Udhëtarët që i mbijetuan aksidentit të Llaskarcës, në Gjykatë sot e rrëfyen tmerrin e 13 shkurtit

Autobusi ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe, shoferi ka përdorur telefon celular derisa ka qenë duke vozitur, ndërkaq nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ta parandalonte aksidentin, gjithçka ka ndodhur për 4-5 sekonda. Këto janë vetëm disa pjesë të rrëfimeve të udhëtarëve të dëmtuar, që ishin dëshmitar në aksidentin tragjik të Llaskarcës, ku si pasojë e daljes nga kontrolli të një autobusi të ndërmarrjes “Durmo Turs” humbën jetën 16 persona dhe rreth 40 u plagosën, raporton Portalb.mk.

Disa prej udhëtarëve që i mbijetuan aksidentit të 13 shkurtit në autostradën Shkup-Tetovë, sot rrëfyen tmerrin që e përjetuan atë pasdite, në autobusin i cili për destinacion final e kishte Gostivarin.

Gjykimi për rastin "Durmo Turs" (Aksidentin e autobusit në Llasarcë)
Gjykimi për rastin “Durmo Turs” (Aksidentin e autobusit në Llasarcë), foto nga gjykimi

Portalb.mk ua transmeton në tërësi rrëfimet e dëshmitarëve:

  • Dëshmitari i parë, Lulzim Dalipi

Shpesh kam udhëtuar vazhdimisht me “Durmo Tursin” dhe gjithçka ka qenë në rregull. Kam udhëtuar paraprakisht edhe me vozitësin Manuel.

Atë ditë, kam hipur në autubos në Shkup në ora 16:00, prej te Stacioni i Autobusit dhe duhej të shkoja në Gostivar. Kam qenë i ulur në rendin e parë të karrigeve, në anën e kundërt të shoferit, gjegjësisht në afërsi të derës së autobusit.

Autobusi u mbush dhe konduktori nuk lejoi udhëtarë të tjerë. Konduktori zbriti diku në Gjorçe.

Vozitësi i autobusit, atë ditë disa herë e ka përdorur telefonin celular për të folur.

Nuk kishte atë ditë asgjë të jashtëzakonshme. Pasi e kaluam pikëpagesën e Gullmovës, unë i mbylla sytë që të pushoj. Pas 5-6 minutave, kthimi i menjëhershëm i autobusit në anën e majtë, më ka nxjerrë nga dremitja dhe menjëherë jam kapur për një shtyllë të autobusit.

Në ato çaste kishte panik, bërtitje, e tëra ndodhi vetëm për disa çaste.

Vozitësi e mbante timonin në formën e orës 09-15. Nuk kam ndjerë që shoferi të ketë frenuar, ose të ketë bërë diçka që të kthehej në korsinë në të cilën ka qenë duke vozitur.

Autobusi ka lëvizur në pjerrtësi të anës së majtë dhe i ka thyer mbrojtëset e hekurta të autostradës. Pastaj ka dalë në rrugën e anës së kundërt të autostradës dhe pastaj është rrokullisur, unë nuk mbaj mend asgjë pasi që e kam humbur vetëdijen.

Pas, ndoshta 5 minutave, unë kam ardhur në vetëdije dhe menjëherë kërkova ndihmë. Më ka ndihmuar një djalosh i fshatit Bojanë, i cili bashkë me vëllanë e tij më dërguan fillimisht në një ambulantë në fshatin Bukoviq dhe pastaj në Spitalin 8 Shtatori.

Në Spital gjithsej kam qëndruar 24-25 ditë, 12 kocka i kam të thyera, kam pasur gjakderdhje të brendshme dhe 2 unaza të thyera.

Do të kërkoj dëmshpërblim përpara Gjykatës Civile, ndërkaq Gjykata le të vendos për përndjekjen penale të të akuzuarve.

Gjykimi për rastin "Durmo Turs" (Aksidentin e autobusit në Llasarcë)
Gjykimi për rastin “Durmo Turs” (Aksidentin e autobusit në Llasarcë)
  • Dëshmitari i dytë: Betin Ameti

Kam hipur në Stacionin e Autobusëve dhe u ula në rendin e 4-të ose të 5-të nga ana e shoferit, nga dritarja.

Pasi e kaluam pikëpagesën, autobusi menjëherë ka kthyer në të majtë. U ngrita shpejtë të shohë se çfarë po ndodh.

E ndjeva se shpejtësia ishte më e madhe se herët tjera. Në autobus filluan të bërtasin. Ishte shkurt ndodhi për 5-6 sekonda, e pash vetëm kemi dalë nga rruga dhe po rrokullisemi.

Nuk ndjeva që autobusi tenton të kthehet në korsinë që ishte duke vozitur paraprakisht.

Pasi u rrokullitëm e pash vozitësin, kishte dalë nga autobusi, ishte i frikësuar dhe qante.

Pas aksidentit, kam lëndime në trup, kur ndjehem në stres dhe i mbingarkuar kam dhimbje të kokës.

Nga transporti me “Durmo Turs” nuk jam i kënaqur, autobusët kishin probleme me dyert, nuk kishte kondicioner.

4-5 muaj përpara i njëjti shofer i aksidentit, bëri një aksident më të vogël në qytet, por për shkak se ishte i vogël nuk u lajmërua as policia, transmeton Portalb.mk.

Do të kërkoj dëmshpërblim përpara Gjykatës Civile dhe i bashkëngjitëm përndjekjes penale të të akuzuarve.

Gjykimi për rastin "Durmo Turs" (Aksidentin e autobusit në Llasarcë)
Gjykimi për rastin “Durmo Turs” (Aksidentin e autobusit në Llasarcë)
  • Dëshmitari i tretë: Dushan Stefanoski

Atë ditë kam hipur në autobus te stacioni përballë Postës së Maqedonisë. Gjithçka ishte në rregull dhe nuk pash asgjë të jashtëzakonshme. Derisa po lëvizte autobusi, e ndjeva se po lëvizë me shpejtësi më të madhe.

Në momentin e aksidentit, dëgjova se po goditen drunjtë që ndodhen në gardhin mbrojtës të autostradës. Nuk ndjeva se autobusi frenonte. Në çastin që e pash se po dalim nga rruga, u mblodha që të mbrohem nga aksidenti dhe nuk kam parë gjë. Kur është rrëzuar autobusi unë i kam humbur ndjenjat, ndërkaq pastaj jam zgjuar dhe më është ofruar ndihmë.

Nga ky aksident 8 kocka i kam të thyera.

Pavarësisht aksidentit, vazhdohet që të vozitet shpejtë. Kam një aplikacion në celular për matjen e shpejtësisë dhe prapë shoferët po vozisin më shumë se sa shpejtësia e lejuar.

Do të kërkoj dëmshpërblim përpara Gjykatës Civile dhe i bashkëngjitëm përndjekjes penale të të akuzuarve.

Gjykimi për rastin "Durmo Turs" (Aksidentin e autobusit në Llasarcë)
Gjykimi për rastin “Durmo Turs” (Aksidentin e autobusit në Llasarcë)

Rasti “Durmo Turs”

Rastin e udhëheq gjykatësja Dijana Gruevska- Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik Darko Jakimovski. Të akuzuar janë 6 persona, dhe atë, pronari i kompanisë transportuese “Durmo Turs”Durmish Beluli, përgjegjësi i kompanisë, Remzi Miftari dhe vozitësi i autobusit, Manoil Trifunovski. Këta ngarkohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërkaq tre të punësuarit e stacionit të kontrollit teknike, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button