillimore që i kemi në shtet. Jemi për lista të hapura për cilin do model që të zgjedhet”, thotë Surija Radhidi nga Aleanca për shqiptarët.

PLD, si një nga partitë më të vogla politike, kërkon prej partive tjera politike dhe insiston që të ndryshohet modeli zgjedhor dhe të ketë një njësi zgjedhore pa prag ose, në qoftë se nuk ka konsensus për këtë, modeli ekzistues me gjashtë njësi të ketë lista të hapura në suaza të gjashtë njësive zgjedhore.

LEXO: Presidenti Pendarovski e mbështet nismën për reforma në modelin zgjedhor

LEXO: Ndryshimi i modelit zgjedhor, ministrja Deskoska nuk është optimiste

Deputetja nga RDM dhe ish kryetare e partisë, Liljana Popovska paralajmëron debat në të cilin do t’i ftojë të gjitha partitë parlamentare dhe do të kërkojë t’i japin dritë jeshile nismës për një njësi zgjedhore në vend të gjashtë njësive aktuale. Ajo është optimiste dhe thotë që do të gjendet vullnet politik për t’u parashtruar ligj dhe ndryshimet të miratohen para zgjedhjeve të paralajmëruara të parakohshme parlamentare.

Mirëpo, shton, do të ketë qasje me zgjidhje si kompromis që, ndryshimet, edhe nëse miratohen të fillojnë të zbatohen nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend se, zgjedhjet që janë së shpejti Komisioni shtetëror zugjedhor dhe komisionet komunale t’i organizojnë zgjedhjet sipas modelit të ri.

KSHZ thekson se janë të përgatitur për t’i zbatuar edhe këto zgjedhje të parakohshme sipas cilit do model, madje edhe me lista të hapura zgjedhore.

“Komisioni shtetëror zgjedhor është i përgatitur të zbatojë zgjedhje të parakohshme parlamentare sipas cilit do model për të cilin do të merren vesh partitë politike, duke përfshirë edhe për modelin me lista të hapura zgjedhore”, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.

Kryetari i KSHZ-së thekson edhe që Lista e votuesve është në rregull dhe se në të nuk ka të ashtuquajtur votues fantazmë.

“Kjo është materie që pastrohet, spastrohet dhe përpunohet në vazhdimësi. Si i pranojmë të dhënat nga MPB, në nivel tremujor, ashtu i përpunojmë. Kuptohet se në listë në të cilën ka mbi 1,8 milionë votues do të mund të gjendet ndonjë mangësi, por gjithë kjo është ulur në suaza racionale. Ne vazhdimisht punojmë dhe në këtë moment, kur është periudhë e zbrazët dhe nuk ka zgjedhje punojmë në pastrim të Listës së votuesve”, ka shtuar Derkovski para prezantimit të raportit për monitorim të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019, të cilin e kanë realizuar mbikëqyrësit me pengesa.

Kryetari i KSHZ-së ka theksuar edhe që si institucion i angazhuar për zbatim të zgjedhjeve kanë parashtruar edhe propozime të caktuara në pajtim me rekomandimet paraprake të OSBE-së dhe ODIHR-së për përmirësim teknik të procesit zgjedhor. Në lidhje me votimin e diasporës, kryetari i KSHZ-së thotë që si komision dëshirojnë të ketë ndryshime, por në suaza që të mundësohen mënyra të reja të votimit për, siç thotë ai, t’u kursyer mjete financiare.

Asociacioni qytetar MOST konsideron që duhet të ketë avancim të modelit zgjedhor, por jo tani duke pasur parasysh kohën e shkurtë deri në zgjedhjet e caktuara të parakohshme. Prej atje theksojnë që pothuaj 10 vite angazhohen për avancim të sistemit aktual zgjedhor nëpërmjet përfshirjes së votimit preferencial, përkatësisht siç e quajnë publikisht lista të hapura, për shkak se vlerësojnë që ky model ka përfitime edhe për partitë politike, si dhe për funksionarët e zgjedhur.

“Qytetarët do të kenë mundësi më të madhe, ndërsa partitë politike do të jenë të motivuara të paraqesin kandidatë të cilët do të tërheqin numër më të madh votash. Funksionarët e zgjedhur do të jenë më të motivuar për të plotësuar premtimet e tyre nëse planifikojnë të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme. Sa i përket debatit momental për ndryshim të numrit të njësive zgjedhore, qëndrimi ynë është që së paku për zgjedhjet e ardhshme kjo çështje nuk duhet të hapet për shkak se, sipas Kodit për praktika të mira për çështje zgjedhore të Komisionit të Venedikut, elementet kryesore të sistemit zgjedhor në të cilat bën pjesë edhe ndryshimi i numrit të njësive zgjedhore nuk duhet të ndryshohet së paku një vit para zgjedhjeve. Në lidhje me përfshirjen e votimit preferencial, kjo nuk paraqet ndryshim të modelit që do të mbetet i njëjtë, proporcional”, thonë nga MOST.

Në lidhje me atë nëse KSHZ do të ketë mjaft kohë për të zbatuar zgjedhje me model eventualisht të ri, nga MOST theksojnë që nëse Kodi zgjedhor ndryshohet deri në fund të këtij viti, KSHZ do të ketë në dispozicion rreth një muaj e gjysmë për t’i bërë përgatitjet e nevojshme (fletëvotime, procesverbale, softuer për rezultate etj.) për të zbatuar këtë lloj votimi.

Debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, po zhvillohet në rritjen e kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por edhe qëndrimit të Qeverisë, se zgjedhjet do të jetë të rregullta, me mundësi të mbahen të paktën dy muaj para afatit të paraparë, në dhjetor të vitit 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button