Kryetari i Parlamentit Evropian, Sasoli: Perspektiva BE e Maqedonisë së Veriut mbetet gjallë

Në intervistën për MIA, para vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut të hënën, kryetari i sapozgjedhur i Parlamentit Evropian, David Sasoli, shprehet se bllokada e bisedimeve në BE e sensibilizoi opinionin evropian për rëndësinë e kësaj çështjeje. Për Sasolin, vetoja franceze në samitin e fundit është vetëm një pengesë e vogël në rrugë që do të tejkalohet në muajt e ardhshëm.

Vendosa që vizita e parë jashtë BE-së të jetë në Maqedoninë e Veriut, e më pas në Shqipëri, thotë ai, sepse beson se këto dy vende kanë bërë përpjekje të mëdha për t’u bërë anëtare të BE-së dhe se ata duhet ta pranojnë këtë.

“Nuk do të heqim dorë. Gjëja më e mirë, përveç asaj që ka pauzë të vogël në procedurat tani është se qeveritë, parlamentet dhe opinioni publik në BE mbështet hapjen e bisedimeve aderuese me këto vende. Kjo është e saktë edhe në veri, edhe në jug, edhe në lindje, edhe në perëndim dhe BE. Sikurse në çdo proces demokratik, kuptohet, duhet doemos të arrijmë vendim me konsensus. Kishte kundërshtime minore në këtë rast, por besoj se shumë shpejtë do të mund ta tejkalojmë këtë pengesë. Maqedonia e Veriut dhe populli i saj u nisën në rrugën drejt reformave shumë të rëndësishme dhe këtë e kanë bërë për shkak se besonin se kjo do t’i hapë dyert për anëtarësim. Ne i vlerësojmë këtë rezultatet si tejet pozitive. Kjo është e vërtetë edhe në Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian, por edhe në pjesën dërmuese të qeverive të vendeve anëtare. Kemi fatin e përbashkët.” thotë ai.

Sasoli thotë se BE-ja është e bindur se ka shumë argumente të rëndësishme për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me këto dy vende dhe se këto argumente janë të fuqishme dhe do t’i bindin së shpejti edhe atë që ende nuk mendojnë kështu.

Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasoli
Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasoli

A do të thotë kjo se besoni se Franca do të pendohet? Kur? Për tre muaj, gjashtë?

“Gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm. Mendoj se duhet të mbërrijmë në samitin në Zagreb me konsensus të palës evropiane. Atë që do ta bëjë Komisioni i ri Evropian do të jetë vendimtare. Besojmë se Komisioni i ri do të ndjekë rrugën e njëjtë si edhe Komisioni i Junkerit, se do të vazhdojë me këto përpjekje dhe do t’i transformojë në diçka solide. Nuk humbim kohë dhe gjashtë muajt e ardhshëm nuk do të jenë të humbur. Kjo gjithashtu do të jetë mundësi për të theksuar vendosmërinë tonë. Ka vetëm një pauzë në një rrugë të gjatë, por fjala e fundit ende nuk është thënë. Një gjë tjetër që për ne është mbresëlënëse është toni i debatit publik në Maqedoninë e Veriut; kuptohet se njerëzit janë të dëshpëruar, kjo është e natyrshme, por ka sinjal të fuqishëm të shpresës, kjo është shumë pozitive dhe duhet doemos të ndërtojmë mbi këtë.” shprehet ai.

A jeni të brengosur se vetoja franceze mund të dëmtojë besueshmërinë e BE-së, se BE-ja do të peshojë më pak kur do të dërgojë porosi në vend dhe në rajon?

“U prononcova për këtë para fillimit të Këshillit të fundit Evropian dhe isha shumë i qartë në këtë temë. Kishim një varg kërkesash nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe tani duhet doemos t’u japim sinjal se janë në rrugë të drejtë. Ajo që nevojitet është të vazhdojnë me përpjekjet. Sa ishte e vështirë kjo rrugë për Maqedoninë e Veriut deri tani? Sa pengesa duhej të tejkalojë me fqinjët, me BE-në, për të arritur deri te kjo? Maqedonia e Veriut punoi me mundim në këto reforma dhe bëri përpjekje të mëdha. A do të duhet të humbet gjithë ajo për shkak të një pengese të vogël në rrugë? Jo.” tha ai.

Pra, shpreheni se perspektiva për anëtarësim nuk është e vdekur, porse kjo ishte vetëm një pengesë e vogël?

“Nuk është e vdekur, por është më e gjallë sesa ishte dje. Për një arsye të thjeshtë: deri para do kohë për këtë temë nuk flitej në opinion. Tani, po. Dhe kjo është padyshim përparësi në procesin drejt bisedimeve aderuese. Motori i BE-së janë qytetarët, e jo vetëm liderët.” tha mes tjerash ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button