Dy muaj pas shkarkimit të Vangellovskit, nuk është shpallur konkurs për kryetar të ri të Supremes

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut, gati dy muaj që nga shkarkimi i Jovo Vangellovskit, ende nuk ka shpallur konkurs për kryetar të ri të Gjykatës Supreme, njofton Portalb.mk.

Prej më 10 shtator, postin e u.d. kryetarit të gjykatës më të lartë në vend, vazhdon ta mbajë Faik Arsllani. Këshilli Gjyqësor, vlerëson se ende nuk ka kushte ligjore që të publikohet shpallje për kryetar të ri.

“Kur të krijohen kushtet ligjore menjëherë do të publikohet shpallje për kryetar të Gjykatës Supreme”, thonë për Portalb.mk nga Këshilli Gjyqësor.

Nga ana tjetër, Vangallovski i ka parashtruar dy ankesa për shkarkimin e tij.

Ai ka kërkuar të rishqyrtohet edhe vendimi për suspendim, edhe pse sipas burimeve në Këshill nuk ka të drejtë për atë. Me këtë vendim, Vangellovski ka qenë përkohësisht i larguar nga kryerja e funksionit gjyqtar dhe nga funksioni kryetar i gjykatës, me çka praktikisht i është ndaluar edhe të futet në ndërtesën e Gjykatës.

Për ankesën të cilën e ka parashtruar në lidhje me vendimin për shkarkim, ajo do të dërgohet në Gjykatën Supreme që duhet të formojë komision prej tre gjyqtarëve nga Gjykata Supreme, nga një prej katër Rajonet e apelit dhe dy gjykatës nga gjykata amë e gjyqtarit të shkarkuar.

Nëse pranohet ankesa e Vangellovskit, rasti përsëri do të kthehet në Këshillin gjyqësor, i cili sërish do të vendos për shkarkimin e tij.

Kushtet për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Supreme

Sipas Ligjit për Gjykata, kryetar gjykate zgjedhet nga radha e gjykatësve të Maqedonisë së Veriut, ashtu siç zgjedhet gjykatësi në gjykatë përkatëse, në këtë rast në Gjykatën Supreme.

Kryetari i Gjykatës Supreme zgjedhet gjatë kohës prej katër vjetëve, me mundësi që përsëri të zgjedhet në të njëjtin funksion edhe për katër vite tjera.

Për kryetar të gjykatës zgjedhet ndonjë gjykatës i cili në dy vitet e fundit nga ana e Këshillit Gjyqësor është vlerësuar me notë më të lartë pozitive, ndërkaq në krahasim me kandidatët e tjerë të ketë numër më të madh të pikëve, në pajtueshmëri me ligjin.

Kryetari i Gjykatës ka status dhe funksion të gjykatësit të parë në gjykatën përkatëse. Kandidati për kryetar të Gjykatës, në paraqitjen dhe dokumentet tjera dorëzon program për punë gjatë mandatit të tij.

Shpalljen për zgjedhje të kryetarit të gjykatës, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut publikon dy muaj para skadimit të mandatit të kryetarit në largim. Nga kandidatët e lajmëruar që i plotësojnë nevojat dhe kushtet, Këshilli Gjyqësor deri më së voni në dy muaj pas publikimit të shpalljes zgjedh kryetar të gjykatës.

Kryetari i gjykatës i cili përsëri nuk do të zgjedhet në të njëjtin funksion, do të vazhdojë të punojë si gjykatës në gjykatën ku paraprakisht e ka kryer funksionin gjyqësor.

Kushtet:

  • Të jetë shtetas i Maqedonisë së Veriut
  • Aktivisht ta zotërojë gjuhën maqedonase
  • Të jetë i aftë për punë dhe gjendje të mirë shëndetësore, për çka kryhen edhe kontrolle mjekësore
  • Jurist i diplomuar me mbarim të arsimit të lartë prej katër vjetëve në studimet juridike me mesatare së paku 8 ose të jetë jurist i diplomuar me 300 kredi sipas EKTS, me mesatare së paku 8.
  • Ta ketë të kaluar provimin e jurispodencës në Maqedoninë e Veriut
  • Aktivisht ta njohë njërin prej tre gjuhëve të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht)
  • Punë praktike me kompjuter
  • Të ketë reputacion, integritet për kryerjen e funksionit gjyqësor dhe të posedojë veçori sociale për kryerjen e funksionit gjyqësor, për çka zbatohen teste për integritet dhe test psikologjik.
  • Shtesë: Për Gjykatë në gjykatën Supreme mund të zgjedhet personi i cili ka përvoje pune së paku gjashtë vjet pa ndalur stazh gjyqësor në Gjykatën e Apelit deri në momentin e paraqitjes për zgjedhje dhe në vitin e fundit është vlerësuar me notë më të lartë pozitive, në krahasim me kandidatët tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button