Pazarllëqet partiake e pengojnë funksionimin e institucioneve

Mosfunksionalitet i institucioneve të caktuara shtetërore është imponuar si çështje aktuale në periudhën e kaluar, duke marrë parasysh faktin se një numër institucionesh të rëndësishme kanë mbetur, thënë popullorçe, pa kokë dhe nuk kanë struktura drejtuese, transmeton Portalb.mk.

Kështu, ka disa muaj që Enti shtetëror i auditimit, i cili është institucioni kryesor për kontrollin e shpenzimit të parave publike, nuk ka as drejtor as zëvendësdrejtor. Për më tepër, për shkak të mungesës së marrëveshjes ndër-partiake, drejtues nuk ka në Drejtorinë për mbrojtjen e të dhënave personale, Komisionin për mbrojtjen e së drejtës për qasje të lirë në informatat publike, Komisionin për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, ndërsa nuk janë zgjedhur as këshilli programor i Radio-televizionit të Maqedonisë si dhe një kohë të gjatë po pritet zgjedhja e anëtarëve të Agjencisë për media.

Në kontekst të këtyre zhvillimeve, vlen të përmendet se kur bëhet fjalë për institucione nënkuptojmë filiale profesionale jo partiake në aspektin e kuadrove, për të cilat në vend të parë është interesi i qytetarëve dhe dhënia e shërbimeve për popullatën dhe që funksionojnë në bazë të standardeve profesionale evropiane dhe botërore.

Si përfundim i përmbledhur, ekspertët të cilët i konsultuam thonë se në vendet me praktikë më të përparuar të demokracisë se Maqedonia, institucionet funksionojnë pa probleme, pa qenë të varur nga marrëveshja e aktorëve kryesorë politikë ose nga procesi zgjedhor në të cilin gjendet vendi.

Sipas analistëve, pikërisht për këtë arsye këto organe shtetërore konsiderohen themeli ose shtylla kurrizore e një vendi, ndërsa stafi në to, veçanërisht ata në pozita drejtuese, zgjidhen në bazë të parimeve profesionale dhe drejtuese, sepse pikërisht këto organe shtetërore janë përfaqësues praktik për atë se si duhet të duket, veprojë dhe funksionojë një vend i organizuar dhe modern.

Pikërisht për këtë, këshillojnë analistët, ata që e udhëheqin vendin duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të mundësuar që këto institucione shtetërore të funksionojnë, veçanërisht nëse vendi është në periudhën parazgjedhore.

Analisti politik Petar Arsovski thotë se situata në vend është e tillë në të gjitha institucionet ku kërkohet konsensus minimal politik për emërim të zyrtarëve të cilët do të drejtojnë këto organe shtetërore.

– Shumica e institucioneve që nuk kanë drejtues nuk ndërlidhen me emërime sipas mandatit të qeverisë aktuale dhe mbase për këtë arsye edhe shfaqet ky problem gjatë veprimit. Kjo është arsyeja pse duhet të gjendet një zgjidhje në mënyrë që palët të bien dakord për këtë problem. Nga ana tjetër, nëse nuk mund të bëhet harmonim i tillë, atëherë ndoshta ia vlen të merret parasysh që institucionet të ndahen nga emërimet partiake, nominimet parlamentare dhe qeveritare dhe ngjashëm dhe krejt këto të bëhen me konkurse publik sipas shembullit të SHBA-ve kur përzgjidhet Prokurori publik i Amerikës – thotë Arsovski.

Milan Stefanoski mendon ngjashëm, duke shtuar se një nga pengesat kryesore që vendi të ndjejë mënyrën evropiane të jetës është funksionimi i institucioneve shtetërore.

– Pikërisht për shkak të emërimeve partiake drejtorë në krye të institucioneve e pastaj më poshtë në tërë organizatën, këto organe shtetërore në vend të parimit të profesionalizmit veprojnë në parimin e përkatësisë politike. Punonjësit nuk kujdesen që të punojnë shpejt dhe me efikasitet për të mbajtur punët e tyre, por janë të preokupuar për të mirëmbajtur marrëdhënieve partiake, sepse prej tyre varet drejtpërdrejt se ku dhe sa kohë do të punojnë në ndonjë institucion shtetëror – thotë Stefanoski.

Sipas analistit, nëse me të vërtetë dëshirojmë të jemi pjesë e BE-së, atëherë mbase duhet të dëgjojmë kritikat e bashkësisë ndërkombëtare, për të cilën ndoshta nuk kemi marrë ftesën për të filluar negociatat me Bashkimin dhe të fillojmë të punojmë më së shumti pikërisht në këtë çështje.

– Do të thotë zvogëlim të numrit tepër të madh të punonjësve në administratë, de-partizim të plotë dhe vendosje e kuadrove profesional përmes konkurseve jopartiake për drejtimin e këtyre organeve shtetërore – thotë Stefanoski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button