Inspektorë dhe policë do t’i kërkojnë burimet e ndotjes së ajrit në RMV

Ndotja e ajrit është një nga problemet kryesore të cilat i mundojnë qytetarët, ndërsa ditëve të fundit është duke u aktualizuar për shkak të nivelit të lartë të ndotjes me PM10 grimca në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë. Ajri në Shkup në orët e mbrëmjes ka erë të kimikateve dhe shkakton djegie në fyt dhe kollitje, njofton NOVA, transmeton Portalb.mk.

Shkupi mbrëmë u gjend në vendin e pestë të qyteteve me ajrin më të ndotur, me 158 mikrogram për metër kub të PM10 grimcave, ndërsa ditën e kaluar ngadalë filloi të merr primatin dhe ka qenë në vendin e dhjetë. Në gjithë qytetin dje në mëngjes është regjistruar ndotja e ajrit mbi limit të lejuar prej 50 mikrogramë për metër kub.

Kryeministri Zaev thotë që nuk mund për dy apo tre vite të arrihet sukses, por që ndërmerren masa konkrete. Ai ka theksuar që po investohet në mënyrën e ngrohjes në institucionet publike, në spitale, kopshte fëmijërore, në subvencione me inverter, ndërsa lajmëroi që investimet e radhës do të jenë në sektorin publik, si dhe monitorim në industrinë për shkak se analizat kanë treguar që 57 përqind e ndotjes është e shkaktuar nga ngrohja, ndërsa 28 përqind nga automjetet dhe industria.

“Ministri për mjedis jetësor në seancën e sotme dhe të nesërme të Qeverisë ka lajmëruar nismë ku do të jenë të përfshirë të gjitha organet inspektuese, policia dhe të gjitha shërbimet tjera për ta monitoruar hapësirën publike, kemi djegie të panevojshme të kashtëve, mosrespektim të normave ligjore, çdo resurs të lirë do ta rialokojmë. Jemi duke e bërë atë që është duke e bërë tërë bota. Respektimi i A dhe B licencave të integruara është e rëndësishme njëjtë sikur përforcim i vetëdijes publike të gjithë qytetarëve”, ka thënë kryeministri Zaev.

Një nga masat është zëvendësim i mazutit me energjensë tjerë ekologjik që duhet të ishte bërë në spitalin e Kumanovës, në Burgun Idrizovë, në spitalin për obstetrikë në Çair.

“Përfundoi procedura për gazifikim të spitalit në Çair, marrëveshja tash më është e nënshkruar, punët ndërtimore do të fillojnë së shpejti. Në spitalin e Kumanovës ka pasur projekt të gatshëm, mirëpo për shkak të punës me qendrën urgjente do të prolongohet, i njëjti është kah fundi dhe pasi të rregullohet teknikisht do ta fillojmë procedurën”, deklaroi ministri për Shëndetësi, Venko Filipçe.

Gjithsej 17 institucione shëndetësore në shtet përdorin mazut apo këtë e bëjnë në mënyrë të kombinuar me naftë.

Në këtë mënyrë ngrohen Spitalet klinike në Tetovë dhe Manastir, Spitalet e psikiatrisë në Shkup, Demir Hisar dhe Negorci, Spitali special për sëmundje të mushkërive – Jasenovo, spitali special për ortopedi “Shën Erazmo” në Ohër, si dhe Enti Gerontologjik “13 nëntori” në Gjorçe Petrov. Është e dukshme që institucionet shëndetësore ku duhet mjekojnë, në fakt shkaktojnë pasoja të rënda mbi shëndetin e njerëzve.

Krahas spitaleve edhe kazermat në Shtip, Veles, Kërçovë, Tetovë, Prilep dhe Petrovec ngrohen me mazut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button