REZISTENCA

Lëvizjet shoqërore krijohen dhe kanë për qëllim që individë ose grupe të caktuara, të organizohen dhe të punojnë drejtë arritjes së qëllimeve të përbashkëta. Këto grupe mundë të përpiqen të krijojnë ndryshime, të rezistojnë ndaj ndryshimeve, ose të sigurojnë një zë politikë për të gjithë ata që u është hequr e drejta e qytetarisë ose u është bërë çfarëdolloj padrejtësie brenda një shoqërie; ç ‘është më e rëndësishme lëvizjet shoqërore krijojnë ndryshime shoqërore.

Rezistencat civile janë aksione që ndërmerren nga njerëz me vetëdije të lartë për problemet e shoqërisë në të cilën jetojnë dhe krijohen si reaksion i gjendjeve të reja të caktuara brenda për brenda shoqërisë ku jetojnë.

Ata janë jo të dhunshme dhe janë aty rëndomë për të sfiduar një fuqi, forcë, politikë ose dikë që ka prekur themelet e një shoqërie të shëndoshë. Funksionojnë përmes sensibilizimit, thirrjeve ndaj kundërshtarit, presionit etj, ato mund të përfshijnë edhe përpjekje sistematike për të minuar burimet e pushtetit të kundërshtarit.

Format e veprimit përfshijnë taktika të ndryshme të cilat kanë për qëllim arritjen e qëllimit final dhe ata mund të jenë demonstrime, vigjilencë dhe peticione përmes të cilave mundë të shprehet hapur vullneti i njerëzve për probleme të caktuara; si forma tjera mundë të jenë protestat, grevat, ngadalësimet, bojkotimet, krijimi i institucioneve paralele të qeverisjes etj.

Ndër popuj të ndryshëm, mundë të gjenden shembuj të ndryshëm të rezistencave civile jo të dhunshme, por edhe të dhunshme të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe memorien e njerëzimit edhe atë nga lëvizja paqësore dhe rezistenca e Mahatma Gandit në Indi kundër tiranisë te ëndrra e Martin Luter Kingut për një botë të barabartë, lufta e Nelson Mandelas kundër aparteidit, së fundmi edhe lëvizjet siç ishte “Occupy Wall Street”, Pranvera Arabe, lëvizjet anti-globaliste të cilat janë kundër ndryshimeve të caktuara në botë dhe lëvizjet e ndryshme shumë të rëndësishme të cilat për qëllim kanë mbrojtjen e ambientit jetësor, ruajtjen e jetës e shëndetit të njerëzve si diçka e cila është mbi të gjitha si dhe aktivistë të famshëm kundër ngrohjes globale si Al Gore, Leonardo Di Caprio dhe Greta Thunberg të cilët kanë lënë tashmë gjurmët e veta në rezistencën e tyre kundër këtyre fenomeneve.

Kur jemi te ne, shqiptarët nuk është se qëndrojnë pa bërë gjë për sa u përket lëvizjeve paqësore të cilat kanë patur jehonë dhe përmes të cilave janë arritur qëllime të mëdha. Protestat e viteve 80-të në Kosovë ishin reaksion i një gjendje të krijuar në shoqërinë shqiptare të asaj kohe, në esencë ata ishin protesta paqësore që nxorën në pah terrorin shtetëror që ushtronte okupatori i atëhershëm mbi popullatën civile.

Filozofitë politike të Ibrahim Rugovës dhe Arbën Xhaferit janë shembulli më i mirë se përmes urtësisë, durimit dhe aksionit arrihen qëllimet e përbashkëta, në dobi të të gjithëve. Një tjetër lëvizje që në esencë ka rezistencën e vazhdueshme disa dekadëshe jo të dhunshme (dhe të dhunshme) kundër regjimeve, tiranisë, padrejtësive, korrupsionit dhe gjithçka destruktive brenda përbrenda një shoqërie është Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit e cila duket e papërsëritshme në llojin e vetë; njejtë siç ndryshimin shoqërorë që sollën lëvizjet paqësore të studentëve në Shqipëri në vitet 90-të dhe përpjekjet e fundit që diçka e tillë të përsëritet.

Lëvizje paqësore të ngjashme edhe pse me jehonë lokale të cilat përmes teknologjisë, mediave të lira në kohën internetit kanë arritur të sensibilizojnë opinionin dhe të korin suksese në qëllimet që i kanë vendosur vetes është edhe “Eco Guerilla” në Tetovë e cila përmes ngritjes së zërit, aksioneve të ndryshme dhe protestave, arriti që të ndërpresë punën e pakontrolluar të një kuzhine helmuese për të gjithë rajonin e Pollogut siç ishte fabrika Jugohrom në Tetovë. Një tjetër lëvizje e ngjashme është lëvizja Anti bixhoz e cila në vazhdimësi mundohet që të luftojë një sjellje të shëmtuar, devijante në shoqëri siç është bixhozi përmes aksioneve të veta që kanë për qëllim pakësimin e pikave të bastit, mbylljen ose transferimin e të njëjtave jashtë vendbanimeve.

Më e fundit e këtij lloji dhe e cila akoma është në fazën e pjekjes si ide është “LËVIZJA REZISTENCA” e ideuar dhe menduar nga një grup i të rinjve nga rrethina e Gostivarit për të qenë “opozitë e të gjithë atyre, që janë opozitë e popullit”. Kjo lëvizje ka për qëllim ndryshimin social, kujdesin dhe rezistencën kundrejt çdo padrejtësie brenda shoqërisë në të cilën kjo lëvizje graviton; vlen të ceket se edhe aksioni i parë i kësaj lëvizje që ka për qëllim prishjen e një koncesioni për një gurëthyese në tokën e fshatit Çegran ecën më mirë edhe nga ajo se ç’pritej, falë aktivistëve të kësaj Lëvizje, e që tani më janë me qindra; epo që të bien disa, disa të tjerë duhet të ngriten! Mrekullitë nuk ndodhin vetëm në përralla, ata janë të mundshme kur njerëzit duan, atëherë ata munden. Nuk thonë kotë edhe vetëm një i zgjuar mund ti zgjojë të gjithë të fjeturit. E gabuara është e gabuar edhe sikur të gjithë ta bëjnë dhe e drejta është e drejtë edhe sikur vetëm një njeri të angazhohet për të.

Sa herë që njeriu ngrihet në këmbë për një ideal, vepron për të përmirësuar të tjerët ose godet kundër padrejtësisë, ai dërgon një grimcë të vogël shprese në hapësirë, e cila përshkon njëri-tjetrin duke përcjellë energji dhe guxim, të cilat ndërtojnë një rrymë të përbashkët e cila mund të shkatërrojë edhe muret më të fuqishme të shtypjes dhe të rezistimit kundër asaj që quhet “rezistenca e popullit.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button