RMV, Qeveria e ka anuluar fushatën prej 325.000 euro që do të promovonte vlerat evropiane

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e kishte planifikuar se Franca do të bllokojë marrjen e datës së negociatave me Bashkimin Evropian. Andaj, kishte vendosur të reklamojë suksesin për marrjen e datës duke shpenzuar 325,000 euro, por pasi datën nuk e morëm, fushata është anuluar, njofton Portalb.mk.

Më 8 tetor të këtij viti, në seancën e 156 të qeverisë u vendos të realizohet fushatë për promovimin e vlerave evropiane me vlerë 20 milion denarë ose 325 mijë euro.

“Qeveria do të organizojë dhe zhvillojë një sërë aktivitetesh për të rritur vetëdijen e publikut dhe për të promovuar vlerat evropiane dhe përfitimet që shteti do të ndiejë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian gjatë negociatave. Përmes një sërë aktivitetesh komunikuese do të dërgohet mesazhi se për Republikën e Maqedonisë së Veriut ky vendim paraqet sukses kombëtar të të gjithë brezave që nga pavarësia deri sot, sukses që do të mundësojë motivimin afatgjatë të qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve që të angazhohen në proceset e përmirësimit të jetës shoqërore dhe motivimi i qytetarëve dhe të rinjve për të parë mundësinë në vendin e tyre”, thuhet në procesverbalin e sesionit të 156 të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministrat, kryeministri dhe zëvendësit atëbotë kishin konkluduar se nuk kishte kohë për të humbur pasi që vendimi do të bëhej i njohur brenda 10 ditësh nga seanca, ashtu që kishin vendosur të realizojnë prokurim urgjent, pa publikuar dhe pa realizuar thirrje. Me vendim qeveritar shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkët (ShPP) do ta bënte prokurimin.

Nga Ministria e Financave kishin kërkuar të sigurojë para dhe t’i transferon ato në llogari të ShPP-së.

Por, drejtori i ShPP-së, Pece Mirçevski konfirmoi se prokurimi kishte dështuar për shkak se nuk ishte marrë data.

Për shkak të rezistencës së Francës, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk mori datë për fillim të negociatave më 18 tetor, gjë që e ka zhytur vendin në zgjedhje të parakohshme dhe një krizë tjetër politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button