Në Shkup u kërkua rregullimi i statusit të pjesëtarëve të UÇK-së dhe hetim i rasteve gjyqësore “të fabrikuara”(VIDEO)

Në Shkup, sot është protestuar kundër rasteve gjyqësore “të politizuara dhe të fabrikuara” dhe për “gjendjen e mjeruar të arsimit shqip” në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV). Ndër rastet gjyqësore për të cilat u kërkua hetim, janë për vdekjen e Almir Aliu, të Harun Aliut, të Hebib Ametit, të komandant Teli, Iliri, Shaban Zenunit si dhe rastet “Brodec”, “Alfa”, “Gostivari” dhe “Lagja e trimave”, transmeton Portalb.mk.

4 Protesta, el cheka
Protesta

Kritika të ashpra u dërguan ndaj liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, për siç thanë “sepse rri i qetë në kolltukë qeveritarë derisa djemtë tanë dergjen burgjeve”.

Fjalimet u mbajtën para Kuvendit të RMV-së, pasi siç deklaroi organizatori i protestës, vëllai i “El Çekës”, Blerim Ahmedi aty miratohen ligjet që nuk i përfillin shqiptarët.

“U mblodhën para këtij vendi, sepse këtu miratohen ligjet që nuk i përfillin shqiptarët. Nga video incizimet shohim se si kanë dhënë urdhra për vrasje deri në zhdukje të kufomave. Nga kjo parti, me emrin BDI ka bërë që shqiptari të jetojë tmerrin më të madh në këtë shtet, duke bërë që të rinjtë të largohen nga vendi i vet. Duhet që ta parandalojmë këtë fenomen. Ai la na në harresë edhe pjesëtarët e UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare) duke mos e rregulluar statusin e tyre siç e bëri për “branitellat””, tha Ahmedi.

3 Protesta, el cheka
Protesta

Më tej, brohoritej: Mjaftë gjykatave që i lanë të lirë vrasësit e fëmijëve. Ne nuk duam që vrasësi i Almirit të ecë i lirë rrugëve. Ne gjithashtu kritikojmë edhe politikanët, që qëndruan të heshtur ndaj këtyre padrejtësive.

Fjalim ka mbajtur edhe djali Xhem Hasë Gostivari, Qani Hasa i cili në anglisht iu drejtua masës, për arsye siç tha, “që ta kuptojnë më mirë të huajt dhe maqedonasit, sepse ata nuk dinë shqip”.

Vëllai i Rexhail Qerimit, Jetulla Qerimi i ka parashtruar disa pyetje liderit të BDI-së, Ali Ahmetit.

“Si ka mundësi që njerëzit e pafajshëm të qëndrojnë me dekada në burg dhe ai të rri rahat në kolltuk të Qeverisë?”, tha Jetulla Qerimi.

Ashtu edhe siç është bërë tashmë e zakonshme, protestave të këtij lloji u priu edhe veterani Shpëtim Pollozhani.

Ai ka kujtuar “bombën” e publikuar në seancën gjyqësore të “Monstrës”, të zhvilluar mes ish zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Bajramit dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Që nga viti 2002 për ne të gjitha janë raste të manipuluara dhe të fabrikuara, me dëshmitarë të fshehur dhe me sërë shkelje të procedurave administrative gjyqësore”, tha Pollozhani, i cili duke u ndalur të rasti “Almir Aliu”, deklaroi se “vrasësi i Boban Iliq është emëruesi i përbashkët i politikës maqedonase kundrejt shqiptarëve”.

6 Protesta, el cheka
Protesta

Krahas rasteve gjyqësore, ai vuri në dukje edhe problemin me shkollat fillore si në Çashkë, Jabollçishtë dhe Njegosh.

“Nga këtu ju bëj thirrje të gjithë prindërve që të angazhojnë avokat dhe ta padisin shtetin për segregacion dhe diskriminim”, tha Pollozhani.

Protesta ka marrë mbështetjen edhe të partisë politike në opozitë, Lëvizja BESA.

“Për fat të keq në këtë shtet ende po mohohet #drejtësia, po vonohet #barazia dhe na rrezikohet #ardhmëria. Ne nuk mund të heshtim kur të rinjtë tanë po merren për çdo ditë në pyetje nga policia vetëm pse ngrejnë zërin ndaj dukurive negative në këtë shtet, ne nuk mund të heshtim kur burgjet janë plot me shqiptarë të pafajshëm, ne nuk mund të heshtim kur një gjyqësor vazhdon të montojë raste kundër shqiptarëve dhe përfundimisht nuk mund të heshtim kur e shohim se si pushteti po na vret shpresën për një të ardhme me të mirë”, ka thënë sekretari gjeneral i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha.

Ndërkaq, të pyetur sot nga Portalb.mk se pse nuk është mbështetur edhe nga partia tjetër opozitare, Aleanca për Shqiptarë, nënkryetari Elmi Aziri tha:

“ASH e ka platformën e saj, programin e saj, e ka edhe formën e vet të organizimit dhe funksionimit. Të gjitha instrumentet që ne i konsiderojmë se janë të nevojshme për funksionimin tonë, ne do t’i përdorim”, tha Aziri sot gjatë konferencës për media që e realizua para Qeverisë së RMV-së.

Ky lloj protestash u bënë më të shpeshta, pasi në publik, Sheqerim Ahmedi i njohur me nofkën “El Çeka”, publikoi një sërë materiale të përgjuara  – “bomba” kryesisht të zhvilluara mes pjesëtarëve të partisë politike shqiptare në pushtet, BDI.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button