Pollogu në zjarr

Mbrëmjen e së premtes së kaluar kthehesha nga Shkupi për në Tetovë. Ishte errësirë dhe në veturë përvidhej një erë e keqe që asoconte në diçka të djegur. Në largësi, në Malin Sharr, aty sipër fshatrave të rrugës Tetovë-Jazhincë, vërejta një unazë të madhe zjarri. Ishte vërtet e frikshme të shihet sa shumë territor zjarri kishte kapluar. Flakët shiheshin qartazi në errësirë, ndërsa gjatë gjithë rrugës ndihej era e keqe e barit dhe drunjve të djegur. Në ndalesën e pagesës rrugore u paraqita në numrin e zjarrfikësit dhe sqarova situatën.

Të nesërmen ishte një kohë e bukur dhe plot diell. Dhe sërish në ajër ndihej aroma e forte e gjërave të djegura. Vetëm një vështrim i thjeshtë mbi Pollogun gjatë pasdites jepte një fotografi të qartë për gjendjen. Zjarr në të gjitha fushat e punuara ku bereqeti është mbledhur dhe mbeturinat nga ky proces janë djegur. Zjarr poashtu gjithandej nëpër mal. Shiheshin qartë më shumë burime të vogla zjarri që përhapnin tym në të gjithë malin, ndërsa në një pjesë të malit, tani sipër fshatrave të rrugës Tetovë-Gostivar, shihej një shtresë e madhe tymi nga ndonjë zjarrvënie që kishte dalë tërësisht jashtë kontrolli.

Kjo situatë u përsërit gjatë gjithë javës dhe i gjithë Pollogu u mbështoll në një mjegull ngulfatëse që të zinte frymën. Ky tym nuk dilte nga kombinati famëkeq i Jugohromit i cili na helmoi për vite të tëra. Ky tym që i ngulfati të gjithë qytetarët e këtij vendi për ditë e javë të tëra u shkaktua nga vetë qytetarë të papërgjegjshëm, papërgjeshmërinë e të cilëve e vuajmë secili në lëkurën tone e në mushkëritë tona.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për pozitën gjeografike të Pollogut: një fushëgropë ku ajri qëndron i palëvizur dhe mjegulla shfaqet lehtazi sepse gjatë gjithë vitit fryn shumë pak erë. Edhe në ditët më të kthjellta, në Pollog gjatë mëngjesit vërehet shtresa e mjegullës e cila qëndron në këtë fushëgropë pa lëvizur. Kur moti fillon të ftohet, kjo shtresë e mjegullës fillon të trashet e të dendësohet sepse ajri i ftohtë qëndron afër tokës dhe aty i ngujon të gjitha papastërtitë e shkaktuara paraprakisht. Pikërisht në atë kohë, kur moti fillon të ftohet, paraqitet kjo dukuri e shkaktimit të zjarrit në fusha e në male. Dhe atëherë vërehet qartë se si tymi qëndron i palëvizur në gjithë fushëgropën, duke e kontaminuar kështu gjithë ajrin që e thithim dhe duke bërë të pamundur frymëmarjen e rregullt për të gjithë ne.

Për më tepër, reagimi institucional duket shumë i vakët. Janë vetëm zjarrfikësit ata të cilët gjithë ditën janë në teren duke u munduar të venë nën kontroll zjarret e ndezura në mënyrë kriminale. Inspektoratet e komunave të cilat përfshihen në këtë teren kërkojnë arsye për mosreagim. Inspektoratet nga njëra komunë thonë nuk mund të dalim pa pasur kallëzim nga qytetarët (e ndërkaq zjarret në secilin hap janë fakt notor i dukshëm për të gjithë), ndërsa ata nga komuna tjetër thonë se kjo nuk është punë e tyre por duhet të dalin në teren inspektoratet qendrore të bujqësisë. Nga prokuroria poashtu nuk ka shumë lajme në këtë drejtim, përveç ngritjes së hetimit për një person për zjarrvënien e madhe në malin Sharr. Nuk e kuptoj këtë nonshalancë të këtyre personave përgjegjës, të cilët jetojnë në këtë territor, helmohen edhe vetë aty, e megjithatë nuk e zbatojnë detyrën e vetë zyrtare për të penguar këtë gjendje dhe për të dënuar përgjegjësit.

Poashtu nuk e kuptoj qetësinë e organizatave për mbrojtjen e mjedisit të cilat kanë qenë aq të zëshme për të reaguar për shumë probleme. Zëri i tyre dëgjohet shumë zbehtë lidhur me këtë problem konkret, e megjithatë ne të gjithë vazhdojmë të ngulfatemi çdo ditë nga kjo gjendje.

Sigurisht, është e qartë që duhet edukim dhe ngritje e vetëdijes se mbeturinat në fusha e në male nuk mund të digjen ashtu që të helmojnë të gjithë të tjerët. Por nuk ka mënyrë me të shpejtë dhe efikase për ngritjen e vetëdijes se sa zbatimi i dënimeve të parapara pa asnjë përjashtim. Sundimi efikas i ligjit është vërtetuar të jetë ngritësi më i madh i vetëdijes individuale dhe kolektive.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button