“Monstra”, Prokuroria e Kosovës nuk e di se ku gjendet për momentin Afrim Ismailoviqi

Kërkesës për ekstradim të dy të akuzuarve në rastin “Monstra”, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, i është përgjigjur Ministria e Drejtësisë së Kosovës. Nga atje kanë njoftuar se Prokuroria Publike e Kosovës nuk e di se ku gjendet Afrim Ismailoviqi, që të mund të ekstradohet i njëjti. Për Alil Demirin nuk është kumtuar asgjë, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të interesit të publikut për ekstradim të Afrim Ismailoviqit – i akuzuar në rastin “Monstra”, informojmë se Ministria jonë ka marrë njoftim nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës se kanë marrë përgjigje nga Prokurori publik kompetent se për momentin nuk dihet se ku gjendet i akuzuari Afrim Ismailoviqi”, thanë nga Ministria e Drejtësisë e RMV-së.

Nga atje kanë njoftuar, se sërish do të dërgojë urgjencë dhe do të kërkojë që institucionet e Kosovës të bëjnë përpjekje për gjetjen e personit për realizim të ekstradimit.

Ekstradimi i Ismailoviqit dhe Demirit u kërkua në seancën gjyqësore të “Monstrës” që u mbajt më 4 tetor të 2019-s.

Siç kumtuan paraprakisht nga Kabineti i ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska, sa ka qenë ajo në pushtet, te ministri i deritashëm i Drejtësisë të Kosovës, Abelard Tahiri janë dërguar tre shkresa. Një kërkesë për ekstradim, dhe dy urgjenca për prononcim ndaj kërkesës.

  • Kërkesa e parë për ekstradim është dërguar në mars të 2013-s, për çfarë Gjykata e Apelit e Kosovës më 22 janar të 2016-s e ka refuzuar të njëjtën,
  • Kërkesa e dytë është dërguar më 5 shtator të 2018-s. Nga dorëzimi i kërkesës për ekstradim, deri sot Ministria e Drejtësisë në RMV nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës. Është dërguar urgjencë për prononcim ndaj kërkesës në fjalë.
  • Urgjenca e parë është dërguar më 26 shkurt të 2019-s dhe
  • Urgjenca e dytë është dërguar më 3 korrik të 2019-s.

LEXO: Fetai e pyet Deskoskën se, a ka filluar ekstradimi i Demirit dhe Ismailoviqit, Raufi e këshilloi të lexojë më mirë

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button