Filloi sezoni i ndotjes në RMV, koncentrim i lartë i grimcave PM10 në ajër

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) ka filluar sezoni i ndotjes, pasi gjatë ditëve të fundit është regjistruar koncentrim i lartë i grimcave helmuese PM10 në ajrin e Tetovës, Shkupit dhe Kumanovës, transmeton Portalb.mk.

Më alarmante është situata me Tetovën, pasi aty është regjistruar koncentrim i PM10-çeve në lartësi prej 181. Pas saj, vjen Milladinovc me koncentrim prej 178, Kumanova me 168, Manastiri dhe Gjorçe Petrovi me 114 dhe Qendra me 112.

Vlerat e koncentrimit të grimcave PM10 të regjistruara, janë dyfish më shumë se sa vlera e lejuar prej 50 mikrogram metër kub.

Parë nga ky këndvështrim, vlera të larta të koncentrimit të PM10 në ajër ka edhe në Gazi Babë, Rektorat, Lisiçe, Kërçovë, Gostivar dhe Kavadar.

Në lidhje me trendin e ndotjes, zëvendësministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli ka deklaruar se prioritet mbetet ndryshimi i sistemit të ngrohjes në institucione publike, si çerdhe, shkolla dhe spitale, të cilat si lëndë djegëse kanë mazutin.

Ai në emisionin “Top Tema”, dje deklaroi se 45 shkollave fillore dhe çerdheve në 19 komuna do t’u ndryshohet lënda djegëse e ngrohjes, ndërkaq në 24 objekte në 16 komuna do të ndryshohet efikasiteti energjetik. Në Shkup, në 11 vende, shkolla dhe çerdhe do të instalohen gardhe të gjelbra urbane.

Përndryshe, ndotja e ajrit alarmoi, pasi Shkupi paraprakisht u gjendet në vendin e pestë nga kryeqytetet më të ndotura në botë, me 158 mikrogram metër kub të grimcave PM10 në ajër.

Institucionet përgjegjëse kanë paralajmëruar edhe patrullime policore dhe inspektuese për të detektuar burimet e ndotjes, me qëllim të uljes së nivelit të grimcave PM10 në ajër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button