Ndotja e ajrit, pasojë e gjyqësorit të korruptuar

Paaftësia dhe korrupsioni i një pjese të konsiderueshme të prokurorëve dhe gjyqtarëve, me vite radhazi ka mundësuar që ndotësit e ajrit, nga ata me përmasa më të ulëta e deri tek ndotësit masiv (thënë më saktë vrasësit masiv të shëndetit dhe jetës së qytetarëve të vendit – të një prej vendeve me të varfëra të Evropës), ti shmangen ligjit dhe pasojave ligjore të konsumimit të veprës penale “Ndotje e mjedisit jetësor dhe natyrës”. I shmangen pasojave administrative me gjoba të ndryshme, mbylljes së veprimtarive, e deri atyre penale, dënimeve me para dhe burgosjeve. Kjo konform veprës penale “Ndotje e mjedisit jetësor dhe natyrës”, dalë nga neni 18 i Kodit penal të R.Maqedonisë së Veriut, vepër e cila sanksionohet me lartësi dënimi deri në 10 vite burg. Si kategori më e dënueshme, kur vepra në fjalë kryhet nga personat juridik apo ndotja është masive me rrezikshmëri të lartë, dënimi parashihet me minimalisht 4 vite burg.

Ajo që ka ndodhur gjatë këtyre viteve të tranzicionit shtetëror, dëshmon gjendjen tejet të rënduar… ashtu si në fushat e tjera të kriminalizuara, ashtu edhe me krimin e ndotjes së ajrit, pikërisht përgjegjësinë e drejtpërdrejtë e mbart sistemi i drejtësisë, shkaktari i gjithë zinxhirit të së keqes në shoqëri. Rryshfeti dhe dirigjimet e politikës në gjyqësor, kanë mundësuar favore për autorët e ndotësve të ajrit, fabrikave, institucioneve publike, personave juridik dhe personave fizik të veprimtarive të ndryshme, të cilat kanë nuk kanë plotësuar dhe nuk plotësojnë standartet ligjore për mjedis të pastër. E gjitha kjo në kurriz të ligjit dhe drejtësisë, rrjedhimisht për të shkatërruar jetesën e njerëzve.

Pushteti qeveritar dhe ai i korruptiv në gjyqësor, duke gjetur edhe kushtet e favorshme të gjyqtarëve dhe prokurorë të karakterizuar shpirtërisht me egon për para dhe karrierë, përcaktojnë se si duhet të procedohet dhe aktgjykohet me lëndët gjyqësore të kësaj natyre. Pikërisht kjo qasje me problematikën në fjalë, e bën  ndotjen e ajrit pasojë të sistemit korruptiv të drejtësisë. “Nga Ministria e drejtësisë kemi informatë se në periudhën e kaluar 3 vjeçare, janë 70 raste të shkeljeve të dorëzuara në prokurorine publike, por asnjeri deri me tani nuk është ndeshkuar” –  thotë Ana Petrovska nga Ministria e Mjedisit jetësor. Për të mos folur pastaj për punën e fjetur të inspektoriatit, të fjetur me apo pa qëllim. Për të mos folur për prokurorët të cilët kurrë nuk marrin vetë – iniciativë për të hetuar dhe ndjekur ndotësit masiv të ajrit, qoftë edhe nga përgjegjësia minimale prindërore për jetën e fëmijëve të tyre, kur dihet se fëmijët janë kategoria më e prekur e ndotjes (me vdekshmëri të lartë dhe ku çdo i dyti fëmijë kërkon shërim nga problemet respiratore të frymarjes), dhe jo më nga përgjegjësia ligjore e ushtrimit të detyrës.

Atë që bëjnë prokurorët faktikisht, presin në zyrat e mykta nga dosjet e haruara qellimshëm, paraqitje penale nga faktorë tjerë, për ti mbajtur këto paraqitje–lëndë, në harresë–vjetërsimi, në shkëmbim të parasë dhe karrierës shpërblyese prej politikës. Së fundmi, kemi edhe një padi në Gjykatën civile, nga Organizata e juristëve të rinj të Maqedonisë së Veriut,  kundër qeverisë, Ministrisë së ambientit jetësor dhe kundër Qytetit të shkupit. Baza ligjore e padisë është lëndimi i së drejtës për ambient të shëndetshëm jetësor, të drejtën e shendetit, moslendimi i shtëpisë dhe mosmarrja e masave. Por edhe kjo padi sigurisht që do të ketë fatin e atyre 70 shkeljeve të dorëzuara në prokurorinë e tre viteve të fundit (qeverisjen Zaev), dhe të qindra të tjerave që me vite rradhazi, ku asnjëra ska pasur epilog ndëshkimi, vecanarisht ndaj ndotësve masiv të ajrit. Ashtu edhe kjo padi do të zhbëhet në labirintet gjyqësorit të tanishëm me klientelë sekserësh të ryshfetçinjve.

Këto shifra të mosndëshkimeve (të mbajtura në sirtarë dhe aktgjykuara në kundërshtim me ligjin e qartë) nga gjykatat dhe prokuroritë, dhe jo vetëm të tre viteve të fundit, por sigurisht edhe të dakadës se kaluar, shkaktojnë çdo vit mesatarisht rreth 1000 vdekje nga ndotja toksike e ajrit në vendin tonë, theksuar me pasojat e rrezikshme të grimcave PM2.5, ku vetëm në gjysmë vitin e tanishëm, janë diagnostifikuar me kancer rreth 4000 njerëz. Kujtojmë edhe atë që Maqedonia e Veriut sipas raporteve të Agjensionit Evropian për mjedis jetësor, është bërë një nga vendet më të ndotura në rajon dhe Evropë, dhe me një kryeqytet prej më të ndoturve në botë. Logjikshëm, nëse duam të luftojmë prej vërteti ndotjen e ajrit, fillimisht duhet të luftojmë për të çliruar gjyqësorin nga ndotja korruptive dhe  paaftësia e gjyqtarëvë dhe prokurorëve, ata që de fakto janë mburoja thelbësore e ndotësve të ajrit dhe kriminalitetit në shtet.

Në këto rrethana, qeveria, apo partitë politike që do ta mundësonin zhbërjen e kësaj të keqeje nga sistemi i drejtësisë, do ti bënin vendit shërbimin më të madh kundër ndotjes së ajrit, kur me një mekanizëm ligjor të verifikimit të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, do të shkarkonin nga detyra dhe vendosnin para drejtësisë së vërtetë, ata që sot fatkeqësisht ndajnë drejtësinë e korruptuar, gjyqtarët dhe prokurorët e paaftë dhe të pandershëm të këtij vendi. Por edhe për ti nxjerrë në pah ata të cilët kanë ushtruar dhe ushtrojnë me dinjitet detyrën e gjyqtarit dhe prokurorit, besnikët e ligjit dhe dinjitetit njerëzor.

Politikat, ose propagandat qeveritare të ndërtimit të tramvaje elektrik në qytetin e Shkupit, me financime miliona euro nga buxheti i shtetit, sipas projektimeve – që lidhin disa lagje me shumicë maqedonase në kryeqytet, janë të dëgjuar sot e vite me radhë nga qeveri të ndryshme, dhe më shumë kanë shërbyer si paterica momentale për të dalë nga situata akuzuese e ndotjes alarmante. Aq më tepër tani në para fushata zgjedhore, si ajo e zgjedhjeve të parakohshme në muajt vijues. Zgjidhja e problematikës kërkon zgjidhje gjithëpërfshirëse, të përherëshme, e jo vetëm për disa lagje të kryeqytetit (nësr do bëhej ndonjeëherë), por për gjithë komunat e Shkupit dhe të gjithë qytetet me nivel të lartë ndotjeje.

Si e tillë, ndotja e ajrit duhet luftuar nga pasoja, nga gjyqësori korruptiv i cili aktualisht  ju ka dhënë siguri dhe komoditet veprimi ndotësve të ajrit, atyrë që mund të vazhdojnë aktivitetin e ndotjes edhe kur në të ardhmen e largët, mund të ketë tramvaje elektrik. Mjafton të ketë vullnet dhe përpjekje në luftën kundër ndotjes, pavarësisht pasojave të mundëshme për dikë me detyre të lartë shtetërore, nëse për shembull mekanizmi i verifikimit mund të sillte shkarkimin e gjyqtarëvë  që kanë shpallur të pafajshëm funksionarë të lartë shtetërorë, për akuza penale të rryshfetit. zyrtare. Ose në rastin më të mirë për shoqërinë, dhe me të keq për autorët e krimit, të rihapeshin për rigjykim dosjet e mbyllura më shpërblime të majme. Asgjë nuk krahasohet dhe nuk vlen më shumë se jeta dhe shëndeti i popullatës, e drejta e garantuar kushtetuese – ligjore për të marrë ajër të pastër.

Shkruan:
Alpin Ollogu

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button