Ushtria amerikane publikoi pamjet e aksionit ku u vra lideri i ISIS-it (VIDEO)
Ushtria amerikane ka publikuar pamjet e aksionit në veri të Sirisë në një bazë të militantëve të ISIS, që rezultoi me vrasjen e ish-udhëheqësit të terroristëve, Abu Bakr al-Baghdadi.
Video tregon momentet kur luftëtarët e ISIS të vendosur përreth bazës ku fshihej al-Baghdadi, qëllonin me armë ndaj ushtarëve amerikanë. Ish-lideri i ISIS kur kuptoi që ishte i rrethuar, u largua në një tunel nëntokësor dhe u vetëvra përmes një jeleku shpërthyes, transmeton Klan.
Pas bastisjes së këtij vendstrehimi nga trupat ushtarake amerikane, kompleksi u shkatërrua. Gjenerali amerikan McKenzie konfirmoi se dy fëmijë që ndodheshin në këtë bazë u vranë në tunel së bashku me al-Baghdadin pas shpërthimit të jelekut vetëvrasës. Po kështu, katër gra dhe një burrë tjetër u vetëvranë brenda kompleksit.
Një numër i pakonfirmuar i luftëtarëve të ISIS që ndodheshin jashtë kësaj baze, humbën jetën nga sulmi amerikan pasi filluan të qëllonin ndaj helikopterëve. Presidenti Donald Trump kishte konfirmuar më herët se mbetjet e trupit të Abu Bakr al-Baghdadi u hodhën në det.