Shpërndarja e Kuvendit të RMV-së, përplasje mes Zaevit dhe Xhaferit për çështjen e Protokollit të NATO-s

Caktimi i 11 shkurtit të 2020 për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) për shkak të zgjedhjeve parlamentare të parakohshme të 12 prillit, është bërë mollë sherri mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kryepalamentarit Talat Xhaferi, transmeton Portalb.mk.

“Duhet t’i respektojmë vendimet, të paktën ato të cilat si faktorë politik i sollëm me konsensus dhe 12 prillin duhet ta ruajmë. Gjithsesi, secilën herë përgjegjësia e shtetit është para së gjithash dhe mbi të gjitha. E lëmë të hapur mundësinë që të bëhen çfarëdo ndryshimesh, para së gjithash për shkak të ratifikimit për NATO-n”, tha Zaevi.

Ndaj kësaj ka reaguar Talat Xhaferi, duke thënës e shpërndarja e Kuvendit nuk bëhet vetëm nga ai, por me shumicë votash.

“Kuvendin nuk e shpërndan Kryetari i Kuvendit individualisht por shpërndahet vetë me shumicë votash prej 61 vota prej 120 vota gjithsej. (Neni 63, paragrafi 7 i Kushtetutës: Kuvendi shpërndahet nëse për atë deklarohet shumica nga numri i përgjithshëm i deputetëve.)””, shkroi Xhaferi në rrjetin social “Fejsbuk”.

Zaevi ditën që e mori lajmin se Xhaferi ka caktuar 11 shkurtin si datë për shpërndarjen e Kuvendit, njoftoi se ai ka kërkuar që ajo të jetë më 26 shkurt, që Kuvendi të jetë funksional për ta ratifikuar Protokollin për anëtarësimin e RMV-së në NATO.

Shpërbërja e Kuvendit vjen pasi për më 12 prill të 2020-s janë caktuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në RMV, të cilat erdhën si opsion përgjegjësie e pushtetit për mosmarrjen e datës për nisjen e negociatave anëtarësuese me Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, pritshmëritë ishin që RMV-ja anëtare e 30 e NATO-s do të bëhet në Samitin e NATO-s që pritet të mbahet në muajin dhjetor 2019, por edhe kjo u pamundësua me shkuarjen e Spanjës në zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të mbahen në nëntor të 2019-s. Zaev ka shprehur bindjen se deri në dhjetor Spanja do ta ratifikojë Protokollin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button