Tetovë, u votua udhëheqësia e Ndërmarrjes për Transport Publik, opozita e lëshoi seancën në shenjë revolte

Sot në mbledhjen e 25-të të Këshillit Komunal në Tetovë, emrat e propozuar për anëtarë të këshillit drejtues edhe mbikëqyrës të “Ndërmarrjes Publike Tetova Transport” ishin shkak për tensione mes këshilltarëve të pushtetit dhe atyre të opozitës. Këta të fundit e lëshuan seancën në shenjë proteste, ndërsa ata që mbetën i votuan personat e propozuar, shkruan Portalb.mk.

Sot është mbajtur mbledhja e 25-te me radhë e Këshillit të Komunës së Tetovës, në këtë mbledhje ishte e paraparë të diskutohen 23 pika të rendit të ditës. Por me propozim të këshilltares Hatixhe Ceka, në rend të ditës u shtua edhe çështja e votimit të organeve të “Ndërmarrjes Publike Tetova Transport”.

Emrat janë si vijojnë:
Për anëtarë të Këshillit drejtues:
Dijana Vojnoska
Milica Cenovska
Ramko Ristovski
Faton Ameti
Rushadije Ramani Halili
Rugova Kurtishi
Hatixhe Ceka
Për anëtarë te këshillit mbikqyrës për kontrollin e punës materiale, financiare:
Ali Asllani
Mergime Beadini
Ersoj Jusufi
Zorica Kostadinovska
Tamara Gabrovska

Edhe pse Ndërmarrja Publike Tetova Transport është themeluar 28 ditë nga mbledhja e ditës së sotme, personat që priten të udhëheqin me këtë ndërmarrje u sollën në tavolinën e këshilltarëve të opozitës vetëm disa minuta para fillimit të seancës, që më pas të votohen të njëjtit.

Nën tensione edhe debate të ashpra mes këshilltarëve të opozitës dhe pozitës, kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës propozoi të votohen emrat e propozuar, në votimin e parë nga gjithsej 30 këshilltar të pranishëm, 15 votuan kundër që me automatizëm këto pika të rendit të ditës nuk kaluan.

Pas votimit të parë kryetari i këshillit kërkoi pauzë, dy nga këshilltarët që nuk votuan për nuk u kthyen më duke mundësuar miratimin e dy pikave të rendit të ditës, kurse këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët edhe Lëvizjes BESA, e lëshuan sallën në mënyrë demonstrative.

Sipas Besar Durmishit nga Lëvizja BESA, emrat të cilat janë propozuar për të qenë mbikëqyrës të “Ndërmarrjes Publike Tetova Transport” janë të papranueshëm për arsye se të gjithë nga anëtarët e propozuar janë nga pushteti edhe asnjë nga opozita apo të pavarur.

“Në shenjë revolte e lëshuam seancën, para nesh kishim emrat e propozuar për mbikëqyrës të Ndërmarrjes për transport publik, të gjithë nga ata emra janë nga radhët e BDI-së dhe PDSH-së, nuk kishte asnjë emër nga opozita apo anëtarë të pavarur. Do të ketë manipulim, mashtrim edhe vjedhje të mjeteve për arsye se praktika na bën të qartë se këto ndërmarrje duhet domosdo të kenë nga një anëtarë të jashtëm” tha Besar Durmishi.

Arif Selami nga Aleanca për Shqiptarët ngre dyshime për mënyrën se si u arrit kuorumi për votimin e këtyre pikave të rendit të ditës, ai thotë se dy këshilltarët të cilët nuk votuan për themelimin e organeve të ndërmarrjes, u larguan nga seanca pikërisht si pasojë e marrëveshjes së partive në pushtet.

“Para nesh ndodhi një akt i pahijshëm, pasi që nga 30 këshilltarë të pranishëm, me 15 vota kundër nuk kaluan dy pikat e rendit të ditës që kishin të bëjnë me emërimin e anëtarëve në këshillin drejtues edhe mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike Tetova Transport. Mirëpo gjatë seancës, dy këshilltarë të cilët nuk votuan për e lëshuan seancën, për shkak të marrëveshjes të partive në pushtet të cilat edhe mundësuan krijimin e kuorumit të nevojshëm” theksoi Arif Selami.

Por Komuna e Tetovës arsyetohen me atë se emrat e anëtarëve të propozuar për organet e ndërmarrjes kanë marrë dritë jeshile dje në Komisionin për emërim dhe shkarkime të Komunës, andaj sipas tyre shpërndarja e këtyre emrave ka qenë e pamundur të bëhet në kohë.

“Sot në rend dite si pikë shtesë nga komisioni për emërime u propozua bordi drejtues edhe mbikëqyrës i ndërmarrjes komunale për transport publik, këshilltarët e opozitës kërkuan përgjigje se pse emrat e propozuar nuk i kanë pasur disa ditë më para për të i shqyrtuar. Sidoqoftë, unë u sqarova se këto emra kanë kaluar dje dhe nuk ka qenë e mundshme që këto emra të ju shpërndahen këshilltarëve në kohë. Bëhet fjalë për emra të cilat janë të kombinuar, ka përfaqësues nga Këshilli Komunal i Tetovës, nga ana e Komunës si dhe nga ekspert të jashtme. Atë se pse nuk ka anëtarë të opozitës në këto komisione, konsideroj se është çështje politike të cilën vetëm ata e dinë”, tha Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti.

Foto nga seanca e Këshillit të Komunës së Tetovës.
Foto nga seanca e Këshillit të Komunës së Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button