NISMA E LINDJES SË MESME TË MADHE

Lindja e Mesme është një zonë ekzotike, simbolike dhe emocionale, hapësirë vitale për shumë perandori, shtete dhe fuqi botërore; është tokë plot histori, vendlindje e disave nga qytetërimet më të hershme botërore, djep i tre feve abrahamike. “Nafta (shtrat i rreth 60%-it global të këtij resursi), rrugët tregtare, gjeografia, terreni, besimi dhe ideologjia, të gjitha këto kontribuojnë për rëndësinë strategjike të Lindjes së Mesme.” (Baldwin, 1957)

Ndërkohë Lindja e Mesme  është një term politik që përdoret për të shënuar rajonin dhe shtetet e Azisë Jugperëndimore nga Egjipti deri në Iran (përfshirë edhe këto dy shtete). Vendet që përfshin ky këtë term janë Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe, Administrata Autonome e Palestinës, Iraku, Irani, Izraeli, Katari, Kuvajti, Libani, Egjipti, Sudani, Siria, Arabia Saudite, Turqia, Omani, Jordania dhe Jemeni. Nga fillimi i shekullit XX termi përdoret dhe si zëvendësim i Lindjes së Afërt (si i kundërt me Lindjen e Largët). Sot Lindja e Mesme është një kazan që vlon, një zjarr që rrok qiellin, një varr i madh, “epiqendër” e tragjedisë humane, e dështimit të politikës ndërkombëtare.

Lidhur me këtë gjeografi udhëkryq të kontinenteve janë bërë shumë llogari, skica, projekte. Ndër to është edhe “Nisma e Lindjes së Mesme të Madhe”, në gjuhën angleze i njohur si “Greater Middle East Initiative”, kurse në atë frënge si Initiative du Grand Moyen-Orient. Në fakt është një plan transformues, i përgatitur kah fundi i vitit 2003 nga administrata e Shteteve të Bashkuara, që parasheh reforma politike, ekonomike, sociale dhe fetare të botës islame nga Maroku deri në Indonezi.

SHBA që pas sulmit të 11 Shtatorit të vitit 2001 qëndrimet radikale të një pjese të botës islame filluan t’i perceptojnë si një kërcënim të madh, dhe si rrjedhim, përmes forcimit të pushteteve që ishin në përputhje me politikat e veta,  nisën një projekt për shndërrimin e Lindje së Mesme të Madhe – ku këto lëvizje gjenin mbështetje –përmes reformave politike dhe ekonomike. Projekti në fjalë në fillim të vitit 2004 iu dërgua sekretariatit të grupit G-8 dhe në dokumentin e punës theksohej, se turmat e mëdha të pakënaqura nga lëkundjet politike dhe ekonomike të shënuara në Lindjen e Mesme të Madhe kërcënojnë interesat e shteteve G-8.

Projekti i Lindjes së Mesme të Madhe, ndryshe nga programet për reforma të ofruara nga vendet perëndimore për vendet në zhvillim e sipër, përmbante tri pika të rëndësishme praktike:
a) Vendet e G-8 do t’i mbështesnin në mënyrë të drejtpëdrejtë materialisht organizatat joqeveritare që mbrojnë demokracinë, të drejtat e njeriut, lirinë e medias dhe të drejtat e gruas dhe në këtë mënyrë do t’i përforcojnë qarqet reformiste.
b) Vendet e G-8 do t’i nxisin organizatat joqeveritare dhe do t’i mbështesin mediat që të veprojnë në mënyrë të papenguar.
c) Vendet e G-8 do të zhvillojnë mekanizma për ndjekjen e procesit reformues të vendit. Ky dokument ka shkaktuar reagime pozitive dhe negative në botën islame, kështu që në maj të vitit 2004 Liga Arabe publikoi Deklaratën e Tunisit (Tunis Declaration), përmes së cilës pranoi jetësimin e të drejtave të njeriut, ndërtimin e regjimeve demokratike,  të drejtësisë së gjykatës dhe të vlerave të tjera demokratike.

Në samitin e qershorit të vitit 2004, në kuadër të dokumentit të mbiquajtur Plani G-8 për Mbështetjen e Reformave (G-8 Plan of Support for Reform), u shpall nisma e re për rajonin dhe nevoja për realizimin e  reformave në bazë të dinamikave të brendshme të këtij rajoni. Në planin e hollësishëm u theksuan një për një kontributet e vendeve perëndimore për Lindjen e Mesme të Madhe, u përcaktuan detyrimet. Në takim u bë ndryshimi i emrit të projektit në Iniciativa e Zgjeruar për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore (BroaderMiddle East and North Africa Initiative). Pas takimit në fjalë, për bashkërendimin e programeve demokratike në vendet e rajonit dhe zbatimin e projekteve vendore u formua një sekretariat i mbiquajtur Dialogu për Ndihmë në Demokraci (Democracy Assistance Dialogue), të cilin së bashku e kryesonin Turqia, Italia dhe Jemeni. Por me kalimin e kohës, këtij projekti iu zbeh ngjyra dhe me procesin e pranverës arabe të filluar në vitin 2011 që ndikoi gjithë Lindjen e Mesme, u abrogua tërësisht.
Disa, si Condoleezza Rice, kanë përdorur termin “New Middle East” – Lindja e Mesme e Re që është më pak imponues se sa i trajtuari në këtë artikull, më pozitiv, që mund të ndihmojë në shmangien “kaosit   konstruktiv” që mbizotëron Lindjen e Mesme.

Politologu Baha shënon se përderisa rreth Lindjes së Mesme nuk ka një mendim të thellë, që do të nxiste bashkëpunimin dhe jo imponimin, që do të bazohej mirëbesimin e ndërsjellë, larg paragjykimeve dhe frikës, ekstremizmi do të vazhdojë të gjallërojë në rajon në fjalë, kurse hulumtuesja e pavarur Bellami për MintPress ka deklaruar se patronazhi i fuqishëm i provokon pakënaqësitë popullore dhe si përfundim, e ushqen narrativën anti-uesterniste të radikalëve  (Shakdam, 2014).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button