Një libër për botën e largët

A mundet një letrar të shkruajë për një libër që ka lidhje me astrofizikën? Kur profesor Bashkim Ziberi më nxiti të shkruaj për librin “Pika trëndafil – Për ne dhe alienët” (roman shkencor, Toena, 2018), të astrofizikanes Mimoza Hafizit, nuk e pata këtë drojë. Së pari: libri është edhe vepër artistike. Së dyti: jeta e autorit të këtij teksti ka qenë e lidhur me frymëzuesin jetësor, babanë, që ishte mësimdhënës fizike.

Duke e lexuar këtë libër shpesh jam kthyer në botën fëmijërore, te rrëfimet e babait për astronominë, që kanë qenë mbresëlënës aq sa përrallat.

Rrëfimet për kozmosin, kaosin, harmoninë, për kohën dhe hapësirën, i kam gjetur pastaj në shumë libra mbi mitologjinë, filozofinë apo letërsinë.

Rrëfimet e këtilla i gjejmë që kur njerëzimi ishte në moshën fëmijërore. I gjejmë në epet e lashtë, sepse njeriut përherë i ka interesuar misteri i qiellit. Kështu kanë lindur mitet, që ndahen edhe në: mite solare (diellore), lunare (hënore) dhe astrale (yjore). Madje, njeriu së pari i krijoi hartat qiellore para se t’i krijonte hartat tokësore. Kështu, hartografët e parë u bënë astronomët ose më saktë astrologët.

Njeriu përherë ka besuar në ekzistencën e jetës diku në univers. Këtë ide e hasim në antikë, nga Epikuri. Kësi rrëfimesh gjejmë edhe te folklori shqiptar.

Zbulimi i ekzoplaneteve nëpërmjet eklipseve në diejt e tyre apo nëpërmjet metodave të tjera shkencore, për të cilat na flet libri “Pika trëndafil”, ngjalli shpresën për zbulimin e formave jetësore në universin e fundmë, por të paskajshëm, si thoshte Ajnshtajni.

Teoria mbi fundin dhe paskajshmërinë duket e pakapshme. Nëse themi se diku ka një fund, atëherë çfarë ka përtej atij fundi? Kjo mënyrë e të menduarit është tepër e kufizuar. Nga fizikanët mësojmë se për gjithësinë duhet të mendojmë më ndryshe. Të mos kufizohemi vetëm te tre dimensionet kohore dhe hapësinore, për sa kohë ka shumësi dimensionesh. Nga fizikanët e mësojmë se koha dhe hapësira janë në koalicion të përhershëm. Janë si dy qenie të ndryshme e të pandashme. Këtë koalicion në studimet letrare e quajmë “kronotop“, që e përmend Bahtini.

Koncepti i kohës dhe i hapësirës është mbresëlënës edhe në librat e shenjtë, ku flitet për “katet qiellore” dhe ku koha ndryshon nga njëri kat në tjetrin, sa mund të shtrojmë paralele me teorinë e Ajnshtajnit.

Rrëfimet mbi kohën dhe hapësirën i hasim edhe në letërsinë popullore shqiptare. Në epikën tonë koha e një figure mitologjike rrjedh ndryshe prej kohës së njeriut të zakonshëm. Disa gjëra intuita e gjeniut anonim arriti t’i kapte shumë shekuj para se këtë ta thoshin gjenitë e fizikës.

Fizikanët ndikuan edhe në botëkuptimin religjioz. Mjafton ta kujtojnë teorinë heliocentrike të Kopernikut, si kundërvënie ndaj teorisë gjeocentrike.

Edhe për letërsinë mund të flasim duke iu referuar mësimeve nga fizika. Le ta marrim si shembull “Fjalët e qiririt” të Naim Frashërit, duke e ndërlidhur me proceset termodinamike. Trupat e nxehtë i ngrohin trupat më të ftohtë. Njeriu i ditur është trupi i ngrohtë, i cili e ngroh të paditurin. Qiriu që digjet i ngroh ata që kanë nevojë për zjarrin e dijetarit, të poetit…

Kësi mendimesh të lindin derisa e lexon librin “Pika trëndafil” të Mimoza Hafizit, e cila e shfrytëzon si pikënisje për librin e saj fushatën rreth zbulimit të një planeti në yllin më të afërt me Tokën, të quajtur Proxima Centauri. Ky planet ndodhet katër vite drite larg nesh. Katër vite drite është largësi marramendëse. Udhëtimi i njeriut deri te kjo botë duket i pamundur. Por ne kemi të drejtë të ëndërrojmë dhe të imagjinojmë. Nëse deri atje arrin imagjinata jonë, ndoshta vjen koha kur atje mund të arrijë edhe njeriu. Udhëtimi i përfytyruar i Zhyl Vernit më nuk është fantastik.

Pikërisht në këtë libër autorja na flet për probleme të komplikuara nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë. Gjërat madhështore qëndrojnë te thjeshtësia. Nuk ka gjë më të komplikuar se sa thjeshtësia.

Vepra Pika trëndafil është dylibërsh. Është libër shkencor dhe letrar. Njërin libër e ka shkruar mendja, kurse tjetrin e ka shkruar imagjinata. Njëri libër është shkruar me diskurs prej shkencëtari dhe tjetri me diskurs prej shkrimtari. Dhe ja një prej shembujve të shumtë për diskursin letrar: “Planeti X kishte ngecur përgjithnjë në fjalorin e njerëzve edhe pasi vendin e tij e zuri Plutoni. Tashmë si një trup kërcënues, që mund të shkaktonte përplasjen dhe shkatërrimin, ai sillej jo më në orbitat e njohura rrotull Diellit, por në faqet e librave paranormalë dhe në mediat sociale pseudoshkencore”.

Me këtë diskurs elegant, mbresëlënës dhe bindës thuhet e vërteta shkencore, për sa kohë abuzuesit me frikën dhe padijen, siç thotë një personazh, mund të bëjnë gjithçka për pak bujë, publicitet e fitim. Dhe ja një mendim që i duhet shoqërisë sonë të konsumit, e cila bombardohet me lajme të frikshme, sepse frika e shet lajmin. Prandaj mediat tona e mbajnë larg shkencëtarin, sepse e duan mjegullën. Në mjegull njeriu humb pikat referuese. Ai çorientohet, manipulohet, frikësohet.

Ky libër përmban kodin e dyfishtë: njërin për studiuesit dhe tjetrin për publikun më të gjerë. Është libër për shkencëtarin dhe për kureshtarin. Është libër që na shtyn të mendojmë edhe për qeniet që, mbase, jetojnë diku larg, mijëra vite larg dhe që, mbase, duan të vënë kontakt me ne, por të humbur në univers nuk arrijnë t’i drejtojnë sinjalet e tyre drejt nesh.

A ekzistojnë qeniet e këtilla? Kjo përgjigje i mungon njerëzimit. Nuk e dimë cili brez do të jetë me fat për ta marrë përgjigjen pohuese. Deri atëherë njerëzimi do të jetojë me shpresën dhe kureshtjen, por edhe me dilemën e trishtë se mos vallë jemi të vetmuar në gjirin e universit. Ose: mbase ne ende kemi mendim të gabuar për jetën aliene, sepse sillemi vetëm te jeta me bazë karboni. Mbase duhet të ndryshojë edhe qasja jonë mbi jetën aliene. Mbase ka qenie që rriten ngadalë. Si malet. Dhe mosha e tyre është mijëravjeçare. Rriten aq ngadalë dhe në heshtje sa ne edhe po t’i vizitonin planetët e tyre do të besonim se aty ka vetëm natyrë të vdekur.

Libri Pika trëndafil na jep njohuri të shumta shkencore për gjërat e sipërpërmendura, njëkohësisht na krijon kënaqësi estetike…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button