Johnson dhe Corbin të gatshëm për një “fushatë të ashpër” parazgjedhore

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka thënë se është gati të luftojë “ashpër” në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme, që pritet të mbahen më 12 dhjetor, njofton REL.

Me tone të njëjta është shprehur edhe udhëheqësi i opozitës, Jeremy Corbin.

Më 29 tetor parlamenti britanik miratoi legjislacionin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, si një përpjekje për të zgjidhur bllokimin politik për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian.

Johnson shpreson se partia e tij konservatore do të marrë vota të mjaftueshme në zgjedhje, për të kaluar planin e tij të Brexitit në parlament.

Laburistët në opozitë, që kanë shprehur mendime të përziera për Brexitin, si dhe kanë kërkuar një referendum të ri për këtë çështje, dhe Liberal-Demokratët, të cilët kanë kundërshtuar me ngulm Brexitin, do të përpiqen të fitojnë një mbështetje në zgjedhje.

Votimi për zgjedhje të parakohshme erdhi një ditë pasi BE-ja ra dakord të shtyjë Brexitin deri më 31 janar të vitit të ardhshëm.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se 27 vendet anëtare të BE-së ranë dakord të pranojnë “kërkesën për një zgjatje Brexit deri më 31 janar 2020.”

Por, Britania e Madhe mund të largohet nga blloku para 31 janarit nëse marrëveshja e tërheqjes ratifikohet nga të dy palët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button